Milionerë nga politika apo nga biznesi ?!

0
909

Biznesmenë të suksesshëm janë edhe zyrtarët më të lartë të institucioneve të Kosovës. Përpos marrjes aktive me politikë, e cila gjë u siguron paga të majme, ministrat e Qeverisë së Kosovës, deputetët e Kuvendit dhe kryetarët e komunave fitojnë shuma të mëdha parash edhe nga bizneset e tyre private, të cilat shpeshherë janë fitues të tenderëve publikë.

Prijnë Kelmendi, Pacolli, Krasniqi

Padyshim në krye të listës që siguron të ardhura më të mëdha nga biznesi privat ndodhet deputeti i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramiz Kelmendi, i cili ka deklaruar fitim të pastër nga kompania “Elkos” në vlere prej më shumë se 9.2 milionë euro.

Kelmendi do të mund të radhitej i dyti në listën e më të pasurve, po qe se ish-presidenti Behgjet Pacolli do t’i deklaronte të ardhurat reale nga të gjitha bizneset e tij.

Pacolli ka deklaruar se ka të ardhura në vlerë prej 400 mijë euro nga bizneset në Zvicër. Pacolli ka deklaruar se i ka 60 për qind të aksioneve në Bankën Ekonomike të Kosovës dhe kompaninë e sigurimeve “Siguria”. Nga Banka Ekonomike ai nuk ka deklaruar fitim, ndonëse ka thënë se merr qira vjetore prej 144 mijë euro.

I treti në listën e më të pasurve ndodhet deputeti i “Vetëvendosjes”, Florin Krasniqi, i cili ka deklaruar pagë nga kompania “Triangle” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vlerë prej 700 mijë euro dhe 150 mijë euro të ardhura nga biznesi në Kosovë.

Nga ministrat e Qeverisë Thaçi, Agim Çeku ka deklaruar aksione në “Telekomin kroat”. Ndërsa ministri tjetër i Qeverisë, Nenad Rashiq, ka deklaruar se i ka 20 për qind të aksioneve në biznesin “ N&N Commerce” në Dobrotin, biznes i cili i siguron 3600 euro.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, fiton mirë nga zhvillimi i biznesit privat. Kolegji “Cambridge” në Pejë i siguron Beqës të ardhura prej 18 mijë eurosh.

Bizneset e deputetëve

Shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë deklaruar se kanë aksione në biznese të ndryshme, ndonëse shpeshherë janë kritikuar nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, se po i fshehin bizneset e tyre.

Deputeti Agim Kuleta ka deklaruar se i ka 50 për qind të aksioneve te biznesi “Fair Play”, i cili i ka siguruar të ardhura në vlerë prej 8400 euro, ndërsa biznesi tjetër “X Print” i ka siguruar 3600 euro të ardhura.

Deputeti i LDK-së, Bahri Thaçi, ka deklaruar të ardhura në vlerë prej 12 mijë euro nga ordinanca private specialisti “Shpëtimi”.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka deklaruar se i ka të hyra 1500 euro nga kompania “ERC Trade”.

Deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku, ka deklaruar se i ka 51% të aksioneve në kompaninë e sigurimeve “Sigkos”, aksione në instituticionin financiar jo bankar “Lesna” dhe më pak se 3%aksione në bankën sllovene “NLB”.

Deputeti i Koalicionit për Kosovën e Re, Muhamet Mustafa, ka deklaruar 9 % të aksioneve në Universitetin “Riinvest”, ndërsa deputeti i PDK-së, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar të ardhura në vlerë prej mbi 31 mijë euro nga biznesi “Er-Com” në Prishtinë. Deputeti tjetër i kësaj partie, Shaip Muja, i ka deklaruar se i posedon 50 për qind të aksioneve në ordinancën dermatologjike “Anaderm”, e cila i siguron të ardhura prej 5000 euro dhe 49 për qind të aksioneve në biznesin tjetër “Kosova Green Energy”.

Deputetja e LDK-së, Teuta Sahatçia, ka deklaruar 20 % të aksioneve në biznesin “Idea Communication” dhe 25 % të aksioneve në biznesin pasiv “IR-GROUP”.

Deputeti i “Listës Ibrahim Rugova”, Ukë Rugova, ka deklaruar 50 % të aksioneve të “Cafe ULIKSI”, ndërsa Xhavit Haliti i PDK-së ka deklaruar se i zotëron 50 % të aksioneve në “DBBH Kosova Clinic Management”.

Kryetarët biznesmenë

Kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, por edhe pesë kryetarë të tjerë të komunave të Kosovës, edhe më tej vazhdojnë të mbajë postin e kryetarve të komunave, por edhe pronarit të kompanive private, ku përmes tenderëve përfitojnë nga fondet publike.

Zyrtarisht kreu i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) se është aksionar me 250 mijë euro, apo 15 për qind, në kompaninë “Viva Frutta”, e njohur si fabrika për pjekjen e bananeve në Gjilan.

Në këtë kompani aksionar është edhe Mustafë Shala, pronar i kompanisë “Compact Group”, ku ky i fundit ka marrë tender miliona euro në ndërmarrjen publike “Termokos” në Prishtinë.

Po ashtu, kreu i komunës Mustafa ka deklaruar se është aksionar me 10 mijë euro, apo me 50 për qind edhe në kompaninë “Vision” në Gjilan.

Por, sipas burime të gazetës, kryetari Mustafa është aksionar edhe në një kompani që merret me tregtimin e vajrave, por ka aksione edhe në disa kompani tjera që figurojnë në emër të shokëve dhe miqve të tij.

Por, Mustafa nuk është i vetmi që njëkohësisht drejton komunën dhe biznesin e tij privat.

Edhe kryetari i Komunës së Therandës, Blerim Kuçi, është pronar i vetëm i kompanisë ndërtimore ”Hidro Term” në Therandë.

Kompania e Kuçit ka marrë tenderë miliona euro nëpër institucione të ndryshme edhe pas kohës, kur Kuçi ka marrë “timonin” e Komunës së Therandës.

I dhënë pas pushtetit dhe biznesit është edhe kreu i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

Kryetari Mustafa aktualisht është pronar me 6 për qind të aksioneve në Institutin e kërkimeve shkencore “Riinvest” në Prishtinë.

Ai po ashtu, në emër të djalit të tij Arben Mustafës, ka 49 për qind të aksioneve të kompaninë “Mak car LLC”.

Po ashtu, kryetari Mustafa në emër të djalit tjetër Besnik Mustafës, ka 1,6 për qind të aksioneve edhe në klubin e futbollit “Prishtina”.

Edhe kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se është pronar me 600 mijë euro, apo 50 për qind të aksioneve në ndërmarrjen shërbyese “Shqiponja”, ku sipas tij, pasuria figuron në emër të fëmijëve të tij.

Edhe Xhabir Zharku, kryetar i Komunës së Kaçanikut, krahas ushtrimit të funksionit të kryetarit të komunës merret edhe me biznesin e tij privat. Ai është aksionar me 50 për qind në kompaninë “N.P. X-Fort” në Kaçanik, kompani kjo e cila prodhon materiale ndërtimore.

Edhe kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova në AKK ka deklaruar së është aksionar me 100 mijë euro, apo me 15 për qind në kompaninë “MA.Con Sh.p.k”, me seli në Cerrcë të Istogut.

 

Nga, Lavdim Hamidi & Enis Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu