“Mish -mashi” me rikonstruimin në BDI

0
581

Shkup, 15 shkurt – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) hëpërhë caktoi disa emra për  rikonstruimin e shumëpërfolur, por që presin zyrtarizimin nga Kryesia. Ndryshime që shumëkë nuk la gojëhapur. Në skenë sërish fytyra të vjetra dhe të njohur për opinionin.

Kështu, në vend të Teuta Arifit tani zv/kryeministër për çështje evropiane bëhet Fatmir Besimi, në vend të Nevzat Bejtës shkon zv/ministri aktual i Transportit dhe Lidhjeve Tahir Hani, ndërsa zv/ministri aktual i policisë Xhelal Bajrami zë kolltukun e njeriut të dytë në MTL, derisa në vend të Bajramit shkon Zemri Qamili. Deputeti Talat Xhaferi bëhet ministër i Mbrojtjes, ndërsa në vend të Nedim Ramizit, zv/ministrit të deritanishëm të Financave shkon kuadri nga Kërçova Ardian Xheladini.

Këto emra, duam apo s’duam ne mediat kanë shkaktuar “hallakamë” dhe çarje brenda BDI-së, pasi së pari u përmendën edhe emra tjerë, ish komandantë, deputetë por që ndodhi që ata të mos e gjejnë veten në këtë mozaik. Dhe, ja ndodhë që dikush t’i kalojë bile dy tre ministri, si që është puna e Fatmir Besimit. Se disa prej tyre ai i plotësojnë kriteret për nga profesioni, fare pak është e rëndësishme. Se këta figura a kanë pasur sukses në postet që kanë ushtruar deri më tani, realizimin e programës dhe projekteve, edhe kjo nuk është e rëndësishme.

Me rëndësi është posti dhe kolltuku, sidomos në këtë mjegull parazgjedhore. Pyetja deri te BDI dhe Ali Ahmeti është se çfarë ndodhi me Hazbi Likën që ishte në kombinim për postin e Pushtetit lokal, ndërsa nuk iu dha hapësirë për të garuar në komunën e Tetovës? Kandidaturën e tij BDI-së po ia konteston VMRO-DPMNE-ja vetëm pse ka qenë komandant, kur mirëfilli dihen sukseset e tij gjatë qeverisjes lokale në Tetovë. A nuk ndodhet në nivel të njëjtë edhe Talat Xhaferi, alias komandant Forina i cili tani zë postin e njeriut të dytë në Mbrojtje dhe çfarë reperkusione do kishte emri i tij te Gruevski kur ai ka qenë më i zëshëm kundër ligjit të “branitellave”…?

Nga doli që Tahir Hani të “shpërblehet” përsëri kur ai dështoi me realizimin e projektit të autostradës Shkup-Prishtinë? Pastaj ku e latë Ramiz Merkon të cilit ia “rrëmbyet” rikandidimin e sërishëm postin e kryetarit të Strugës duke i premtuar një post drejtori diku në një skutë të qeverisë? A nuk u tha se deputetët nuk guxojnë të bëhen ministra dhe se radha është e tjerëve? Pyetja tjetër është se çfarë ndodhë me Ermira Mehmetin e cila njëjtë kishte ambicie për zv/kryeministre për çështje evropiane por që ajo të kënaqet vetëm me postin e deputetes, (fundja të mos bëhet as edhe koordinatore e grupit parlamentar në BDI, ndërsa për këtë post tani përmendet Nexhati Jakupi)?

Por në kërkesën e “Zhurnal” që të komentojë lidhur me këtë, deputetja Mehmeti tani i ka dalë krah partisë duke thënë se nuk ndjehet e anashkaluar dhe se pretendimet për gjoja postin e zv/kryeministres për integrime kanë qene spekulime. 

BDI nga gjithë ajo parti me nam dhe me 120 mijë elektorat nuk paska figura të tjera apo gjak të ri për këto poste dhe shansi çdoherë t’u jepet fytyrave të vjetra, duke i hedhur herë këndej e herë andej. Mjerë partia… Neve na mbetet të shikojmë se çfarë do të na përgatisin në BDI ditëve në vijim, ndërsa nuk zbardhen ende emrat e bartësve të listave për këshilltarë kur pritet ndoshta edhe një përplasje brenda integristëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu