Ministria devijon rrugën në të cilën banorët investuan dhjetë vjet

0
1030

Fshati Lipe

Ndryshohet vija për interesa të ngushta të disa personave

Ka kohë që flitet për një rrugë tjetër alternative nga fshati Novosellë drejt Lipës dhe të anashkalohet rruga për të cilën ne më shumë se dhjetë vjet derdhëm mund dhe para. Nëse kjo ndodh, ne do ta kundërshtojmë fort këtë projekt, ngase nuk është në interes të lipasve, por në interes të dikujt tjetër, që i shkon për shtati një grupi të vogël individësh“, thotë Hyseni

Ka vite që banorëve të Lipës u është premtuar rruga e re, por ky projekt ende mbetet i parealizuar. Edhe gatishmëria e Qeverisë për të ndihmuar këtë projekt po shihet me dyshim.

Lipasit për më shumë se dhjetë vjet mposhtën të gjitha barrierat për të bërë realitet ndërtimin e 19 kilometrave rrugë deri në bjeshkën e Shtedimit. Deri më tani janë shpenzuar 185 mijë euro, nga të cilat Komuna ka ndihmuar me 80 mijë euro, komuniteti i Lipës dhe ai i fshatrave përreth  kanë grumbulluar bashkërisht 80 mijë euro dhe me 25 mijë euro ka ndihmuar Ministria e Bujqësisë. Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Infrastrukturës ka zotuar edhe 100 mijë euro për rrugën e fshatit që i ka gëzuar lipasit, por edhe ka hapur dilema para tyre.

Këtë dilemë e ka edhe Ramë Hyseni, kryetar i Bashkësisë Territoriale të Brestovikut, ku graviton edhe fshati Lipë.

Komuna nuk di se nga do të kalojë rruga

„Rruga në drejtim të Rozhajës në fshatin Vitomiricë lidh fshatin Lipë dhe bjeshkën e Shtedimit në një lartësi mbidetare prej 1900 metrave“, thotë banori Rexhep Hasani, i cili ishte iniciator për ndërtimin e rrugës nga fshati Brestovik deri në Lipë, në një gjatësi prej 16 km, e prej andej drejt bjeshkëve të Shtedimit në gjatësi 3 km.

Banorët pohojnë se në vitin 2002 ia filluan punës për ndërtimin e rrugës për Lipë dhe me mjetet e tyre nga vetëkontributi ndërtuan 4-5 km e para si dhe vazhduan të ndërtojnë kilometrat e tjerë në vitin 2003, për çfarë kishin shpenzuar 30 mijë euro të tubuara nga bashkëfshatarët dhe 20 mijë euro të tjera të premtuara nga Komuna. Por, ishin dashur tetë vjet që të realizohet borxhi i premtuar i pushtetit të atëhershëm komunal. Kështu, në vitin 2009-2010 u la borxhi dhe vazhdoi puna në kilometrat e tjerë të kësaj rruge deri te pjesa më e vështirë që u realizua viteve në vijim. Ramë Hyseni thotë se janë ndërtuar edhe tre kilometra të tjera të kësaj rruge nga drejtimi i kundërt nga bjeshka e Shtedimit për në Lipë dhe tani ka ngelur edhe një kilometër rrugë që kjo rrugë të bashkohet dhe të arrijë gjatësinë prej 19 kilometrave nga fillimi drejt Lipës e nga andej për në bjeshkët e Shtedimit. Janë këto bjeshkë ku me bagëtitë e tyre dalin edhe barinjtë e fshatrave Loxhë, Raushiq, Gllogjan i Deçanit, Gllaviçicë dhe Leshan i Pejës. Ky mjedis ka peizazhe të mrekullueshme me mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu