Ministria e Mujotës keqpërdor 300 mijë euro

0
1086

Fryrje të çmimeve dhe ndryshime të shumave nga një dokument në tjetrin, dëmtim për qindra mijëra euro i buxhetit të vendit, dhe dhënie të tenderëve për kompani të caktuara në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Kjo është “pasqyra” e tenderit të fundit të Ministrisë së Infrastrukturës, që ka të bëjë me mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe regjionale të Kosovës gjatë sezonit veror dhe atij dimëror për vitin 2013/14.

Bazuar në dosjen me dokumente që ka siguruar “Zëri”, zyrtarët e ministrisë së Fehmi Mujotës kanë bërë shumë “gabime”, nga të cilat buxheti i vendit ka humbur qindra mijëra euro më shumë sesa ajo që është prezantuar në hapje të dosjeve për tenderin në fjalë.

Ndërkaq, organet kompetente, përkatësisht Organi Shqyrtues i Prokurimit, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta anuluar këtë tender, pavarësisht se bëhet fjalë për “prapaskena” të shumta dhe dëmtim të arkës së shtetit.

Tenderi për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe regjionale, që është hapur me nëntë lote (nëntë kategori të ndara nga njëra tjetra), pothuajse në secilën prej tyre ka parregullsi të mëdha.

Shumat nuk përputhen

Rastet më evidente janë ato kur shuma e prezantuar në hapje të ofertave, e cila merret si bazë për t’ia dhënë tenderin një kompanie të caktuar, gjegjësisht mbi bazën e të cilës kompanitë e caktuara kanë fituar pjesë (lote) nga tenderi, nuk korrespondon me shumën e cekur në dokumentet tjera.

Ekzistojnë dallime të mëdha në mes të procesverbalit të hapjes së ofertave, të datës 12.07.2013, dhe të dhënave te njoftimi për dhënie të kontratës, që mban numrin e prokurimit 13041211.

Në procesverbalin e hapjes së ofertave, një kopje të së cilit e ka siguruar “Zëri”, shihet se kompania “Arbotec”, që ka fituar tenderin për lotin “Prishtina A”, këtë e ka bërë me çmim 1.298.973 euro, ndërkaq, tjetër çmim figuron shpallja e fituesit. Në njoftimin për dhënie të kontratës figuron se kjo kompani e ka fituar tenderin me çmim prej 1.140.633 euro.

Nga ky ndryshim i “shumës zyrtare”, del se vetëm lot-i “Prishtina A” Ministrisë së Infrastrukturës i ka kushtuar 158.740 euro më shumë sesa që e ka prezantuar para opinionit.

Krejtësisht njësoj “është gabuar” edhe në rastin e kompanisë që e ka fituar lotin për rrugët e Ferizajt. Në fakt, janë katër kompani “Damastion-Eurokos-Urban-Unicom”, që së bashku e kanë fituar tenderin me çmim 1.180.041 euro.

Por, kjo shumë më pas është fryrë për 117.450 euro. Në njoftimin për dhënie të kontratës figuron se konsorciumi në fjalë e ka fituar tenderin me çmim 1.297.491 euro. Vetëm fryrja e çmimeve të këtyre dy loteve në Prishtinë dhe Ferizaj e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për rreth 300 mijë euro.

“Gabim” është bërë edhe tek lot-i në “Prizren”.

Në mesin e dy kompanive konkurruese, kompania “Drini” kishte dalë më e shtrenjtë sesa ajo “Famis”, madje për 584 euro. Kjo ishte parë në hapje të ofertave, dhe si e tillë ishte regjistruar në procesverbal, ndërkaq, më pas ajo është ndryshuar, duke u zbritur dhe duke ia mundësuar kompanisë “Drini” që ta fitojë tenderin.

Si përfundim, kompanisë “Drini” pasi i zbritet çmimi prej 4930 eurove, më pas shpallet fituese (në njoftimin për dhënie të kontratës) me “çmim të ri”, gjegjësisht me 894.373 euro.

Dallaveret “me kamionë”

Ndryshimi i çmimeve, përkatësisht, fryrja e tyre, dhe shpallja e fituesve me çmime tjera nga ato të prezantuar në hapje të ofertave nuk është “gabimi” i vetëm që është bërë në tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve.

Në dosje të tenderit, në mes të specifikave tjera, është paraparë se sa kamion duhet t’i ketë kompania para se të konkurrojë për një regjion, gjegjësisht lote.

Për regjionin “Prishtina B” Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar që kompania fituese t’i ketë 4 kamion. Këtë kriter e ka përmbushur kompania “Integral”, e cila e ka fituar çmimin me vlerën prej 948.374 euro.

Me të njëjtin kriter, pra me posedim të katër kamionëve, kompania “Jasen” e ka fituar tenderin për regjionin “Mitrovica B” me çmim prej 698.591, gjerësisht 249.783 euro më shtrenjtë sesa kompania “Integral”.

Përveç kësaj, kompania “Jasen” e ka fituar tenderin për loton “Mitrovica B”, kundrejt konkurrentit, konsorciumit “Malsia-Albshpresa”, pavarësisht se ky koncorsium ishte më i lirë për 10.970 euro.

Edhe më keq është vepruar në raport me regjionin e Pejës. Për mirëmbajtjen e rrugëve të këtij regjioni, Ministria e Infrastrukturës ia ka dhënë tenderin kompanisë “Graniti” me vlerë prej 598.178 eurove, pavarësisht se ajo ka qenë e vetmja që ka konkurruar.

Anulohet tenderi për Gjilan e Mitrovicë!

Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës e kanë anuluar tenderin për dy lote, përkatësisht për rrugët që janë paraparë të mirëmbahen në regjionin e Gjilanit, dhe ato që i takojnë “Mitrovicës A”.

Në të dy rastet, sipas burimeve të gazetës, anulimi është bërë ngase kompanitë e preferuara nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës nuk kanë arritur t’i fitojnë tenderët.

 

Nga: Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu