Mospajtimi për pajtimin

0
703

Më 4 qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës nxori një vendim për themelimin e Grupit Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtimin. Ky Grup që do të kryesohet nga përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit do të përbëhet nga gjithsej 20 veta: 7 përfaqësues që vijnë nga ministri të ndryshme, një përfaqësues nga Presidenca, një nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të luftës, një nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, një tjetër nga Komisioni për Gjuhë dhe 8 përfaqësues të shoqërisë civile. Në cilësinë e ekspertëve dhe vëzhguesve do të jenë të ftuar plot 13 veta të tjerë që vijnë nga institucione vendore e sidomos nga aso ndërkombëtare.

Qëllimi i këtij Grupi thuhet të jetë “ballafaqimi me shkeljet masive të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare në të kaluarën në Kosovë, që përfshin luftën e fundit dhe periudhën e transicionit, duke marrë parasysh pikëpamjet e të gjitha komuniteteve në Kosovë, me qëllim që të promovohet pajtimi dhe paqja e qëndrueshme, në mes tjerash, duke siguruar përgjegjshmërinë, arritjen e drejtësisë, ofrimin e kompensimit për viktimat, lehtësimin e kërkimit të së vërtetës, promovimin e shërimit, marrjen e të gjitha masave të nevojshme për të rikthyer besimin në institucionet e shtetit dhe zbatimin e sundimit të ligjit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe standardet e drejtësisë transicionale”.

Më tutje, thuhet që Grupi Punues ka përgjegjësi dhe kompetenca që të “zbatojë një qasje gjithëpërfshirëse, me ndjeshmëri gjinore, për t’u ballafaquar me të kaluarën në Kosovë që përfshin luftën e fundit dhe periudhën e transicionit, duke marrë parasysh pikëpamjet e viktimave të të gjitha komuniteteve në Kosovë, në nivel të një Strategjie Kombëtare për Drejtësinë Transicionale” dhe të “promovojë një proces të pajtimit në mes të të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Kosovë”.

Dikush mund të argumentojë se me këso vëllimi e këso qëllimi ky Grup Punues vështirë të kryejë punë. Dhe se krejt ky marifet për një komision më shumë paraqet veçse një taksirat më shumë për buxhetin e Kosovës. Mirëpo, besoj që ka edhe një problem tjetër këtu, më të thellë e më të rëndë se kaq.

Ky Grup është i formuar me idenë që merr parasysh “pikëpamjet e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, “pikëpamjet e viktimave të të gjitha komuniteteve në Kosovë”. Në të vërtetë, kjo s’është fort ide e Grupit, sa një pikëpamje shtesë. Pra, pikëpamjeve të ndryshme, të gjitha pikëpamjeve të komuniteteve, iu shtohet tash edhe pikëpamja e këtij Grupi. Kësisoj, përmes një procesi kumulativ, Grupi i këtillë i dyfishon këto pikëpamje sepse pikëpamjeve, tërësisë së atyre pikëpamjeve, vetëm sa ua shton edhe shumën e tyre. Kaq.

Madje, edhe në një rrafsh tjetër kjo ngjan po kështu: Grupi merr paraSYSH pikëPAMJET… Ndodhemi pra te regjistri i shqisës së të pamurit, te syri që sheh sy të tjerë që shohin. Këta sy nuk shohin gjë përveç syve. Mirëpo, organizimi i syve është i tillë që një sy i sheh të gjithë sytë e tjerë teksa secili prej këtyre syve e sheh këtë syrin veçmas dhe jo bashkë me të tjerët. Kjo është arsyeja pse ky grup nuk është ballafaqim me të kaluarën por (përpjekje për) mungesë ballafaqimi në të tashmen. Paqe në të tashmen, rrjedhimisht pajtim për të kaluarën, dhe jo anasjelltas. Syri nuk e sheh të kaluarën dhe syri nuk sheh në të kaluarën. Kujtesa dhe mendja e bëjnë këtë. Porse ky s’është Grup i mendjes dhe i kujtesës. Ky është Grup i pamjes.

Kur pikëpamjen e marrin në kuptimin e saj të dytë, situata nuk përmirësohet. Ky Grup tashmë paralajmëron që do të shndërrohet në infrastrukturë për proliferimin e pikëpamjeve nga më të ndryshmet, për hyrjen dhe qarkullimin e rrëfimeve të secilit, në rastin më të mirë duke iu sjellë rrotull të vërtetës, ama pikërisht që të mos arrihet ajo. Grupi Punues, sipas pikëpamjes së vet atij, bëhet vetë tregu. Rrëfimet bëhen oferta që mbase edhe blihen. Këto rrëfime paraqesin narracionet konkurruese përbrenda logjikës së tregut ku ofrohen mallrat për shitje dhe varësisht nga cilësia, çmimi e ambalazhi (sidomos ambalazhi), ato arrijnë të blihen dhe konsumohen. Në fund, siç thotë populli ynë, ‘e bajsh me shëndet’ apo edhe ‘të bëftë mirë’, sipas llojit të mallit.

Kjo s’është e vërteta, kjo s’është procedura e së vërtetës dhe as procedura për të vërtetën. Përveçse duke thënë që po e kërkojmë të vërtetën, ne pohojmë që nuk e dimë të vërtetën dhe kësisoj vetëm sa e maskojmë atë. E vërteta s’arrihet me shumësi rrëfimesh sado të shumta e sado personale qofshin ato. E vërteta nuk është inkluzive për nga natyra e rrjedhimisht as drejtësia nuk është e tillë. E Vërteta është historike dhe politike. Kurse e vërteta është gjyqësore dhe faktike.

Pajtimi i propozuar nga ky Grup ofron opinionet e palëve para fakteve të krimeve, dialog gjithëpërfshirës para drejtësisë gjyqësore. Ky Grup është zëvendësimi i shkencës me letërsinë. Ne kemi nevojë për fakticitet dhe gjyqësi. Për hetime serioze për krimet e luftës e të pasluftës dhe për një rrëfim të vetëm – për rrëfimin e gjykatave të drejta e të paanshme teksa ndajnë drejtësi. Në kushtet kur s’kemi drejtësi gjykatash, drejtësia transicionale do të jetë padrejtësi pa transicion. Sepse kur drejtësia transicionale nuk është suplement i drejtësisë tradicionale, ajo shfaqet gjithmonë si orvatje për ta zëvendësuar atë.

 

Gjatë këtyre 13 vjetëve të pasluftës janë organizuar pafund konferenca e seminare ndërkombëtare e vendore me viktimat e të gjitha palëve. Kemi qenë dëshmitarë se si pajtimi që synohet nuk është pajtimi midis palëve por pajtimi i të gjitha palëve me ‘faktin’ se kriminelë e viktima paska pasur nga të gjitha palët! Efekti dihet: dekurajimi i të gjithëve nga të gjitha palët për kërkim të drejtësisë.

Lajthitja është sërish më e rëndë dhe më e thellë se kaq: pajtimi s’është çështje komunitetesh në Kosovë, sepse nuk luftuan komunitetet, por shqiptarët kundër Serbisë. Po e bllokove Serbinë nga ndërhyrjet e saj të shumanshme në Kosovë, pajtimi mandej edhe mund të bëhet çështje teknike. Meqë Serbinë e ke brenda Kosovës edhe si politikë edhe si ekonomi, nuk mund të ketë pajtim dhe s’do të ketë pajtim. Si mund të pajtohemi kur s’po pajtohemi?! Serbia dhe shqiptarët jo vetëm që mendojnë por bile edhe perceptojnë ndryshe (po sikurse dje edhe sot e kësaj dite).

Në fakt, vetëm atëherë kur nuk do të pajtoheshim në një nivel tjetër, do të mund të pajtoheshim: atëherë kur ata do ta pranonin fajin politikisht dhe personalisht, do të kërkonin falje dhe do të luteshin për falje, kurse ne do t’iu thoshim që nuk janë plotësisht edhe aq shumë fajtorë pasi që prej librave të historisë e deri te propaganda e Milosheviqit kanë qenë të mësuar mbrapsht, vetëm atëherë, pra nga ky nivel i ri i mospajtimit, do të mund të krijoheshin kushtet për pajtim.

Ama jo sot dhe jo kështu. Nuk është e thënë që të pajtohemi (përmbajtësisht) për t’u pajtuar (edhe formalisht). Duhet pasur llojin e caktuar të mospajtimit për ta mundësuar pajtimin. Dhe, të gjithë u ballafaquan vazhdimisht me të kaluarën (si plagë) përpos asaj që me të vërtetë do të duhej të ballafaqohej me të – Serbia (si shkaktare e plagëve). Nëse Serbia s’ndjen keqardhje dhe s’është penduar, nëse nuk ndjehet fajtore dhe s’kërkon falje, cili është kuptimi i projektit të pajtimit?! Pajtimi do të duhej të bëhet pas ndryshimit rrënjësor të Serbisë dhe jo të të tjerëve, apo jo?

Kërkesa e Qeverisë së Kosovës për pajtim me Serbinë, ose tërthorazi presupozon që (edhe) Kosova e shqiptarët kanë faj, ose ajo shpërfaq frikën se Serbia do të mund ta përsërisë krimin e saj ndaj nesh, prandaj, aman le të pajtohemi, ja po ia falim fajin Serbisë disi që ajo të mos na e përsërisë atë! Rrugë tjetër s’ka. Megjithatë, duke mos besuar që kjo e dyta njëmend është e mundshme, mbetemi me alternativën e parë: kërkesa jonë për pajtim presupozon fajin tonë sepse pajtimin nuk e kërkon viktima por xhelati. Kështu, po hedhemi në situatën ku në vend se pajtimin ta kërkojë Serbia (xhelati), atë po e kërkon Kosova (viktima), përkatësisht Qeveria e saj.

Krimet e Serbisë në Kosovë janë të gjata në kohë dhe të mëdha në përmasa. Kush është kjo Qeveri që në emër të shekullit XIX, XX po edhe XXI dhe për të gjithë këta shekuj dëshiron të pajtohet me Serbinë në atë që po e quajnë pajtim historik? Pse ky rol dhe pse kjo nguti? Çka fitojmë me këtë pajtim e pas këtij pajtimi?

“Duke mësuar nga përvojat e shoqërive si Afrika e Jugut, së fundi kam propozuar një Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin, i cili do të vlerësojë aksionet e të dy palëve gjatë luftës. Ky Komision u formua më 4 qershor. Qëllimi nuk është dënimi, por pastrimi, në mënyrë që pjesëtarët e secilit komunitet etnik dhe religjioz të jenë në gjendje të lëvizin përpara drejt pajtimit”.

Kështu ka shkruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, para dy javësh për Christian Science Monitor! Ky sigurisht që ka mësuar shumë gabimisht nga përvoja e Afrikës së Jugut. Atje është vendosur njëherë e Vërteta politike dhe historike dhe vetëm pastaj kishim Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin. Ky është gabim fatal në hapa. Ndoshta më shumë fatal sesa gabim: duket që edhe njëherë kryeministri po e jep të kaluarën e popullit tonë për të ardhmen e tij personale.

 

Shkruan, Albin Kurti

(Autori është kolumnist i rregullt i Zërit)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu