“Mes Shqipërisë dhe Kosovës të mos ketë doganë”

0
558

Aleanca Kuqezi u ka bërë thirrje kryeministrit të Shqipërisë dhe të Kosovës që të heqin doganën.  Në tryezën e AK-së për ekonominë, kreu i kësaj lëvizjes, Kreshnik Spahiu ka kërkuar që një gjë e tillë të realizohet para 100-vjetorit të Pavarësisë. Në rast se kjo nuk ndodhe Spahiu tha se AK do të hartojë krijimin e beneluksit shqiptar.

“I bëjmë një kërkesë publike kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që brenda 28 nëntorit të heqin pikat kufitare dhe pika doganore Kosovë-Shqipëri. Nuk mund të ketë barriera brenda kufijve shqiptare. Nëse Berisha nuk pranon të heqë barrierat, ne premtojmë se nëse kjo nuk do të ndodhë, pas 28 nëntorit ne do të hartojmë një strategji me modelin e Beneluksit shqiptar”, tha Spahiu duke shtuar se hapësira shqiptare nuk duhet të ketë të njëjtat mure dhe barriera siç ka Shqipëria me Greqinë apo me Italinë.

Sipas kreut të AK-së mes Shqipërisë dhe Kosovë duhet të ketë unifikim të programeve ekonomike dhe e cilësoi të pandershme tarifat doganore mes dy vendeve. Një pikë tjetër e programit ekonomik e AK-së është futja e një monedhe të përbashkët duke propozuar futjen e euros.

“Aleanca Kuqezi do të përgatisë futjen e shqiptarëve në një monedhë të përbashkët që në pamundësi të futjes në lek për shkak të rrënimit drastik nga regjimi Berisha duhet përgatitur përfshirja në eurozonë ashtu si tashmë janë shqiptarët e Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në programin e AK-së.

Gjithashtu kjo lëvizje kërkon që të mos lejohet privatizimi i pasurive kombëtare dhe krijimi i një banke për të mbështetur dhe mbledhur mbarë kapitalin shqiptar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu