Mitrovica e Jugut dhe ajo e Veriut do të ndahen shumë shpejt

0
736

Mitrovica

Përcaktimi i kufirit administrativ në mes të dy komunave të Mitrovicës, asaj jugore dhe veriore, do të përfundojë së shpejti.

Edhe pse për këtë çështje ka mospajtime mes zyrtarëve serbë të Mitrovicës së veriut dhe institucioneve të Kosovës, sipas zëvendësministrit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, nënshkrimi i marrëveshjes që përcakton kufirin administrativ për komunat e Mitrovicës do të ndodhë së shpejti.

Ai për lajmi.net nuk ka përmendur ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë, por është shprehur se janë bërë të gjitha përgatitjet për nënshkrimin e kësaj marrëveshja nga dy kryetare e komunave Agim Bahtiri dhe Goran Rakiq.

Kurse, sa i përket çështjes së ku do të caktohet kufiri administrativ mes Mitrovicës së jugut dhe veriut, Gecaj tha se kjo çështje është e përcaktuar me Pakon e Ahtisarit (dokument ky në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, në vitin 2008).

“Kufiri i administrativ mes dy komunave do të caktohet në bazë të Pakos së Ahtisaarit dhe ligjit për kufijtë administrativë. I kemi hartat origjinale të Pakos së Ahtisaarit dhe ai kufi do të përcaktohet në bazë të atyre hartave. Pra, nuk do të ketë lëvizje nga ato harta”, ka thënë Gecaj të shtunën për lajmi.net.

Për një përcaktim të tillë të kufijve është shprehur edhe kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtri. Ai në disa deklarata publike të bëra më herët është shprehur i gatshëm për nënshkrimin e marrëveshjes për përcaktimin kufirit administrativ, por ka këmbëngulur që kjo gjë do të bëhet vetëm në bazë të Pakos së Ahtisaarit.

Sipas tij, kërkesat për të dal mbi Pakon e Ahtisaarit për këtë çështje janë të papranueshme dhe nuk do të lejohen.

Bahtiri ka sqaruar se kufiri administrativ i komunës së Mitrovicës së jugut, bazuar në hartën që del nga dokumenti i Marti Ahtisaarit përfshinë brenda edhe lagjen Suhodoll, e cila ndodhet në anën veriore të lumit Ibër.

Një qëndrim të njëjtë ka edhe ministria për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri. Ajo ka thënë se kufiri administrativ mes dy komunave është i përcaktuar me Ligjin për vijat administrative të komunave të Republikës së Kosovës si dhe Planin e Ahtisarit dhe kjo vijë kufitare në mes të dy komunave është mbi lumin Ibër.

Por, qëndrim krejt ndryshe nga zyrtarët institucional të Kosovës, sa i përket kufirit administrativ mes dy komunave ka Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut.

Ai thotë se thotë tashmë ekzistojnë dy harta valide, të vulosura, të dala nga Agjencia e Kadastrës në Prishtinë, dhe në njërën hartë, Suhodolli i takon komunës së Mitrovicës jugore, e në tjetrën i takon komunës së Mitrovicës së veriut.
Rakiq po ashtu thotë se hartat në të cilat thirret Qeveria e Kosovës është e pa vulosur dhe nuk ka nënshkrim zyrtarë./lajmi.net/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu