Morën traktorët e qeverisë Thaqi dhe u kthyen në Veri

0
795

Me gjithë pritjen e mirë nga fqinjët e tyre shqiptarë, ndërtimin e shtëpive që nga themelet, por edhe mbështetjen e madhe me pajisje, por edhe orendi që i duhen shtëpisë, familjet e serbëve në fshatrat Maxhunaj, Sllatinë Dolak dhe Shtitaricë të Vushtrrisë nuk duan të jetojnë në shtëpitë e tyre.

Përveç kur i morën çelësat, në 63 shtëpitë e tyre të ndërtuara në këto fshatra që nga viti 2003 e tutje, me para të buxhetit të Kosovës, por edhe të donatorëve, ata nuk janë dukur më në shtëpitë e tyre. Madje, serbët e Dolakut dhe Shtitaricës “të kthyer” vitin e kaluar, kishin qenë edhe njëherë para Vitit të ri, sa për ta marrë nga një traktor dhuratë nga Qeveria e Kosovës.

Bashkë me traktorët ata ishin kthyer në Veri të qytetit të Mitrovicës. Shumica e pronarëve të 63 shtëpive që u janë ndërtuar shtëpitë në Vushtrri, jetojnë në prona të uzurpuara në Veri të Kosovës.

Vetë autoritet komunale pranojnë se askush nuk jeton në këto shtëpi, të cilat mendohet se bashkë me projektin e kthimit kanë kushtuar rreth 1.4 milionë euro dhe të cilat kanë filluar të vidhen dhe demolohen.

“Vetë pronarët serbë në fillim janë deklaruar se do të kthehen për të jetuar, e më pas kanë refuzuar një gjë të tillë, kështu që tash askush nuk jeton në ato shtëpi, ato janë të boshatisura e të demoluara”, bën të ditur Ekrem Merovci, zyrtar për kthim dhe komunitete në Vushtrri.

Madje përveç vjedhjeve nga hajnat, edhe zyrtarisht janë dy raste të hapura nga policia, në të cilat vet pronarët e shtëpive, përveç orendive e pajisjeve, disa prej tyre kanë tërhequr edhe materiale ndërtimore.

Boban Ristiq, nga fshati Gracë, thotë se arsye kryesore e gjendjes së tillë është se “të kthyerit” nuk kanë dëshirë të jetojnë në mjediset ku banojnë edhe shqiptarët dhe se ata jetojnë në banesat e uzurpuara apo edhe të blera në Veri të Kosovës.

“Pronarët e këtyre shtëpive të ndërtuara në emër të kthimit, shtëpitë pas demolimit, edhe po i shesin, pasi po mendojnë të jetojnë në Veri të vendit” thotë Ristiq.

Ai thotë se në fshatin e tij jetojnë shumë mirë 70 familje serbe dhe 7 familje shqiptare në harmonin e fqinjësi të mirë, gjersa vitin e kaluar janë kthyer edhe dy familje serbe, e po ashtu edhe dy familje tjera të serbëve në Prelluzhë, të cilëve u janë ndërtuar shtëpitë nga UNHCR-ja.

Edhe kryetari i komitetit për komunitete në Komunën e Vushtrrisë, Millan Kostiq, lidhur me fshatin e shtëpive të boshatisura nga serbët, mendon se serbët po hezitojnë të kthehen në mjediset ku ka serbë tjerë. Ai është i mendimit se në mjediset ku janë ndërtuar shtëpitë ka mundësi për të jetuar serbët, por që ata nuk po e bëjnë një gjë të tillë.

“Ata duhet të shtrëngohen të kthehen për të jetuar pasi vet kanë nënshkruar që t’u ndërtohen shtëpitë nën ato kushte, e jo ti shesin e apo ato të demolohen”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Kostiq i cili jeton pa kurrfarë problemi me dekada në një fshat të Vushtrrisë, ka një qasje tjetër që të kushtëzohen pronarët me kthimin e tyre, ose edhe t’u jepen në shfrytëzim dikujt tjetër, pasi atyre të cilëve u janë ndërtuar nuk dëshirojnë të kthehen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu