Moikom Zeqo: Dëshmorët ofendohen pas vdekjes

0
677

Fatmira Nikolli

Sot Shqipëria kujton Ditën e dëshmorëve, 5 Majin. E ven dosur si datë përkujtimore në 5 majin e vitit 1945, ajo fillimisht përkujtoi vrasjen e Qemal Stafës, më 5 maj të vitit 1942. Prej 1945-ës, shteti shqiptar, pavarësisht nga shtetarët e drejtuesit që e kanë udhëhequr, e kanë përkujtuar këtë ditë duke bërë vizita në varrezat e Dëshmorëve, e duke vënë theksin tek kontributi e sakrifica e dëshmorëve për lirinë e atdheut. E ndonëse për dëshmorët ka pasur e ka debate e kontestime publikisht apo ndër tavolina, zyrtarisht me fjalë, respekti për ta është i madh. Pas vitit 1990, ajo çfarë u vu më së shumti në diskutim ka qenë pikërisht numri i tyre: janë apo nuk janë 28 mijë? Kjo pyetje ka edhe mbështetësit e kundërshtarët e saj. Sipas studiuesit Moikom Zeqo, për ta përcaktuar qartësisht këtë duhet ngritur një komision, në mënyrë që të mos ketë më vetëm fjalë që i merr era. E në këtë ditë përkujtimi, më shumë se kjo, Zeqon e shqetëson një tjetër gjë, mënyra se si shteti është sjellë me bustet e dëshmorëve e heronjve që vdiqën për atdhe. Sa i takon kësaj, Zeqo thotë se gjendja e monumenteve që përfaqësojnë njerëzit për të cilët ne duhet të kemi respekt, është e mjerueshme. “Për to nuk është treguar kujdes dhe mund të themi se janë harruar. Kjo është gabim, sepse ato përfaqësojnë kujtesën për një prej momenteve historike më të rëndësishme të Shqipërisë dhe popullit tonë për shekullin e 20-të”, – shton ai. Si shembull konkret ai merr monumentin e ‘Heronjve të Vigut’ në Shkodër, që nga qendra e qytetit u dërguan diku në periferi, pranë vendit të grumbullimit të mbeturinave. Shqetësimet e tij, Moikom Zeqo na i përcjell në intervistën e mëposhtme. Sa i takon datës 5 Maj, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar për këtë ditë gjejmë këtë përkufizim: “5 Maji. Dita e dëshmorëve. Ditë e shënuar në jetën e popullit dhe atdheut tonë. Në përkujtim të 5 Majit 1942, ditës kur u vra heroikisht në Tiranë Qemal Stafa. Me vendim të Komitetit Qendror të PPSH dhe të KM të RPS të Shqipërisë, 5 Maji është shpallur si Dita e Dëshmorëve. Për herë të parë kjo ditë u festua më 5 maj 1945 në Tiranë, me një miting që u organizua në sheshin ku është vendosur busti i Qemal Stafës”.
Sot shënohet 5 Maji, Dita e Dëshmorëve. Si u bë festë kjo datë?
Vrasja e Qemal Stafës në datën 5 maj të vitit 1942 bëri që kjo datë tri vite më vonë të vendosej si data që përkujtonte dëshmorët e vendit. 5 Maji është konsideruar si dita e heronjve të antifashizmit në nderim të një prej figurave më të mëdha të antifashizmit, Qemal Stafës. Ai ishte një figurë intelektuale dhe një njeri idealist, i cili përmes botëkuptimit komunist të asaj kohe, siç e kuptonte ai, kërkoi çlirimin e atdheut nga fashizmi për një të ardhme më të mirë. Ky qe Qemal Stafa, e veç kësaj ishte një njeri i letrave. Kjo datë është caktuar mbas çlirimit si Ditë e Dëshmorëve, ku njerëz të ndryshëm shkonin në Varrezat e Dëshmorëve dhe i përkujtonin ata.


Cilët janë dëshmorët më të kontestuar në Shqipëri?
Nuk ka pasur shumë kontestime për dëshmorët. Më tepër nga të gjithë është kontestuar Nako Spiru. Njëherë u shpall hero, pastaj është lëvizur varri i tij disa herë. E megjithatë, deri në vitin 1990 vdekja e tij shihej ndryshe nga emra të ndryshëm. Nuk ka pasur kontestime zyrtare të heronjve, e nëse ka pasur debate, këto janë fokusuar më shumë në media sesa në mënyrë zyrtare. Më tej kanë qenë edhe partitë e ndryshme politike që i kanë parë ndryshe nga njëra-tjetra, heronjtë, dëshmorët dhe atë çka ndodhi. Dikush e feston një festë apo një ditë të shënuar, e dikush nuk e feston.
A ka pasur emra të tjerë që janë debatuar?
Kush ta bëjë këtë debat? Kur them kush ta bëjë, i referohem diçkaje zyrtare, sepse nëpër gazeta e emisione televizive që të gjithë flasin.
Sa ka ndikuar politika në këta emra dëshmorësh, në shpalljen dhe respektimin e tyre?
Natyrisht që është një çështje politike, në kuptimin që diskutohet. E para që diskutohet është se sa është numri i dëshmorëve dhe disa janë të mendimit që numri i dëshmorëve shkon në 28 mijë, e disa të tjerë thonë se janë më pak. Pra këta janë të kontestuar dhe mendimet ndryshojnë nga njëri tek tjetri, në varësi të bindjeve të gjithsecilit. Ata që janë heronj janë më pak dhe janë të shpallur zyrtarisht, e për këtë dihen.
Po ju vetë ç’mendoni, sa është numri i dëshmorëve?
Unë nuk di të them diçka saktësisht për këtë. Mendoj se duhet ngritur një komision që ta studiojë këtë çështje dhe ta thotë mendimin e vet për këtë punë. Duhet saktësuar zyrtarisht sepse nuk mund të bazohemi në “luftëra politike” që bëhen në media për këtë.
Si e shihni gjendjen e busteve, memorialeve a përkujtimoreve të dëshmorëve anembanë vendit?
Eh, ky po që është problem. E para njëherë, duhet thënë se Shqipëria është njohur zyrtarisht nga aleatët e mëdhenj si SHBA, Angli, Bashkimi Sovjetik si një ndër vendet aleate në luftën kundër fashizmit, pra i njihet kontributi. Ndryshe nga disa vende fqinje që kanë pasur ambiguitet në luftën kundër fashizmit. Shqipëria ka qenë një vend që është çliruar në kuadër të antifashizmit të përgjithshëm. Tani, sigurisht që kjo luftë e bërë në vendin tonë ka pasur dëshmorët e vet. Emri kryesor që përfaqëson këtë sakrificë sublime është Qemal Stafa. Para viteve 1990, ka pasur çdo qytet varrezat e veta për dëshmorët. Çdo qytet kishte varrezat e veta e këto janë akoma në përgjithësi. Mirëpo ka pasur edhe skulptura, buste, monumente apo lapidare, siç quheshin. Gjendja e këtyre është e mjerueshme. Për to nuk është treguar kujdes dhe mund të themi se janë harruar. Kjo është gabim, sepse ato përfaqësojnë kujtesën për një prej momenteve historike më të rëndësishme të Shqipërisë dhe popullit tonë për shekullin e 20-të. Janë bërë disa përpjekje nga disa veteranë, janë ngritur komisione dhe është biseduar për këtë problem, por s’ka pasur asgjë që ka dalë në dritë. Përgjithësisht janë në gjendje jo të mirë. Për mua është e pakonceptueshme, që pesë heronjtë e Vigut që ishin në qendër të Shkodrës, të hiqen prej ku ishin dhe të dërgohen në periferi ku rrinë mbeturinat e qytetit. Monumenti prej bronzi që u realizua për ata nga Shaban Hadëri, ishte para së gjithash një skulpturë e shquar. Kjo më duket shumë e rëndë. Edhe ajo që ndodh me varrezat e Dëshmorëve në Shkodër nuk është normale, sepse shkodranët kanë një kontribut të madh në luftën antifashiste. Nuk mund të dërgosh heronjtë tek plehrat, sepse kjo është një gjë e rëndë. Mua më duket një marrëzi e madhe që t’i ofendosh heronjtë e antifashizmit pas vdekjes. Kjo përveçse mungesë kulture, është edhe një mosmirënjohje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu