Milionat nga kufiri bllokojnë Kartonin e Gjelbër

0
798

Sigurimet ne Kufi BKS(E plotësuar)Qeveria e Kosovës në emër të pagesës së policave të sigurimit për qytetarët e Luginës së Preshevës që dëshirojnë të futen në vendin tonë.

Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) e cila udhëhiqet nga Gani Thaçi, vëllai i kryeministrit të vendit, ndonëse në pozitën e zëvendësdrejtorit, do të vazhdojë edhe këtë verë të thithë miliona nga bashkatdhetarët dhe qytetarët e Kosovës.

Kjo po ndodh pasi që Republika e Kosovës nuk është as afër që të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër. Kjo Byro, nga paslufta për 15 vjet, kishte përfituar rreth 200 milionë euro të dhëna zyrtare këto të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Hashim Thaçi më 11 tetor të vitit 2013, ai para ministrave të kabinetit qeveritar kishte miratuar një vendim, i cili do të lironte nga taksa të gjithë banorët e Luginës së Preshevës, të cilët do të kenë veturat me regjistrim të Bujanocit, Preshevës dhe Leskocit. Pra sipas vendimit, shqiptarët e këtyre trevave po marrin karton të sigurimit me afat prej 2 javësh, pa paguar fare.

1.2 milionë euro në konto të Byrosë

Por, Byroja e Sigurimeve e Kosovës, për këto polica të lëshuara nga buxheti i Kosovës, nga tetori ka marrë hiç më pak se 1 milion euro. Dhe kjo Byro po vazhdon të paguhet nga Ministria e Financave për këto polica të lëshuara. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” edhe Ministria e Financave.

Sipas tyre, Ministria e Financave e Kosovës, në xhirollogarinë e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ka derdhur prej datës 23 tetor të vitit 2013 deri tani 1 milion euro, vetëm për policat që ka lëshuar për banorët e Luginës së Preshevës.

“Këto mjete janë derdhur pasi kabineti qeveritar i Kosovës, në mbledhjen e 11 tetorit, e kishte miratuar vendimin për heqjen e taksës për veturat me regjistrim të Bujanocit, Preshevës dhe Leskocit”, thuhet në përgjigjet e kësaj Ministrie. Zyra për informim e kësaj Ministrie po ashtu ka bërë të ditur se vetëm për vitin 2013 Qeveria ka derdhur në xhirollogarinë e Byrosë Kosovare të Sigurimeve 314,713.00 euro, për policat që kishte lëshuar për banorët e Luginës.

“Ndërsa pagesa për periudhën janar – 25 qershor 2014 është 621,124.00 euro”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Financave. Këto mjete buxhetore sipas Ministrisë së Financave, kanë shkuar në llogari të Byrosë së Sigurimeve si rezultat i Vendimit të Qeverisë nr. 08/161 të datës 18.12.2013 për ndarjen e shumës prej 500,000.00 euro dhe Vendimit të Qeverisë nr. 06/172 të datës 27.02.2014 për ndarjen e shumës prej 700,000.00 euro.

Tahiri: Kartoni i Gjelbër, marrëveshja larg

Edhe pse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, kishin premtuar se në korrik, Kosova do të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër, kjo nuk do të ndodhë. Këtë e ka konfirmuar zëvendëskryeministrja në largim, Edita Tahiri. Konfirmimin e saj madje e ka fuqizuar edhe kryesuesi i delegacionit për të dialoguar në Bruksel për çështjen e Kartonit të Gjelbër, Rrahim Pacolli. Pra të gjithë bashkatdhetarët nga Evropa që ia mësyjnë Kosovës me vetura, do të “detyrohen”, që të paguajnë sigurim shtesë për automjetet e tyre. Njësoj do të vlejë edhe për qytetarët e Kosovës që dëshirojnë të udhëtojnë në Evropë.

Zëvendëskryeministrja në largim, Edita Tahiri, e cila udhëheq bisedimet teknike me Serbinë në Bruksel, ka deklaruar për “Zërin” se nuk ka gjasa që marrëveshja të finalizohet gjatë kësaj vere. Tahiri ka potencuar se bisedimet me Serbinë nuk do të mundë të vazhdojnë për asnjë çështje, as për Kartonin e Gjelbër, pa dal rezultati final i zgjedhjeve nacionale të cilat u mbajtën në Kosovë. “E kam paralajmëruar në media, derisa nuk dalin rezultatet finale të zgjedhjeve nacionale ne nuk kemi komunikuar me Brukselin”, ka thënë Tahiri. Ajo ka premtuar se në momentin që dalin rezultatet, do të komunikojë edhe me media, edhe me qytetarët për të sqaruar detajet e bisedimeve përfshirë edhe për Kartonin e Gjelbër.

Pacolli: Marrëveshja është shumë larg

Edhe kryesuesi i delegacionit teknik të Kosovës për të diskutuar për Kartonin e Gjelbër, Rrahim Pacolli, ka thënë se premtimet të cilat ishin dhënë se në korrik Kosova do të jetë pjesë e Kartonin të Gjelbër, do të mbesin vetëm premtime. Pacolli ka thënë se marrëveshja për Karton të Gjelbër është shumë larg që të arrihet.

“Derisa të formohet qeveria e re nuk do të këtë bisedime. Është biseduar për karton të gjelbër gjatë një rundi të bisedimeve, por ato kanë pasur të vazhdojnë por zgjedhjet në Kosovë kanë ndikuar që procesi të mos përmbyllet. Pra pa u formuar qeveria e re ne nuk mund të fillojmë”, ka sqaruar Pacolli, i cili para disa muajve ishte emëruar nga Qeveria si kryesues i delegacionit për Kartonin e Gjelbër.

Ai ka thënë se me keqardhje duhet të informojë opinionin e gjerë se premtimi ka qenë se në korrik të jemi pjesë e Kartonit të Gjelbër nuk do të realizohet. Më 25 prill gazeta “Zëri” kishte raportuar se kompanitë e sigurimeve së bashku me Byronë Kosovare të Sigurimeve kishin përfituar që nga paslufta rreth 200 milion eurot për shkak se Kosova nuk ishte pjesë e Kartonit të Gjelbër. Në atë artikull me titull: “200 milionët e kufirit bllokojnë Kartonin e Gjelbër”, redaksia kishte shpalosur të dhëna në detaje se secila kompani e sigurimeve gjatë një viti kishte përfituar përafërsisht rreth 14 milionë euro.

Nga: Liridon Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu