Mitrovicë: Dominon kontrolli i kriminelëve serbë

0
761

Mitrovicë – Raportohet gjendje e tensionuar në veri të Kosovës. Një barrikadë tjetër është ngritur në dalje të Koshtovës, në rrugën drejt Bërrnjakës.

Bashkëpunëtorët e portalit në terren, kanë raportuar se, përjashtuar dy pikat kufitare 1 dhe 31 dhe pikë-kontrollet, veriu i Kosovës është tërësisht nën kontrollin e strukturave kriminale dhe paralele serbe.

Ndërkohë, edhe sot ndërrimet e policëve dhe të doganierëve në dy pikat kufitare janë bërë sipas planit por duke u bartur me Helikopter të NATO-s.

Raportohet se situatë më e rëndë dhe njerëz të armatosur më së shumti vërehen në pjesën e Zubin-Potokut. Atje mbrëmë janë parë njerëz të uniformuar, me uniforma ngjyrë të kaltër të mbylltë, ndërsa rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, sipas burimeve të portalit, ekstremistët serbë i kanë fokusuar me snajperë gazetarin e KTV-së, Shkëlqim Hysenaj dhe një fotoreporter ndërkombëtar. Ata jënë shpëtuar falë ndihmës së pjesëtarëve të KFOR-it.

Ndërkaq, Komuna e Mitrovicës ka ndarë miell, vaj dhe ndihma të tjera ushqimore për banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës. Bëhet e ditur se në ditët në vijim ndihma do të ketë edhe për shqiptarët e fshatrave në Komunën e Zveqanit.

Në veriun e Kosovës, të gjitha rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara nga barrikadat serbe, të përforcuara dhe disa arrijnë deri mbi pesë metra.

Dy vendkalimet kufitare veriore, Bërnjak dhe Jarinjë, ku prej tre ditësh janë të vendosura autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare, të cilat shkojnë atje me helikopterë, mbahen të mbyllura, pa lëvizje të automjeteve as këmbësorëve.

Gjatë natës së kaluar ka pasur të shtëna armësh në disa lokalitete, ndërsa në vendbanimet me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës si dhe në urën kryesore mbi lumin Ibër që e ndanë veriun e jugun e qytetit, janë shtuar masat e sigurisë.

Gjatë natës së kaluar para hyrjes së gjykatës në veri të Mitrovicës KFOR-i ka vendosur një transporter të blinduar.

I ashtuquajturi sekretar shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar me ironi se Kosova bëhet temë në Serbi, vetëm kur në Serbi ka zgjedhje.

Deklarata e Ivanoviqit vjen pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës dhe rikthimit të policisë dhe doganierëve të Kosovës në pikat kufitare në veri të vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu