Milionat e “djegura” në kazanët e KEK-ut

0
861

Nuk janë vetëm ankesat e qytetarëve për faturat e fryra problem për të cilin duhet protestuar. Janë qindra milona euro të investuara në këtë kompani publike nga buxheti i Bashkësisë Evropiane, donacione, ndihma dhe subvencione të Qeverisë së Kosovës. Duhet kërkuar llogari si u shpenzuan këto mjete, pse u paguan marramendësisht menaxherët dhe këshilltarët e huaj në këtë korporatë.

Dikush duhet të tregojë pse po investohet me shuma marramendëse në këtë ndërmarrje edhe pse tashmë distribucioni i është shitur (falur) kompanisë turke “Limak”. Kush janë kompanitë që kanë fituar tender milionësh bile edhe njëburimor në këtë ndërmarrje, si u derdhën në konto të bizneseve financuese të PDK-së paratë e KEK-ut përmes tenderëve publikë? Qytetarët e Kosovës, duhet protestuar për asetin e tyre, sepse ky nuk është aset i pushtetit dhe i një grupit të caktuar brenda saj, por është aset i kosovarëve të cilët deri më tash kanë paguar dy herë për energjinë e shpenzuar përmes faturave mujore dhe përmes tatimeve të tyre të cilat janë dhënë si subvencione KEK-ut. Qytetarët e Kosovës kanë qenë arsye pse janë dhënë donacione të pafund dhe sot pas më shumë se një dekade kemi përpara një kompani të degraduar.

Për 13 vjet kjo korporatë kanë gëllitur hiç më pak se një miliardë euro. Një raport i fundit i organizatës GAP jep detaje për investimet të cilat nuk kanë dhënë rezultat në përmirësimin e kësaj korporate. Vetëm gjatë viteve 2007-2012, komuna të ndryshme në Kosovë kanë investuar rreth 800,000 euro në rrjetin e distribucionit të KEK-ut derisa në investime kapitale në rrjetin e transmisionit, janë investuar 22.4 milionë euro vetëm nga Qeveria e Kosovës. Në anën tjetër prej vitit 1999 deri në 2007, EU ka asistuar me rreth 400 milionë euro në projekte të ndryshme energjetike. Hulumtuesit tregojnë se të gjithë këto shuma nuk japin vlerën e vërtetë, të granteve dhe donacioneve të dhuruara për investime kapitale në sektorin energjetik të Kosovës e cila është shumë më e madhe.

Qeveri ndërkohë ka vazhduar t’i japë subvencione kësaj korporate vetëm gjatë viteve 2009 deri 2011 KEK-ut i janë lejuar të hyra nga subvencionet rreth 145.84 milionë euro. KEK është arsyetuar se i duhen ndihmë për shkak të importit, ndërkohë që rryma është blerë me çmim shumë më të shtrenjtë sesa rryma e cila është eksportuar.

Të dhënat për vitin 2011 tregojnë se KEK-u ka importuar energji në vlerë prej 54.6 milionë euro, kurse ka eksportuar në vlerë prej 12.5 milionë euro. Çmimi i MW/h për import ka qenë 69.66 euro kurse për eksport 45.05 euro. Menaxherët e KEK-ut duhet të tregojnë pse kanë monopol disa kompani me zyra në Beograd për t’i shitur Kosovës rrymë, si është i rregulluar ky treg, pse Kosova e blen rrymën shumë më shtrenjtë sesa çmimi i tregut… Kush janë ish-punëtorët e KEK-ut të cilët sot bëjnë biznes me këtë ndërmarrje si në “bahçe të babës”. Sot grupi i qytetarëve të organizuar kanë bërë të ditur se duke filluar nga ora 12.00 do të organizojnë një protestë paqësore kundër fryrjes së faturave të energjisë elektrike për muajin janar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), por ata duhet të dinë se kanë shumë më shumë të kërkojnë nga KEK-u. Sepse kjo ndërmarrje publike është “mal i paprerë”, dhe faturat e rritura janë rezultat i keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimit 13-vjeçar.

 

Nga, Arbana Xharra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu