Misionet sekrete në Iran ?!

0
848

Operacionet luftarake janë në zhvillim e sipër në terren. Eliminime të heshtura, shpërthime në objektet bërthamore, viruse informatike, a janë këto të gjitha vepra të agjentëve fshehtë të Izraelit? Bota në pritje të konfliktit të vërtetë.

Mohamed Ali Jafari, komandanti i Gardës Revolucionare iraniane, u dha urdhër njerëzve të tij në fillim të dhjetorit: “Të rritet niveli i gatishmërisë”. Mobilizimi ndaj ndonjë sulmi të mundshëm raketor izraelit e amerikan është fakt i kryer. Bateri artilerish dhe njësi gardistësh të shpërndara në terren, në pikat strategjike të vendit, raketa me rreze të gjatë të montuara gati në shtretërit lëshues, objektet bërthamore (në të cilat dyshohet se regjimi i ajatollahëve po përgatit bombën bërthamore), nën vëzhgim të rreptë. Nuk mund të thuash as se kjo është një përgatitje për luftë.

Sepse një luftë, ajo që ekspertët e quajnë “luftë sabotazhi”, po zhvillohet që disa muaj. Dhe shërbimet sekrete janë të angazhuara në mënyrë aktive, një sektor ky ku Izraeli shkëlqen.

Duke mos mundur të sulmojnë, të paktën jo tani për tani, autoritetet e Jerusalemit tentojnë të ngadalësojnë progresin e Teheranit drejt bombës së frikshme, e cila sipas parashikimeve pesimiste mund të ndërtohet brenda vitit 2012, ose deri në vitin 2014, sipas optimistëve. Ndërkohë që Perëndimi po studion sanksionet që me kalimin e viteve janë bërë më të rrepta, por pa qenë efikase, shteti hebraik është futur në veprim që tani, me ndihmën e ushtarëve të vet më të mirë: Janë kryer vrasje të shënjestruara të shkencëtarëve bërthamorë persianë (të paktën katër) dhe vetë shefi i Organizatës për Energjinë Bërthamore, Ferejdon Abazi-Davani, 53 vjeç, është plagosur rëndë. Kanë ndodhur një seri shpërthimesh “misterioze” nëpër kazerma dhe objekte bërthamore. Ja një sy rekapitullim i shpejtë vetëm për muajt e fundit: Dy shpërthime në qytetin strategjik të Isfahanit, një në bazën e Gardës Revolucionare në periferi të kryeqytetit (me 30 të vrarë, përfshi gjeneralin Hasan Moghadam). Për të mos folur për virusin informatik “Stuxnet”, që ka infektuar 30 mijë kompjuterë iranianë, përfshirë ato të centraleve bërthamore. A është gjithë kjo një vepër e agjentëve të fshehtë? Në mos gjithçka, një pjesë e mirë padyshim. Mund të ketë ndodhur në ndonjë rast, që nxitimi për të prodhuar bombën i ka shtyrë shkencëtarët drejt gabimeve që përkthehen në incidente. Por shpeshtësia e këtyre ngjarjeve nuk mund t’i vishet më rastësisë. Për më tepër që disa burime ushtarake në Tel Aviv, kanë konfirmuar: “Shpërthimi i fundit në Isfahan nuk ishte aksidental”. Gjenerali Giora Eiland, drejtor i Sigurisë Kombëtare, pohoi me gjëegjëzë: “Nuk mund të ketë kaq shumë rastësi së bashku dhe kur ngjarjet pasojnë njëra-tjetrën, me gjasë është një dorë që i drejton; nganjëherë edhe dora e Zotit”.

Edhe më i drejtpërdrejtë në frazën e vet gjysme dykuptimëshe, është ministri i Informacionit të Tel Avivit, Dan Meridor: “Ka vende që vendosin sanksione dhe ka të tjera që veprojnë në mënyrë të ndryshme, për të parandaluar programin bërthamor iranian”.

Duket gati si një pohim direkt. Por të befason nga ana tjetër heshtja e Teheranit, i cili në të kaluarën ka qenë gjithnjë i gatshëm për të denoncuar komplotet. Pushteti po i mohon faktet dhe kur guvernatori i Isfahanit, Alireza Zaker-Isfahani, pranoi “se një shpërthim ka ndodhur gjatë një stërvitjeje”, ai u përgënjeshtrua nga autoritetet qendrore. Është e natyrshme të kërkosh shpjegimin e një sjelljeje të tillë. Dhe përgjigja nuk mund të fshihet gjetiu, veçse në nevojën e uljes së toneve, për të pasur kohë për të punuar për projektin. Ajatollahët, me udhëheqësin suprem Ali Khamenei në krye, përveç presidentit Ahmadinejad, tani i druhen një izolimi total pas krizës së ambasadave. Nga ana tjetër, kanë para së gjithash nevojë për të fituar kohë për kompletimin e prodhimit të bombës. Prandaj dhe sinjalet që i lëshojnë Perëndimit, kryesisht kanë të bëjnë me portofolin. Ja ç’paralajmëron kreu i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Arsalan Athipur: “Kujdes, nëse do të vendosni sanksione mbi naftën iraniane, çmimi i një fuçie naftë do ta kalojë 250 dollarë”. Një skenar rrëqethës ky, për një ekonomi globale në depresion.

Tani po thirret në skenë një krizë nafte dhe paralajmërimi vlen edhe për të ardhmen, duke pasur parasysh hipotezën aspak të pabesueshme, se në pranverën që vjen mund të kalohet nga lufta klandestine në luftën e vërtetë. Planet janë gati prej kohësh (që prej mesit të viteve 90-ta, sipas disave, kur Irani shpalosi ambiciet bërthamore). Lajmi i ri është se tani kemi hyrë vërtet në një fazë përgatitore: Planet përditësohen çdo 36 orë dhe makineria ushtarake është përgatitur deri në pikën, që pritet vetëm një urdhër i kryeministrit Netanyahu për ta vënë në lëvizje. Komandanti tashmë në pension, Zeev Raz, që udhëhoqi sulmin kundër reaktorit të Saddam Husseinit, është i sigurt: “Aviacioni është gati për çdo skenar”.

Pra edhe për skenarin iranian, i cili vështirësohet për shkak të numrit të shënjestrave për t’u goditur (mbi dhjetë objekte bërthamore). Pilotët janë stërvitur në qiejt e Sardenjës, Hungarisë dhe Rumanisë, me distanca të ngjashme me ato që u duhet të mbulojnë gjatë aksionit. Ato do të nisen nga baza e Ramat Davidit, pranë Megjidit; do të mbështeten nga deti prej dy nëndetëseve, njëra syresh që ka mbërritur ndërkohë në Gjirin Persik dhe tjetra në ujërat miqësore pranë portit të Haifas. Pastaj janë njësitë e shpëtimit në tokë, të stërvitura për të punuar pas vijave armike, në rast se ndonjë F16 rrëzohet dhe atyre u duhet të shpëtojnë njerëzit në terren armiqësor.

Por edhe Teherani ka bërë përparime nga ana e tij, duke zotëruar raketa Shihab 3, të afta për të goditur Izraelin, sipas ish-shefit të shtatmadhorisë izraelite, Gabi Ashkenazi, në vetëm 12 minuta.

A mund të shmanget e gjitha kjo? Dritarja është shumë e ngushtë. Sipas Eli Karmonit, ndër ekspertët kryesorë botëror të terrorizmit dhe studiues në qendrën Herzlija, duhen llogaritur këto rrethana favorizuese: “Nëse Bashar Assad bie nga pushteti në Siri, do të gjallërohen edhe revoltat në Iran, që mund t’i përmbysin ajatollahët. Ndryshimi i regjimit do ta evitonte konfliktin”.

Dhe ky skenar do të ishte shumë i mirëpritur, sipas tij, sepse rrethanat politike sot në botë janë shumë të këqija.

Në rast lufte, në Jerusalem druhen se mund të bien nën rrezen e zjarrit të përbashkët të Iranit, Hamasit nga Gaza dhe Hezbollahut të Libanit. Nuk është rastësi që të martën e 6 dhjetorit, u bë i gjallë pas gati pesë vitesh pa dalë në publik, sheiku Hasan Nasrallah. Dhe çfarë tha ai? “Jemi gati për një tjetër luftë me Izraelin”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu