MMPH dha 1.5 milion €, s’u ftua në përurim

0
682

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH) thotë se ka bashkëfinancuar ndërtimin e “Rrugës B” në kryeqytet, porse asnjë zyrtar i saj nuk është ftuar në përurimin e organizuar nga Komuna e Prishtinës.

Nëpërmes një komunikate shtypi, MMPH ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të KK të Prishtinës, Isa Mustafa, i cili në ceremoninë e përurimit të kësaj rruge, më 5 qershor 2011, deklaroi para gazetarëve se MMPH ka qenë e ftuar në prerjen e shiritit përurues, por s’kanë ardhur. Përveç kësaj, Ministria, sipas tij, ka hequr dorë nga investimet e mëtutjeshme.

“MMPH duke demantuar deklaratën e z. Isa Mustafa, njofton opinionin se përkundër bashkinvestimit në këtë projekt me 1 milion e 470 mijë euro, nuk ka qenë e ftuar në këtë ceremoni dhe njëherit ka përmbushur të gjitha obligimet sipas Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar më 29 korrik 2009 në mes të MMPH-së dhe Komunës së Prishtinës”, thuhet në komunikatën shpërndarë medieve.

MMPH shpreh shqetësimin për deklaratat “e papërgjegjshme” të kryetarit Mustafa.

Shtrembërimi i së vërtetës nga z. Mustafa mund të krijojë një atmosferë të keqe, e cila aspak nuk i kontribuon bashkëpunimit mes institucioneve qendrore me ato të nivelit lokal e aq më pak qytetarëve të kryeqytetit, thekson MMPH.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu