Miliona për negociatorët në Bruksel

0
843

Dialogu teknik dhe politik me palën serbe në Bruksel i ka kushtuar miliona euro buxhetit të shtetit. Përveç kritikave për dështimin në fuqizimin e shtetësisë së Kosovës, negociatorët vendorë kritikohen se kanë shpenzuar pa hesap në këto bisedime.

Prej fillimit të dialogut politik dhe teknik mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiq, zyrtarët vendorë e kanë vizituar dhjetëra herë kryeqendrën evropiane, me ç’rast janë shpenzuar para të majme për aviobileta, hotele ekskluzive dhe mëditje.

Anëtarët e grupeve punuese, bashkë me “mega” stafin e tyre, përveç shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit, i kanë marrë edhe nga 100 euro në ditë për t’i mbuluar shpenzimet e ushqimit. Shpenzimet e tilla kanë filluar të ndodhin prej 8 marsit 2011, kur kanë nisur negociatat teknike me Serbinë.

Për këtë vit, Qeveria e Kosovës për të negociuar me Beogradin zyrtar në Bruksel ka ndarë rreth 800 mijë euro, përderisa më 18 maj të vitit 2011, dy muaj pas fillimit të bisedimeve, kishte ndarë 541 mijë euro.

Përkundër insistimit të gazetës “Zëri” që të sigurohen shifra të sakta të shpenzimeve nga fillimi i dialogut nga zyrtarët qeveritarë, një gjë e tillë ka qenë e pamundur, përpos faktit se me dy vendime Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 1.3 milionë euro për këto bisedime.

Ish-drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, i cili ka qenë pjesë e grupit dialogues për çështjen e menaxhimit të integruar të kufirit në Bruksel ka treguar se në këto takime përveç që janë mbuluar biletat e fluturimit të aeroplanit, nga buxheti i shtetit janë hequr shpenzimet për akomodimit dhe nga 100 euro për shpenzime ditore për secilin person.

“Në kuadër të grupit tim punues që kam qenë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, pjesë e ekipit ka qenë edhe drejtori i Policisë Kufitare, kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës dhe stafi tjetër prej 3 vetash: një nga Zyra e Kryeministrit,një nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe një nga Zyra e zëvendëskryeministres Edita Tahiri”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk kanë marrë mjete shtesë për pjesëmarrje në takimet e grupeve punuese.

Ndonëse nuk i kujtohen se sa herë grupi i tij punues ka “fluturuar” drejt Brukselit, megjithatë Huruglica pranon se këtë vit kanë shkuar gjashtë herë.

Në kuadër të ekipit negociator të Kosovës në bisedimet me shtetin serb janë mbi shtatë grupe punuese që kanë dialoguar dhe vazhdojnë të negociojnë me Beogradin për çështje të ndryshme si për: energjinë, drejtësinë, çështja e zgjedhjeve lokale, lirinë e qarkullimit, sigurimet kufitare, çështja e tregtisë,… etj.

Në anën tjetër, Haki Shatri, i cili ka qenë ministër i Financave në periudhën kur janë zhvilluar bisedimet me palën Serbe në Vjenë, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, thotë se nuk duhet të shikohen shpenzimet financiare, kur, siç thotë ai, dëmi politik nga këto bisedime është shumë më i madh.

”Me marrëveshjet e arritura në Bruksel pasojat do të jenë të mëdha për Kosovën. Këtu po përmend vetëm një fakt se të hyrat buxhetore në dy pikat kufitare ndalen në kufi dhe këtu është bërë lëshimi nga ana e Kosovës. Gjithashtu tash e kemi edhe këtë asociacionin e komunave me shumicë serbe që do të ketë kompetenca më të gjëra se sa një asociacion. Pra, pasojat e marrëveshjeve do të na përcjellin me dekada”, ka thënë ai.

Ish-ministri i Financave kujton se në kohën kur janë zhvilluar bisedimet e Vjenës për zgjidhjen e statusit të Kosovës ishin ndarë diku rreth 8 milionë euro, nga të cilat mjete siç thotë ai, “me një përkujdesje të mirë që është bërë për dy vjet sa kanë zgjatur bisedimet janë shpenzuar diku më pak se 1.7 milion euro”.

 

Nga: Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu