Miliardat serbëve, abetaren Hashimit!

0
803

Në një njoftim zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit konfirmohet një raport i hershëm i gazetës Tema mbi përfshirjen e dy kompanive serbe në informatizimin e shkollave në Shqipëri. Pazaret në atë kohë nisën nga Genc Pollo dhe u përfunduan nga pasardhës të tij. Përveç tentimit për të futur kontrabandë pjesët kineze të kompjuterëve, kompanitë serbe rezulton zyrtarisht të kenë gënjyer për cilësinë e produkteve dhe t’i kenë marrë shtetit shqiptar më shumë pare, edhe pse cilësia ka qenë shumë e ulët se sa është kërkuar. Nderi, edhe sipas medies së rajonit, i është bërë në fakt Damir Fazlliçit, sekserit të familjes, i cili qëndron si gjithmonë si lobist në Familje pas çdo biznesi serb apo boshnjak në Shqipëri. Nën të njëjtin model në Shqipëri filluan të fitojnë thuajse gjithë tenderët për eksport- import të energjisë elektrike ku luhen qindra miliona euro, po kompani serbe, të fitojnë tenderë për ndërtim rrugësh kompani serbe, të marrin koncesione dhe dalje në bregdet për depozita nafte kompani serbe e kështu me radhë. Ne nuk duhet të kemi frikë nga investimet serbe në Shqipëri, por kurrsesi nuk mund të pranojmë që ato të vijnë në Shqipëri si preferencë e Familjes në pushtet. Çdo serb është i lirë të vijë të investojë në Shqipëri në kushte të barabarta me shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe këdo investitor tjetër. Problemi që ne kemi me Familjen në pushtet është se serbët dhe bizneset e tyre janë “qytetarë” të dorës së parë, të preferuar prej Familjes. Ata kanë fituar lehtësisht tenderë me paret publike të shqiptarëve, dhe siç po rezulton dhe na kanë vjedhur pare. Përmes partneritetit me biznesmenët e Familjes, ata hynë në tregun e supermarketeve, në naftë, në energji elektrike, në rrugë, në kompjutera, në skrap, në miniera etj. Në raport me biznesmenët nga Kosova, biznesi serb në Shqipëri, në kohën e “patriotit” Sali Berisha, është ndoshta 100 herë më i madh. Dhe nëse e llogarit si biznes që ka përfituar nga paret publike, ndoshta zë vend të parë dhe në raport me biznesmenët e Shqipërisë. Edhe disa kompani të huaja që kanë emra perëndimorë, janë kompani serbe. Për shembull kompania që ndërtoi mbikalimin në Tiranë apo rrugën skandaloze Levan- Vlorë dhe që dështoi në segmentin Levan- Fratar për Tepelenë, ishte në të vërtetë një kompani serbe si filial i një kompanie austriake, e cila në Shqipëri drejtohet nga një serb me emrin Sllobodan dhe kunata e Fahri Balliut. Të njëjta janë makinacionet me kompanitë që fitojnë tenderët e kompjuterëve apo kompanitë e energjetikës së Damir Fazlliçit. Ky ekspansion serb në paret publike të Shqipërisë është një statistikë që i ka munguar përjetësisht shtetit shqiptar. As kur Ahmet Zogu erdhi me ndihmën e ushtarëve serb në pushtet pas vitit 1924, nuk ua diti serbëve për nder, por u lidh me Italinë. As Enver Hoxha që erdhi në pushtet në krye të komunistëve shqiptarë me dy të dërguar jugosllavë nuk ua diti për nder, por u ktheu krahët. I vetmi udhëheqës shqiptar, që po i trajton serbët si qytetarë të dorës së parë në Shqipëri dhe me prioritet mbi biznesin shqiptar, është Sali Berisha, nën peshën e pushtetit të Familjes së tij.

Dhe sikur të mos mjaftonin gjithë këto ndere për serbët, dhe gjithë këto padrejtësi për biznesin shqiptar, Sali Berisha disa ditë më parë u nis drejt Prizrenit për të shpallur si historike një abetare të përbashkët Shqipëri- Kosovë, një tekst gati esperanto për hapësirën shqiptare, pa asnjë vlerë të mirëfilltë shkencore ose funksionale, përveç një tubimi folklorik patriotik. Dhe përsëri këtu u shërbeu serbëve. Për të kompensuar publikisht ndihmën reale që u ka dhënë serbëve në pushtetin tij në Tiranë, pëlliste nga Prizreni ndaj fqinjëve, për t’i dhënë shkas dhe një herë serbëve ta shpallin atë ideator të Shqipërisë së Madhe. Një nder që ia kanë borxh njeriut që i ka ulur këmbëkryq në Tiranë, që u ka dhënë prej vitit 2005 mbi 1 miliard euro nga paret e qytetarëve shqiptarë, që ka ricikluar ish- mafien e kohës së Milosheviçit në mes të Tiranës dhe që mbi të gjitha është i vendosur të ruajë interesat e tyre në një plan afatgjatë në Shqipëri. Është njeriu që u ka dhënë serbëve miliarda dhe Hashim Thaçit një abetare. Është një simbolikë që tregon realisht se në Kosovë duhet të fillojnë të mësojnë nga germa A se kush është Sali Berisha dhe qeveria e Tiranës dhe sa mendon ajo për Kosovën.

 

Nga Mero Baze

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu