Ministri Tahiri në Tropojë: Të zbardhen krimet e vjetra

0
801

Inspektimi

“Dosja e Veselit dhe e Xhindit janë kompromentuar nga paraardhësit”

“Të hapen dosjet e vjetra dhe të zbardhen krimet në Tropojë”. Ky ka qenë mesazhi që Saimir Tahiri ka dhënë përballë efektivëve të Komisariatit të Bajram Currit, i cili është ministri i parë i Brendshëm që shkel këtë qytet gjatë dhjetë viteve të fundit. Pas vizitës në Tropojë, ministri Tahiri është ndalur në Kukës, ku ka folur për zhdukjen e Bleona Matës, vrasjen e Remzi Veselit në Has dhe vrasjen e deputetit Xhindi.

Tahiri, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, kanë diskutuar me drejtuesit e Komisariatit të Tropojës, për çështje delikate që kanë lidhje me rendin. Pasi është njohur me situatën, ministri ka kërkuar nga uniformat blu që të intensifikohet lufta ndaj kriminalitetit në të gjitha drejtimet. Një nga shqetësimet që Tahiri ka ngritur në takim ka qenë edhe rishikimi i shumë dosjeve të pazbardhura, të cilat kanë të bëjnë me krime të rënda në zonën e Tropojës. Ai ka kërkuar rihapjen e hetimeve, në mënyrë që të luftohet situata kriminale. Mësohet se Tahiri është ministri i parë që shkel në Tropojë, gjatë këtyre 10 viteve. Zona në fjalë njihet si mjaft problematike, për sa u përket vrasjeve të cilat kanë mbetur të pazbardhura. Pas kësaj kërkese, ministri ka diskutuar edhe në lidhje me klimën aktuale të rendit dhe sigurisë. Ai ka kërkuar që policia të punojë fort, për të forcuar luftën kundër krimit kufitar. Trafiku i armëve mbetet një shqetësim serioz në zonën e Tropojës dhe Tahiri kërkoi intensifikim të punës nga ana e policisë. Më pas, ai e kaloi problemin në luftën e trafikimit të lëndëve narkotike. Pasi shqyrtoi të gjitha problematikat dhe kërkoi që policia të jetë në këmbë, për të garantuar rendin, Tahiri premtoi se do t’i mbështesë edhe politikisht në çdo moment. Ai tha se do të investojë në sigurimin e mjeteve logjistike që do të ndihmojnë në luftën kundër krimit. Ministri është pyetur edhe për mungesën e oficerëve në Policinë e Tropojës, i cili ka thënë se, struktura e policisë mbetet në sfidën për rinovim dhe se ajo i është nënshtruar reformave të thella.

Takimin e radhës, Tahiri e ka bërë në Komisariatin e Kukësit, i cili ka diskutuar për çështje të shumta, që kanë lidhje me rendin dhe sigurinë. Ministri i Brendshëm tha përpara vartësve të tij, se tri ngjarje të rënda dhe mjaft të bujshme janë ende të pazbardhura, duke akuzuar qeverinë “Berisha” për komprometim të dosjeve hetimore. Gjatë fjalës së tij, Tahiri përmendi edhe rastin e zhdukjes së Bleona Matës, vogëlushes së zhdukur më 22 maj të vitit 2010, teksa kulloste bagëtitë në mal së bashku me 5 vajza të afërme të saj. Atë kohë, Bleona Mata ishte vetëm 6 vjeçe dhe zhdukja e vogëlushes mbetet një mister për autoritetet shqiptare. Prej më shumë se 4 vitesh, familjarët kërkojnë të miturën, por nuk kanë mundur që të sigurojnë asnjë gjurmë të vajzës. Pavarësisht situatës së rëndë dhe aspak pozitive, ministri i Brendshëm garantoi se hetimet nuk do të mbyllen, por policia është duke punuar me çështjen. Ai foli edhe për vrasjen e Remzi Veselit, ish-kreu i komunës Tërthore të Kukësit. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2010 dhe pas 4 vitesh, vrasja mbetet pa autor dhe pa motiv. Të njëjtin fat ka pasur edhe vrasja e ish-deputetit socialist, Fatmir Xhindi në Roskovec. Për të dyja këto ngjarje, Tahiri tha se provat janë kompromentuar nga qeveria “Berisha” dhe si pasojë e kësaj, ato nuk janë zbardhur, ndonëse garanton se hetimet po vijojnë. Ndër të tjera, ministri foli edhe për arrestimet djeshme në lidhje me punonjësit e policisë, të cilët ishin përfshirë në një grup kriminal. “Sfida për siguri nuk përballohet vetëm nga Policia e Shtetit, por edhe nga institucionet dhe qytetarët. Sot (dje) u godit një grup kriminal, i lidhur me trafikun e drogës. Dhe kështu do të vazhdohet, që kriminaliteti të luftohet së bashku me qytetarët. Tani, strukturat e Policisë së Shtetit mbeten në sfidën për reformë”, tha Tahiri, në fund të fjalimit. Në kuadër të takimeve të djeshme, ministri Tahiri zhvilloi edhe një vizitë në Drejtorinë e Policisë së Lezhës. Takimi i ministrit u përqendrua tek strukturat e policisë së këtij qyteti.

 

Bajram-Curri

Protesta nga ish-policët, u shkarkuan në kohën e Berishës

Vizita e ministrit Tahiri në Tropojë është pritur me protesta nga disa punonjës policie të shkarkuar nga detyra, të cilët kanë kërkuar takim me të për rikthim në detyrat e mëparshme. Kjo është mësuar nga burime të besueshme pranë këtij komisariati, megjithëse vetë Tahiri e ka mohuar diçka të tillë gjatë prononcimit në media, duke u shprehur se informacioni i marrë nuk ishte plotësisht i saktë. Sipas të dhënave nga Komisariati i Tropojës, policët protestues ishin shkarkuar nga detyra dhe janë larguar nga policia që në kohën e qeverisë “Berisha”, por kanë shprehur indinjatën për mosafrimin e tyre edhe gjatë qeverisjes socialiste. Ish-punonjësit e policisë janë shprehur se kanë bërë kërkesë për rikthim në detyrë, por dosjet e tyre kanë zënë pluhur në sirtarët e drejtuesve të policisë dhe se askush nuk kujtohet për ta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu