Mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm

0
614

Kim Mehmeti:

Shumica e politikanëve shqiptarë janë nga ata që mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm. E kjo është veçori e njerëzve që mbahen të gjithëdijshëm, ky është tipar që i dallon varfanjakët shpirtëror, ata që nuk e kanë kuptuar se i mençur e i pasur është ai që tërë jetën e vet ndihet si nxënës, i cili çdo ditë mëson diçka të re. Që ndihet si nxënës që diplomon atë ditë kur ndahet nga kjo botë, kur edhe e kupton të vërtetën e përsëritur aq herë sa kanë lindur e vdekur njerëz mbi këtë rruzull tokësor: se pasuri e vetme është koha që na është dhënë për ta jetuar, se koha është mësuesja më e vyeshme, por ajo njësoj në fund i harxhon e i vret si nxënësit e saj të zellshëm, po ashtu edhe të paditurit dhe ata që nuk kanë ndier nevojën të mësojnë. Me çka edhe i barazon të gjithë njerëzit e kësaj bote, por assesi nuk e shlyen të vërtetën se i padituri e harxhon jetën i mbyllur në oborrin e injorancës së vet, ndërsa shqiptari që beson se i di të gjitha, e që do të pasurohet shpejt, bëhet politikan dhe mendon se më lehtë është ta udhëheqësh e të vendosësh për fatin e tërë një populli, se sa të drejtosh familje që ke.

Kur bëhet fjalë për shumicën e politikanëve të mëmëdhe Shqipërisë, ata të lënë përshtypjen se thuajse asgjë nuk mësuan nga ngjarjet tragjike që ndodhën në të kaluarën, përfshi këtu edhe ato të 21 janarit, që përfunduan me 4 viktima e shumë të lënduar. Andaj edhe mbajnë në duar flamurin e fjalorit përbuzës, ofendues e baltosës ndaj njëri-tjetrit, me çka njeriu nuk ka si mos mendojë sa më e qetë do ishte Shqipëria sikur politikanëve të atjeshëm dikush t’ua merrte mikrofonat dhe t’ua ndalonte të dilnin nëpër TV-ekrane e foltore. Mbase kjo heshtje e përkohshme e zënkave ndërpartiake, do u mundësonte shqiptarëve të mëmëdheut ta kuptonin se ata janë peng i politikave të ndërtuara edhe mbi kufoma, se në një vend ku kundërshtarët politikë e quajnë njëri-tjetrin “vrasës”, apo përdorues të bashkëmendimtarëve të vet “si mish për topa”, pra se në një vend ku politikanët janë edhe prokurorë edhe gjykatës, në atë vend me të vërtetë funksionon tregu i lirë kapitalist, por malli më i lirë që shitet e blihet është jeta e njeriut. Dhe në atë vend është e kotë të flasësh për ideologji e koncepte politike, por vetëm për verbëri të shkaktuar nga shkëlqimi i parasë.

Ambienti politik në Kosovë dallon me shumëçka nga ai nëpër “Shqipëritë” e tjera, por edhe atje, shumica e politikanëve janë të ngadaltë në mësime, por të ngutshëm në bërjen e gabimeve dhe për t’u pasuruar. Andaj edhe u ndodhi ajo që nuk e priste askush: për herë të dytë të zgjedhin President të shtetit, duke thyer Kushtetutën. Gjë që tregon se as ata që duhet ta mbrojnë, asnjëherë nuk e kanë lexuar aktin më të lartë juridik të vendit që drejtojnë. Por, edhe sikur të mos e kishin lexuar kurrë Kushtetutën e Kosovës, parlamentarët e Prishtinës do mjaftonte të ishin më të logjikshëm, sa ta kuptonin se zgjedhja e Presidentit nëpërmjet votimit në tri raunde nënkupton garë mes më shumë kandidatëve. Pra, nënkupton kalim gradual të votave të kandidatëve të diskualifikuar tek ai i fundit që do mbetet për votim. Por, kështu e ka politika që dëshmon se shqiptarët dinë si të qeverisin, por nuk dinë si të ndërtojnë shtet, që e duan më shumë pushtetin, se sa shtetin. E me çka edhe përballen me absurdet nga më të çuditshmet: që pakica e shqiptarëve të sundojë me shumicën.

Se sa shqiptarët e duan pushtetin edhe kur nuk kanë shtet, më së miri e dëshmojnë politikanët shqiptarë të Maqedonisë, të cilët ia hanë kokën njëri-tjetrit për t’u bërë pjesë e koalicioneve qeverisëse, e ku ata shërbejnë vetëm si zbukurim i demokracisë shumetnike të këtij shteti. Duke qenë njerëz që duan pushtet e nuk kanë nevojë për shtet, atyre u ndodh ajo me çka ballafaqohen sot: që për vasalitetin e sotëm të saj në qeverinë e Gruevskit, BDI-ja e Ali Ahmetit ta fajësojë PDSH-në që paraprakisht ishte vasale e po të njëjtit Kryeministër. Me çka, mbase pa dashje, e dëshmon të vërtetën e dhembshme për shqiptarët e këtushëm: se ky popull nuk ka parti që prodhojnë politikë, por “sekte” partiake të përdorshme vetëm për palën maqedonase, edhe atë ngaqë janë të paafta që interesin shqiptar ta ngrenë në rrafshin e interesit shtetëror. Pra, partitë e këtushme shqiptare e materializojnë paaftësinë e vet, ato i mban gjallë verbëria për të ardhur me çdo kusht në pushtet, verbëri e cila nuk u lejon kryesuesve partiakë të shohin se shqiptarët e këtushëm i lanë pa shtet. Dhe duke qenë si të gjitha partitë e tjera që rrotullohen rreth boshtit të paaftësive të udhëheqësve të tyre, BDI-ja e Ali Ahmetit do dalë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare pa e ditur se populli ia dha besimin që të bënte diçka më mirë se partitë tjera, e jo që t’i vulosë gabimet e tyre. Pra, kryesuesit e BDI-së do të dalin nëpër mitingje parazgjedhore të bindur se askush nuk e ka kuptuar se, nëse partitë e mëparshme e përuruan pozitën e tyre vasale në qeveritë e Maqedonisë, BDI-ja është ajo që e institucionalizoi këtë vasalitet. Edhe atë duke pasur aq shumë deputetë, sa nuk do i ketë kurrë më asnjë parti e këtushme shqiptare. Pra, duke pasur mundësi që palës maqedonase t’i dëshmonte atë që e dinë të gjithë, përpos udhëheqësve të partive të këtushme shqiptare: se mund të ketë pushtet pa shqiptarët, por jo edhe shtet, se nuk ka parti maqedonase që do të kishte legjitimitet ta sundonte Maqedoninë, pa pasur përkrahjen e shqiptarëve të këtushëm.

Politikanët shqiptarë, kudo që veprojnë, kanë diçka të përbashkët: më shumë e duan pushtetin se sa shtetin që drejtojnë. Andaj edhe ke përshtypjen se “Shqipëritë” tona janë në duart e atyre që më parë do të lejonin të shkatërrohej shteti, se sa të rrëzohej qeveria që ata drejtojnë. E kjo ndodh për shkak se të gjithë ne bëmë një gabim: u mundësuam politikanëve të besojnë se politika është mjeshtria e të gënjyerit, se ajo sjell privilegje, por jo edhe përgjegjësi. Me çka, shoqëritë tona shqiptare mbetën peng i “tenderokratëve” që mësojnë ngadalë, por ngutshëm pasurohen. Ato mbetën peng edhe i pasanikëve që mendojnë se paraja të bën të pavdekshëm dhe president shteti. Në mes të këtyre dy grupeve që përbëjnë elitat tona politike, mbeten ata të paktit që e dinë se, aty ku çdo gjë e përcakton paraja, është e pamoralshme të flitet për atdhe, dashuri dhe përkushtim kombëtar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu