Mungojnë programe politike kombëtare

0
836

Politikës shqiptare i mungon programi kombëtar- platforma. Mirëpo, përveç kësaj i mungon edhe një parti politike që në programin e vet do të ngërthente bashkimin kombëtar. Edhe pse në prononcime politike nëpër medie të informimit, të gjithë liderët e kanë plotë gojën bashkim, por në fund të gjithë pajtohen se shqiptarët duhet të bashkohen në Bruksel, sikur më këtë edhe po e kryejnë misionin e tyre.

Dikush do të parashtronte pyetjen dhe shumë të logjikshme, se kemi edhe parti politike që thirrën kombëtare, madje edhe në planë të parë kanë simbolet kombëtare, duke anashkaluar ato jo kombëtare, por edhe veprimet janë të tilla.

Për të dëshmuar këtë që e thash në fillim, po i hyjmë një analize të shkurtër, për të parë në kam të drejtë apo jo.

 

Trajtimi i çështjes kombëtare në gjithë hapësirën

 

Në hapësirën kombëtare kanë ndodhur e ndodhin shumë gjëra që e dëmtojnë çështjen kombëtare dhe nuk është parë asnjë analizë e ndonjë subjekti politik për këto. Kemi reagime të herëpashershme për fenomene të caktuara, por jo edhe të ngritët zëri në shkallë kombëtare, duke i tërhequr vërejtjet akëcilit burrështetas, kudo që është ai në pushtet, për të këqijat që po i ndodhin kombit, pra të jetë një lloj roje kundër të keqes që na paraqitet në vazhdimësi.

Sikur të kishte një parti me program politik kombëtar do të sinkronizonte veprimin e vet në gjithë hapësirën kombëtare, do të prononcohej për politikën kombëtare, do të kritikonte të keqën nga kushdo që të vjen, nëse kjo vjen edhe nga ndërkombëtarët, e të lejojë që të reagojnë apo miratojnë propozimet që vijnë nga kushdo qoftë. Një veprim i tillë është i domosdoshëm, për t’i dhënë të kuptojnë edhe fqinjët tanë, edhe ndërkombëtarëve, edhe vendorëve, se është dikush që përkujdeset për çdo pëllëmbë toke në nënqiellin shqiptar dhe në momente të caktuara të gjitha marrëveshjet kundër kombëtare mund të anulohen.

Mungesa e një subjekti politik me këtë platformë, si filozofi politike e bashkimit kombëtar, i bënë që shumë qytetar të humbin besimin në politikën ditore dhe qytetare, prandaj edhe kemi kundërthënie të mëdha rreth zhvillimeve përbrenda kombëtare dhe ato që vijnë nga të huajt e fqinjët tanë.

Dikush duhet të trajtojë në mënyrë të barabartë problemin në çdo pjesë të hapësirës kombëtare, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni e Greqi dhe atë në veri të Kosovës, të gjitha janë probleme kombëtare dhe ne duke u marrë në mënyrën e veçantë për secilën pjesë veç e veç, do të dalim qesharak para ndërkombëtarëve, që e mirëpresin edhe armiqtë tanë, bashkë me pansllavistët kudo që janë. Kjo është shkapërderdhje e forcës mendore, e forcës vepruese, e forcës argumentuese. Mos përcjellja e politikës kombëtare, me të gjitha këto probleme që e rëndojnë sot, mundëson që nesër pas nesër,  ata që kanë luajtur me të sotmen kombëtare, ata të cilët luajnë me të djeshmen kombëtare, të trajtohen si baballarë të kombit para historisë, sepse nuk kanë pasur kritika dhe kritikat që vijnë nga intelektualët e pavarur, mund të merren edhe si vese për të kritikuar, pa i hyrë analizës së tyre, në kanë pasur të drejtë apo jo.

 

Mbrojtja e kushtetutshmërisë së Shqipërisë

 

Një subjekt i tillë politikë, me program kombëtar, do të ngrinte zërin edhe në mbrojtjen e Kushtetutës së Shqipërisë londineze, duke kërkuar koordinimin e politikës nga vet Presidenti dhe çdo herë që shkel këtë akt më të lart juridik t’i bëhet e ditur. Nëse Kushtetuta i mundëson gjithë shqiptarëve të veprojnë e ecin së bashku, pse mos të ndodh kjo, madje edhe të ngulët për këtë. Duke u mbështetur në këtë akt, ka qenë dashtë të propagandohet, të veprohet dhe në zgjedhje nacionale të ketë edhe nga viset tjera shqiptare si kuvendar në parlamentin e Tiranës, por meqenëse mungon artikulimi politik përmes një subjekti, shqiptarët nga viset tjera mbesin pa përfaqësuesin e tyre në parlamentin shqiptarë.

Vet prezenca e një kuvendari jashtë Shqipërisë londineze, do të thoshte shumë, jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për fqinjët e pa ndërgjegjshëm e luftënxitës, por edhe për faktorin ndërkombëtar. Nga ai parlament të dërgohen mesazhe politike kombëtare për bashkim dhe për ruajtjen e qenies shtetërore të sotme. Nga aty do të kontrolloheshin pazarllëqet që bëhen për shqiptarët kudo që janë dhe nga aty të informohen bashkëkombësit për të këqijat që i përgatitën, duke përcjell edhe mesazhe parlamentarëve e subjekteve politike për gabimet që po i bëjnë në planin kombëtar.

 

Ruajtja e pasurive kombëtare

 

Një subjekt i tillë politik, me program kombëtar, do të përcillte gjithë pasurinë kombëtare dhe do të alarmonte për çdo lloj manipulimi me te, qoftë në privatizim, qoftë në koncesion, që ajo të bëhet në kuadër të politikës për  ruajtjen e pasurive me karakter strategjik kombëtar dhe të mos bien në duart e armiqve tanë, siç kemi rastin e privatizimit, blerjes dhe marrjes me koncesion nga fazliqët.

Një subjekt i tillë politik, me program kombëtar, do të ishte kujdestare e kontrollit të pasurisë kombëtare në gjithë hapësirën dhe do të çjerrke maskën e manipuluesve të çdo lloji, që pasurinë kombëtare e trajtojnë si të vetën. Ajo edhe do të kishte mundur për të dhënë sugjerime, përmes ekspertëve, se si duhet trajtuar e vepruar me ekonomin kombëtare, cilat resurse duhet trajtuar si pasuri kombëtare dhe për çdo shkelje të rregullave të lojës të ngrit padi penale.

 

U heshtë në zgjedhje të Presidentit

 

Gjithë ajo lojë që u bë në Tiranë, për zgjedhjen e Peridentit të Shqipërisë londineze, nga shqiptarët jashtë territoreve të saj, u hesht, thua se nuk po ndodh asgjë. Mirëpo, kjo u hesht edhe nga subjektet që mëtojnë se kanë program kombëtar përbrenda Shqipërisë londineze dhe nuk morën mundin të paktën të dalin me një propozim dhe të përpiqen të marrin miratimin e njëzetë kuvendarëve, sa parasheh Kushtetuta. Pra, injorohet zgjedhja e Presidentit, i cili nesër do të përfaqësojë të gjithë shqiptarët, sepse ashtu e detyron Kushtetuta, sikur kjo të kishte ndodhur në një pjesë të botës që nuk na lidh asgjë me te, qoftë në këndin gjeografi apo politik.

A kemi të drejtë nesër të kërkojmë nga z. Nishani që të përfillë Kushtetutën dhe të paraqitet si President gjithëshqiptarë, ne jashtë juriksionit që Ai morri mandatin e Presidentit ? A kemi të drejtë të reagojmë për mos përfillje të Kushtetutës, kundër z. Nishani, ne që jemi jashtë Shqipërisë londineze?

Pra, zgjedhja e Presidentit ka qenë dashtë të mobilizojë të gjitha strukturat politike në hapësirën kombëtare, ani pse asnjëra nga to nuk e ka në program bashkimin kombëtar, të thonë mendimin e vet publik dhe t’i tërhiqej vërejtja Sali Berishës, se shqiptarët kanë nevojë për një president që do të përfaqësojë interesin e të gjithëve, e jo interesat e një klase politike. por heshtja tregon, se të gjithë kanë dëshirë të mos ndodh një gjë e tillë, sepse ajo kishte përshpejtuar bashkimin kombëtar, e më mirë i pari në sofër të vogël se sa i dyti në sofër të madhe.

 

Sa është në vëmendje të subjekteve politike njëqindvjetori i pavarësisë

 

Me kremtimin e njëqindvjetorit të pavarësisë po merret Qeveria e Sali Berishës dhe të tjerët për anash mundohen të marrin riskun që i takon(!) Edhe ata nuk janë të vetëdijshëm për riskun që duhet marrë, por kështu të paktën të jenë prezent në manifestim. Kjo i bie sikur dhëndëri të kërkojë nga prindërit të ftohet në dasmë.

Çfarë ndodhi deri tash në kuadër të kremtimit të njëqind vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë?

U ndan dekoratat nga Presidenti z. Bamir Topi për disa personalitete kombëtar dhe u dekoruan si heronj të Kosovës! Kanë harruar propozuesit dhe dekretuesi, se asnjëri prej tyre nuk e ka dhënë jetën vetëm për Kosovë, por betimi dhe veprimtaria e tyre ka qenë për bashkim kombëtar. Sikur kjo të kishte ndodhur në një jubile tjetër disi do ta ishte pranuar, edhe pse logjika nuk e lejon, ama të ndodh në jubileun e dy epokave historike, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe atë të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, nuk ka bërë nder, nuk ka qenë në nivel të vlerësimit dhe ka shkel Kushtetutën, të cilën e përfaqëson. Sikur të kishte një subjekt politik me program kombëtar, me siguri do të kishte ngritur zërin apo edhe ndoshta do të kishte qenë propozuesi i personaliteteve që do të meritonin të dekoroheshin për këto dy jubile kombëtar, si dëshmor të kombit.

Për kremten e njëqindvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, mëtohen të ngritën tre monumente, por tragjikja është se, krahas atij të Hasan Prishtinës të ngritët edhe ai i Ahmet Zogut. Sikur të kishte një subjekt politik me program kombëtar, sigurisht do të kundërshtonte një gjë të tillë, kur dihet se Zogu e rrëzoi nga pushteti Prishtinën, i pamundësoi qëndrimin në Shqipërinë londineze dhe në fund e vrau. Pse ndodhi e gjithë kjo, sepse kishte sugjerime nga miqtë serb për t’ia pamundësuar veprimtarin Prishtinës, veprimtari e cila ishte vetëm për çështjen shqiptare, e jo krahinore. Kjo edhe u dëshmua më vonë, me ardhjen e Zogut në pushtet, pas marrëveshjes me Pashiqin, duke i dhënë territore, duke humbur mëvetësinë institucionale, duke vrarë e syrgjynosur ajkën kombëtare. Sikur kjo të kishte pushuar me kaq  e të ishte forcuar Shqipëria si shtet, ndoshta dike do ta kishte vu në dilemë për rehabilitim të Tij, mirëpo, marrja e gjithë pasurisë kombëtare dhe e bërë rrush e kumbulla nëpër ahengje me sorollopin e Tij e të djalit dhe hyrja në bashkëbisedime me Titon (lexo- Rankoviqin, sepse Ai në atë kohë, 1951-1053, ishte gjithçka në Jugosllavi) për rikthim në pushtet, me siguri me koncesione edhe më të mëdha se herën e parë, në dëm të shqiptarëve dhe ngritja e momentit për te nuk ka qenë dashtë të lejohet, sepse zyrtarizohet edhe marrëveshja me Pashiqin dhe miratohet vazhdimi i marrëveshjes me Titon. Prandaj heshtja e këtij veprimi që ka ndërmarr Sali Berisha, jep për të kuptuar se pajtohen për të gjitha të këqijat që ia dhe të tjerët që i kanë ka sjell shqiptarëve duhet rehabilituar dhe na mbetët për të përjetuar edhe rehabilitimi i Esat Pashë Toptanit me Koçi Xoxën, për të përmbyllur kaptinën e rehabilitimit të tradhtarëve të kombit.

Fenomeni tjetër me të cilët ballafaqohen shqiptarët, e nuk ka subjekt politik me program kombëtar për të ndërhyrë, është përdhosja e historisë kombëtare, qoftë përmes personaliteteve, qoftë përmes epokave apo edhe tendenca për të rishqyrtuar historinë, në kemi pasur armiq të gjithë ata që na pushtuan apo duhet veçuar ndonjërin për shkak të kohës së sotme.

Politika shqiptare harron apo edhe ndoshta nuk e njeh politikën e luftës së ftohtë dhe gjithçka që është vepruar në atë kohë e shikojnë me syrin përbuzës, përçmues dhe vlerësuar si politik kundër kombëtare, deri në cilësimin e një politike tradhtare të bërë për dyzetë e pesë vjet.

Dinë liderët politik shqiptarë se në kohën e luftës së ftohtë, Rusia ndërhyri ushtarakisht Hungari më 1956, dinë liderët politik shqiptarë se Rusia në vitin 1968 ndërhynë ushtarakisht në Çekosllovaki, dinë liderët politikë shqiptarë se Franca për të njohur pavarësinë e Algjerit, nga se humbi në mënyrën më të turpshme kolonin e vet, gjeti lider për të poshtëruar Ahmet Benbellën, dinë liderët shqiptarë, se SHBA ndërhynë në Kil dhe në vend të Alendës e vendos në pushtet Pinoçetin? Dinë liderët politik shqiptar, se të huajt (nga të dyja blloqet) kanë tentuar në vend të Enver Hoxhës të bien në pushtet Koçi Xoxën, Ahmet Zogun etj. Gjithë kjo ka ndodhur gjatë luftës së ftohtë dhe sot mundohen të na shpërlajnë truri, sikurse e parasheh Orvelli.

Kur kreatorët e kësaj lufte të ftohtë e panë se nuk po korreshin rezultatet e shpejta dhe të dëshiruara, i hynë lojës tjetër, e cila sot po na del për hunde përmes pseudo demokratëve, pseudo intelektualëve dhe nuk përjashtojnë asnjë lojë të mundshme për të përdhosur figura të qëndrueshme të luftës së ftohtë, figura të qëndrueshme të kombëtare për ruajtjen e dinjitetit shtetëror e kombëtar, figura të pa kompromis për çlirim e bashkim kombëtar.

Sa mjete materiale janë harxhuar nga shqiptarët dhe të ndërkombëtarët, për të na hequr nga koka veprimtarinë dhe filozofin politike të Enver Hoxhës? Po të kishim bërë një përllogaritje të këtyre viteve të shkatërrimeve për shkak se janë ndërtuar në Epokën e Tij dhe mjeteve materiale për të bërë propagandë kundër Tij, shqiptarët do të kishin rrymë edhe për shitje, shqiptarët do të kishin çdo rrugë të rregulluar me standarde ndërkombëtare, shqiptarët do të kishin të gjitha shkollat me standarde ndërkombëtare.

Sa kohë harxhohet sot në botë, nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët, për të na hequr nga koka veprimtarinë dhe filozofinë politike të Enver Hoxhës, me siguri shkenca shqiptare do të kishte arritur të krahasohet me shkencat ndërkombëtare, historiografia do të kishte pasur mjete të mjaftueshme për të pasur çka të thuhet në këtë njëqindvjetor pavarësie, historiografia do të kishte pasur mjete të mjaftueshme për të cytur faktorin ndërkombëtare që edhe një herë të rishikohet shtetësia shqiptare përmes faktografisë shkencore. Mirëpo, gjithë arsenali propagandistik edhe në shkallë prishje varri të Enver Hoxhës, është orientuar që kjo figurë kombëtare të jetë e përdhosur në këtë njëqindvjetor, sepse është edhe figura ma meritore e ruajtjes së shtetësisë dhe vënien në program zyrtar shtetërore çlirimin e viseve të pushtuar dhe bashkëngjitjen me trungun, që pa të drejtë ia kishin ndarë dikur nëpër kongrese e konferenca.

Sikur të kishim një subjekt politik me program kombëtare, do të kishte reaguar kundër të gjitha këtyre fenomeneve dhe do të zinte vendin e merituar jo vetëm te bashkëkombësit, por do të merrej me te edhe faktori politik ndërkombëtar dhe mendimet e tyre do t’i analizonte mirë e mirë, sepse programet kombëtare dhe mbrojtja e argumentimi i tyre shkencërisht nuk do të kishte guxuar askush t’i anashkalonte.

Një subjekt politik me program kombëtar i nevojitet kombit.

 

Prishtinë, 21.06.2012

 

Nga Afrim Morina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu