Metush Krasniqi, promotor i lëvizjes shqiptare për liri dhe bashkim kombëtar

0
726

Në fillim të viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar kundër shqiptarëve në përgjithësi, e në veçanti kundër shqiptarëve të robëruar nga Jugosllavia, luheshin lojëra politike në mes të fuqive me letra të mëdha.

 

Angazhimi politik në tri rrafshe

Metush Krasniqi me një arsimim të mesëm shkollor, duke e vërejtur këtë lojë, do të angazhohet politikisht të veprojë në tri rrafshe të çështjes kombëtare, sidomos në Kosovë, por edhe në Shkup dhe rrethinë. Së pari, do të përqendrohet të luftojë për emancipimin kombëtar. Kohën më të madhe do ta harxhojë duke vepruar kundër atyre që kishin marrë turr për t`u regjistruar turq, ndërsa asnjë fjalë të gjuhës turke nuk e dinin. Fjala është për një shtresë të caktuar shqiptarësh që ishin të ndjekur ose ishin të mykur në dy mendësi kombëtare, e që synonin të shpërnguleshin në Anadoll me nxitje të propagandës shtetërore serbe. Së dyti, Metushi do të angazhohet në rrafshin e emancipimin shkollor të shqiptarëve, sepse ende populli nuk e kishte guximit që t`i rreket rrafshit të diturisë me të gjitha mjetet. Së treti, Metushi do të përqendrohet që shqiptarët të trimëruar nga bankroti i koperativizimit shtetëror jugosllav në përgjithësi, të cilin aksion e kundërshtuan, të përqendrohen në zhvillimin e ekonomisë private dhe pastaj të kishin hapësirë për emancipim të mirëfilltë politik. Propagandën antishqiptare do ta shoqërojnë me terror shtetëror kudo ku jetonin shqiptarët emisarët e Aleksandër Rankoviqit, i cili në Beograd kishte themeluar me dijen e Titos dhe kreut tjetër shtetëror një shtab që deri më 1966 do të quhet “Shtabi i Rankoviqit”.

 

Repartet për shpërnguljen e shqiptarëve

Metush Krasniqi nuk e dinte se Shtabi i Rankoviqit në Shkup, më 1951, i kishte instaluar TRI reparte të ministrive kryesore shtetërore për t`i detyruar shqiptarët që t`i lëshojnë tokat e veta stërgjyshore. Në krye të repartit të MPJ-së ishte emëruar Kërste Cërvekovski. Ai ishte në kontakt me një sërë organizatash politike dhe religjioze dhe bënte propagandë ordinere për shpërngulje të shqiptarëve me lehtësira të mëdha, duke u premtuar atyre çdo gjë. Repartin e MPB-së e drejtonte në Shkup polici kriminel Vojkan Llukiqi. Ky kriminel kishte bërë një elaborat në 15 faqe, ku thuhej qartë se “…deri më 1959 çështja e myslimanëve në Jugosllavi duhet të marrë fund”. Elaborati i tij mban emrin “Istoqni klin”(Pyka Lindore). Përmes këtij projekti Llukiqi kishte për detyrë ta spastrojë popullsinë shqiptare “shumë të rrezikshme” në vijën Vranjë-Bujanofc-Preshevë-Gjilan-Kaçanik-Kumanovë-Shkup. Projektin tjetër me emrin “Zapadni KLin” (Pyka Perëndimore) e drejtonte S. Stevanoviq. Edhe i pari edhe i dyti kishin leje nga bosi i tyre në Beograd (Rankoviqi) t`i përdorin metodat më barbare, me të vetmin qëllim që popullsia shqiptare të shpërngulet përgjithmonë në Anadoll. Këta kriminelë kishin arritur të rekrutojnë për qëllimet e tyre pesë (5) ylema. Po i kishin evidentuar 68 ylema që fuqishëm po e kundërshtonin shpërnguljen. Prej tyre si kundërshtarë të egër të regjimit ishin cilësuar 52 imamë të xhamive. Prej ylemave agjentë ishin cilësuar: një në Pejë, një në Prishtinë dhe tre në Shkup. Për fat, që të pestit kanë thyer qafen në Anadoll.

 

Nesër do të lexoni:

* Kur filloi tragjedia e vërtetë shqiptare në Jugosllavi?

* Çka shkruante për fitimin e lirisë në ditarin e tij Krasniqi?

 

Shkruan: Prof. Dr. Hakif Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu