Mërgimtarët përballen me vështirësi gjatë kalimit nëpër Serbi e Mal të Zi

0
821

Bashkatdhetarët që vijnë për pushime në Kosovë, vazhdojnë të përballen me probleme gjatë rrugës. Sikur edhe në vitet e kaluara, problemet më të mëdha shkaktohen gjatë kalimit nëpër Serbi dhe Mal të Zi. Qytetarët tregojnë për shuma të larta të parave që iu kërkohet nga ana e autoriteteve të Malit të Zi, pa ndonjë arsye të caktuar.

Luljeta Mustafa është vetëm një nga bashkatdhetarët e shumtë që gjatë verës ia mësyjnë Kosovës për t’i kaluar pushimet. Sikur vitet e kaluara, edhe këtë vit ajo është përballur me peripecitë e shumta për të ardhur në Kosovë. Derisa vendet e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Kroacinë si anëtarja më e re e këtij unioni, ajo i ka kaluar pa problem, në territorin e Malit të Zi, është përballur me sanksione të pa arsyetueshme, që e kanë rënduar xhepin e saj. Luljeta rrëfen për problemet në shtetin fqinj të Kosovës.

“Na i lypën paret, na i kërkuan 200 euro, por nuk kishin arsye për kërkesën që e bën sepse ishin krejt në rregull. Pastaj u shtymë me ta, pse ta bëjmë këtë pagesë, derisa çmimi ra në 50 euro. Kështu që u desh të paguajmë 50 euro”, tha Mustafa.

Luljeta dhe familja e saj nuk janë të vetmit që janë përballur me një situatë të tillë. Ajo tregon se në të njëjtën kohë, edhe vetura të tjera me mërgimtarë janë ndalur nga ana e policëve dhe doganierëve të Malit të Zi, të cilët kanë kërkuar shuma të caktuara parash.

Ministria e Diasporës ka vënë në dispozicion dy numra të telefonit në të cilët bashkatdhetarët mund të informojnë për problemet që hasin gjatë rrugës për në Kosovë. Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli thotë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ankesë ndaj autoriteteve të Malit të Zi.

“Ne jemi të vetëdijshëm që autoritetet e Malit të Zi sikur në të kaluarën edhe këtë vit mund të paraqesin pengesa nga më të ndryshmet, por pa pasur diçka të drejtpërdrejtë ne e kemi të pamundur që të thirremi në raste. Ne kemi kërkuar prej tyre në takimet që kemi pasur me këto autoritete dhe kemi marrë zotimin e tyre se gjithçka do të jetë në rregull, por në praktikë gjendja është krejt ndryshe”, tha Makolli për Radio Kosovën.

Makolli thotë se bashkatdhetarët në raste kur kanë probleme duhet të informojnë për trajtimin që u është bërë gjatë rrugës, në mënyrë që të vihet kontakti me autoritetet përkatëse për eliminimin e praktikave të tilla./rtk/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu