Misioni i PDK-së, kontrabandimi i deputetëve

0
1147
Hashim Thaqi duke spjeguar krijimin e Qeveris
Hashim Thaqi duke spjeguar krijimin e Qeveris

Hashim Thaçit për herë të parë duket se është “zënë ngushtë” në përpjekjet e tij për formimin e qeverinë së re, edhe pse “gjarpri”, sipas analistëve politikë, nuk do të lërë gur pa lëvizur për t’i bërë 61 vota në Kuvendin e ardhshëm. Ai do t’i përdorë të gjitha kartat e mundshme, pa përjashtuar konsultimin e deputeteve veç e veç në mënyrë që t’i kontrabandojë nga partitë tjera të bllokut në PDK.

Madje, pas qëndrimit të fundit të katër subjekteve politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes “Vetëvendosje”, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën që të mos i përgjigjen ftesës së partisë së Hashim Thaçit për konsulta rreth krijimit të qeverisë, disa zyrtarë të partisë së Thaçit, kanë filluar t’i piketojnë disa ligjvënës të luhatshëm brenda bllokut. Edhe pse, sipas analistëve, kontrabandimi do të jetë i vështirë, megjithatë ata thonë se Thaçi do të bëjë përpjekje.

Analisti Halil Matoshi nuk e përjashton mundësinë që Hashim Thaçi të ketë tendenca që fundi i fundit të bëjë edhe “kontrabandimin” e disa deputetëve. “Thaçi bashkë me PDK-në do të provojnë gjithçka, e do të rrotullojnë secilin gur veç e veç që t’i gjejnë 4-5 vetë që do t’i bashkëngjiteshin PDK-së për ta krijuar qeverinë.

Por, në momentumin e krijuar pas qëndrimit të katër subjekteve politike që të mos i përgjigjen ftesës as për konsulta, atëherë edhe “kontrabanimi” është i pamundur, ose do të duhej që dikush nga deputetët të jetë çmendurisht i guximshëm për t’iu bashkangjitur në këtë situatë Thaçit për ta krijuar qeverinë”, ka thënë ai. Sipas analistit Matoshi, të gjitha kartat e Hashim Thaçit, i cili po synon që me çdo kusht ta formojë qeverinë, do t’i dështojnë.

“Kësaj here koalicioni i madh do t’ia arrijë që ta formojë qeverinë, pasi që partitë politike që kanë nënshkruar marrëveshje i kanë numrat dhe presidentja herën e dytë sigurisht se do ta mandatojë Ramush Haradinajn për kryeministër”, ka thënë ai.

Lobimi i Thaçit kundër Haradinajt

Ndërkaq, edhe njohësi i zhvillimeve politike, Shpend Kursani, thotë se janë disa mundësi që PDK-ja do t’i përdorë, me gjithë gjasat e vogla që i ka për t’u futur në qeveri.

“Hapi i parë që do të bëjë PDK-ja është që të bëjë presion te komunitetet për të mos e përkrahur kandidaturën e Ramush Haradinajt për kryeministër, derisa pista e dytë që do të punojë PDK-ja është se do të bëjë identifikimin e atyre deputetëve të bllokut opozitar, sidomos brenda LDK-së, ku edhe disa kanë shfaqur pakënaqësi me propozimin e Ramush Haradianjt për kryeministër dhe në një farë mënyre që të bëjë “kontrabandimin”, për t’i bindur që të mos e votojnë Ramush Haradinajn”, ka thënë ai.

Sipas tij, Hashim Thaçi është i interesuar që pas dështimit të tij, të dështojë votimi edhe për Ramush Haradinajn dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Por, në anën tjetër janë partitë politike të bllokut opozitar si nënshkruese të marrëveshjet, të cilat hedhin poshtë çdo mundësi që deputetët e tyre të mundë të “kontrabandohen”.

Lutfi Haziri i LDK-së në mënyrë të prerë ka thënë se deputetët e partisë së tij nuk do të pranojnë që të hyjnë në konsulta apo pazare me PDK-në e Thaçit.

Madje, sipas tij, kjo është një çështje e mbyllur dhe nuk do të ketë “kontrabandimin” të deputetëve të LDK-së në PDK. “Jo, jo nuk ka shans që diçka e tillë të ndodhë. Për këtë çështje as që bëhet fjalë që të ketë konsulta veç e veç të deputetëve të LDK-së”, ka thënë Haziri përmes telefonit.

Gashi askush nuk e do PDK-në

Edhe Arben Gashi i LDK-së, i cili pati shfaqur pakënaqësinë e tij pse LDK-ja ia ka ofruar AAK-së pozitën e kryeministrit, Ramush Haradinajt, ka mohuar të jetë kontaktuar nga njerëzit e Thaçit me qëllim që të përkrahë votimin e Qeverinë “Thaçi 3”. “Jo, personalisht nuk kam pasur asnjë ofertë nga PDK-ja dhe në këtë drejtim përkrah vendimet e marra nga organet e partisë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, në një postim në rrjetin social “Facebook”, ai ka dhënë edhe disa nga arsyet se pse LDK-ja nuk bëhet me Thaçin. Sipas Gashit, “Thaçi është thjesht armik i të gjithëve, jo se të tjerët duhen mes vete”. Ai ka përmendur disa nga arsyet se pse subjektet politike si nënshkruese të marrëveshjes nuk dëshirojnë në hyjnë në marrëveshje me Thaçin.

“Pse askush nuk do marrëveshje me Thaçin? Sepse të gjithë i ka gënjyer. E ka gënjyer LDK-në për çështjen e presidentit dhe të zgjedhjeve, e ka gënjyer AAK-në për çështjen e kryeministrit, e ka gënjyer Nismën për çështjen e Limajt si dhe e ka gënjyer “Vetëvendosjen” për çështjen e decentralizimit dhe të negociatave”, ka thënë Gashi.

E në anën tjetër, zyrtarë nga PDK-ja thonë se janë të interesuar që të krijojnë partneritet me subjektet tjera politike dhe në këtë drejtim të krijohet një qeveri e fortë dhe stabile dhe jo të bëjë “kontrabandim” të deputetëve për një qeveri të brishtë, e cila nuk mund të mbijetonte gjatë.

Nga: Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu