Miftari: Informatat ia kaloja Kadri Veselit

0
1143

Agjent i SHIK-ut, Naim Miftari, është intervistuar nga prokurori i EULEX-it, Maursio Salustro, në lidhje me rastin “Bllaca 2”. Sipas një dokumenti, të cilin e ka siguruar gazeta, Miftari ka deklaruar në prokurori se në prill të vitit 1998 është kthyer nga Gjermania për t’u angazhuar në luftë në Kosovë. “Fillimisht më kanë caktuar në një pozitë në shtabin e Likovcit, për disa javë. Kjo është bërë me propozim të Azem Sylës. Me Sylën unë ka qëndruar rreth një javë në Shqipëri, përpara se të vija në Kosovë. Ai e dinte se unë kisha luftuar edhe më herët në Kroaci dhe prandaj më propozoi që të caktohesha pranë shtabit të përgjithshëm në Likovc”, është shprehur ai. Ai ka thënë se në Likovc ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me dy persona kryesorë nga UÇK-ja, me Sylejman dhe Rexhep Selimin. “Kam pasur funksione hetimore në kuadër të Policisë Ushtarake. Kemi marrë informacione nga Prishtina dhe nga qytete të tjera për persona të caktuar”, ka thënë ai në përgjigjen e tij.

Transformimi në SHIK

Miftari ka thënë më pas se është lejuar që të shkojë në zonën e Shalës. “Atje jam paraqitur në fshatin Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë, që është shumë afër fshatit të lindjes sime. Unë kam luftuar kudo në Kosovë gjatë luftës, por detyra ime ishte ajo e oficerit në zonën e Shalës. Më 12 qershor 1999, pasi NATO-ja hyri në Kosovë, pozita ime ka qenë ajo e shefit të shërbimit të ZKZ-së, në Brigadën 142. Zona e luftimit të kësaj brigade shtrihej nga Obiliqi deri në Leposaviq. Pas 12 qershorit unë jam takuar me Kadri Veselin, që në atë kohë ishte në Mitrovicë, i cili më tha se shumica e stafit të të ashtuquajturit G2 ishte ZKZ apo Shërbimi i Zbulimit dhe Kundërzbulimit të UÇK-së, që do të transformohej në SHIK”, ka thënë Miftari.

Ai ka thënë se grumbullonte informacione dhe ia kalonte Kadri Veselit.“Transformimi i ZKZ-së në SHIK u finalizua brenda 3 apo 4 muajsh pas përfundimit të luftës, megjithatë ShIK-u nisi të vepronte menjëherë pas luftës. Në praktikë unë nuk kam pushuar kurrë së punuari. Zyrat kryesore i kishim në Prishtinë, afër hotelit ‘Grand’. Kadri Veseli dhe oficerë të tjerë ishin të bazuar aty. Zyrat operacionale gjendeshin në Prishtinë, në ndërtesën që sot shërben si ndërtesa e partisë politike AAK”, ka thënë Miftari në përgjigjen e tij, duke shtuar se në atë ndërtesë janë vendosur SHIK-u, Policia Ushtarake dhe G2. “G2 dhe SHIK kishin të njëjtët pjesëtarë të stafit. Me fjalë të tjera, në përfundim të procesit të çmilitarizimit gjithë personeli i G2 u shndërrua në SHIK. Disa të tjerë formalisht iu bashkuan TMK-së apo Policisë së Kosovës, por i mbajtën funksionet që kishin në SHIK dhe vazhduan t’i raportonin Kadri Veselit”. Gjatë marrjes në pyetje nga ana e prokurorit, Miftari ka treguar se kishte arrestuar dhe marrë në pyetje Nexhmedin Ajetin, vëllain e Sherafedin Ajetit, i cili, sipas tij, kishte punuar për shërbimin e zbulimit serb, apo për UDB-në, si oficer i rangut të lartë.

Marrja në pyetje e Kllokoqit

Në intervistën në Prokurori, Miftari ka folur edhe për takimet e tij me Ibush Kllokoqin. “Më 17 korrik 1999, nëse nuk gabohem, e takova Ibush Kllokoqin për herë të parë. Nga data 17 deri 22 kam zhvilluar biseda informative me Kllokoqin për çdo mbrëmje, për dy orë apo më shumë. Të gjitha bisedat i kam bërë në shtëpinë time, që ndodhet në lagjen e Vranjevcit në Prishtinë. Në dy raste kam shkuar ta marr atë bashkë me Ferki Aliun, kurse në raste të tjera Ferkiu e ka sjellë atë në shtëpinë time. Për kontaktet e tij me mua ishte në dijeni vetëm vëllai i tij. Kllokoqi na dha ne informacion mbi strukturën e rrjetit të informatorëve të UDB-së dhe ne i premtuam se nuk do ta lëndonim atë”, ka thënë ai. Gjatë atyre takimeve, sipas Miftarit, Kllokoqi i ka thënë se dëshironte të takohej me Kadri Veselin dhe se ai e kishte gjetur një mënyrë për t’u takuar me të përmes një personi me mbiemrin Krasniqi. “Unë e di që Kllokoqi e ka takuar Kadri Veselin më pas, sepse kam folur me Veselin pasi kanë mbaruar bisedat me Kllokoqin dhe Veseli më ka thënë se edhe ai ishte në kontakt me të dhe se kishte gjetur edhe mënyrën për të organizuar një takim. Pasi i nisëm intervistat me të ne nuk e njoftuam askënd për këtë”. Miftari shtoi të ketë biseduar me Veselin vetëm pasi kishin mbaruar intervistat me Kllokoqin. “Unë Kllokoqin e kam intervistuar personalisht, secilën herë me Ferki Aliun. Kllokoqin nuk e kam parë më, sepse ai u vra pak kohë pas këtyre intervistave. Mendoj se është vrarë më datën 6 të muajit gusht”. Miftari ka thënë të mos e ketë dëgjuar kurrë emrin e Nazim Bllacës para se ai të dilte publikisht. “Megjithatë, kur dëgjova se ai e kishte emrin e koduar ‘Seiko’ mu kujtua se e kisha lexuar këtë emër në disa raporte të zbulimit. Mosnjohja ime dhe e Bllacës, edhe pse punonim për të njëjtin shërbim, është absolutisht normale në një shërbim sekret, ngase zakonisht njeriu i njeh vetëm bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dhe oficerin epror, të cilit i raporton, që në rastin tim ishte Kadri Veseli. Për më tepër nga ato që kam lexuar Bllaca del se ka punuar në nivel operacional, ndërsa unë kam qenë oficer i rangjeve të larta”, ka thënë Miftari në përgjigjen e tij. Marrja në pyetje e Miftarit në seancën e së martës në Prokurorinë e EULEX-it është përmbyllur me pyetjen rreth vrasjes së Selim Broshit nëse SHIK-u ka qenë i përfshirë në atë vrasje, për çka Miftari është përgjigjur se nuk ka informacione dhe se gjithçka që dinte në lidhje me Broshin ai ka deklaruar se është ftuar në zyrën e SHIK-ut dhe e ka marrë në pyetje Fatmir Xhelili.

“Syla hynte në zyrën e Veselit”

“Unë nuk e di nëse Azem Syla ka qenë i përfshirë në SHIK. E vetmja gjë që mund të them është se kur unë kam punuar në SHIK e kam parë shpesh Azem Sylën të hynte e të dilte në zyrën e Kadri Veselit. Këtë e di, sepse kam qenë vetë në SHIK dhe e dija se kush vinte në zyrat tona”, është shprehur Miftari gjatë intervistës në prokurori.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu