Muri mes Shqipërisë dhe Kosovës

0
666

Ka ditë që në gazeta shkruhet që lufta tregtare me Kosovën po vazhdon dhe madje po acarohet dhe kurrkush nuk po përpiqet t’i japë zgjidhje. Thuhet se marrëdhëniet tregtare midis dy shteteve shqiptare janë ndër në më të këqijat në Evropë, por edhe në mos qoftë kështu ato janë të këqija. Kjo është turp për të mos thënë tradhti kombëtare. Së pari, nga kjo luftë humbasin ekonomikisht të dy shtetet duke dëmtuar ndjeshëm ekonominë shqiptare dhe atë kosovare. Kujt i shërben kjo dhe pse qeveritë e dy shteteve shqiptare vendosin pengesa midis tyre? Në shtyp deklarohet se dëmi është rreth 30 mijë euro në ditë ose 325 milionë në një vit dhe diku tjetër shkruhet se dëmi ekonomik për çdo biznes është rreth 100 mijë euro në vit. Para do kohe, mollë sherri ishin patatet që vinin nga Kosova dhe sot flitet për materiale ndërtimi që shkojnë nga shteti shqiptar(nuk mund të them Shqipëria se edhe Kosova është po aq Shqipëri). Veç këtyre ekzistojnë dhe tarifa doganore, çka sjellin edhe sorollatjeve pa kuptim. Në marrëdhëniet tregtare midis shtetit shqiptar dhe Kosovës nuk është thjesht përfitimi ekonomik, por ndofta më e rëndësishmja, është rritja e mirëkuptimit dhe besimit reciprok. Dëmtimi i këtyre cenon në mënyrë të pa riparueshme, jo vetëm imazhin tonë kombëtar, por ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme dëmton edhe unitetin tonë si shqiptarë dhe frymën e bashkimit kombëtar. Ku janë deklaratat plot bujë dhe pompozitet të të dy qeverive se ato po punojnë për një treg të përbashkët shqiptar? Nga kjo luftë midis vëllezërish shqiptarë fitojnë fqinjët tanë Serbë, që siç dihet as kanë qenë dhe siç duket as që duan të jenë ndonjëherë dashamirës me ne. Ata nuk e njohin Kosovën si shtet dhe ne  i ndihmojmë. Është folur dhe shkruar s midis dy shteteve shqiptare duhet të hiqen doganat? O Zot pse vallë kaq i vështirë është që të zgjidhet ky problem? Pse nuk bëhet? Mua si qytetar dhe intelektual shqiptar nuk më shqetëson vetëm fakti për dëmin ekonomik që u shkaktohet dy shteteve tona. Që kjo gjendje duhet rregulluar e kupton çdo shqiptar. Por vallë si nuk e ka kuptuar dhe vazhdon të sillet në të njëjtën mënyrë qeveria?! Ajo gjen kohë të shesë ato pjesë të pasurisë kombëtare që kanë mbetur  pa u shitur, por të merret me këtë problem nuk ka kohë. Si kanë guxim këta shqiptarë në pushtet,  politikanë pa karakter që nuk lenë rast pa folur për komb dhe atdhe, dhe çdo ditë e kafshojnë atë dhe i thithin gjakun?  Mua më vjen të ulërij për faktin se kush qëndron pas këtyre veprimeve dhe si guxojnë ta bëjnë. Mirë PD-ja, bëmat e së cilës i dimë (le të kujtojmë eksportin naftës kur Serbia vriste dhe priste në Bosnjë), por “si e zë gjumi” Kryetarin e Partisë Republikane, Z. Fatmir Mediu, deputet dhe anëtar i qeverisë që aq shumë na foli në fushatën elektorale që sapo mbaroi për Komb e Atdhe? Si mund të jesh kaq i pa cipë? Po tjetri, Shpëtim Idrizi, që thotë në TV se partia  e tij, është parti nacionaliste panshqiptare dhe lufton për të bashkuar gjithë shqiptarët? Për këtë problem pse hesht? Pse nuk e ngrenë zërin këto dy parti? Nëse qeveria jonë dhe partitë që bëjnë pjesë në të, duan të dinë si po ecën puna për “bashkimin kombëtar” të shqiptarëve, le të shkojnë dhe të marrin të dhënat në doganat e Kosovës midis Shqipërisë dhe Serbisë, dhe të shohin se sa veta shkojnë në ditë për biznese, nga Kosova në Serbi dhe sa vinë në Shqipëri.              Ne flasim, shkruajmë se duam të arrijmë një bashkim kombëtar, por harrojmë se besimi është thelbi dhe e vërteta baza e këtij  e këtij bashkimi. Por a janë realisht të sinqerta dhe të vërteta marrëdhëniet midis nesh? Me këto marrëdhënie që keni krijuar realisht ju pushtetarë besimi i ndër sjelltë jo vetëm që nuk forcohet por përkundrazi ai sa vjen dhe dobësohet. Për çka shkova më sipër, mendoj se jo më pak fajtorë janë edhe pushtetarët në Prishtinë. Si nuk  e kam dëgjuar një herë kryetarin e opozitës në kuvendin e Kosovës të flasë për marrëdhëniet me shtetin shqiptar? Si nuk e mori mundimin ky njeri të vijë një herë deri në Tiranë? Gjithashtu edhe partia e Albin Kurtit le të merret me Serbinë, por ama le të gjejë pak kohë edhe për këto probleme, sepse ato mua si shqiptar e dua këtë komb të begatuar dhe të bashkuar po aq sa ata. Dhe në fund, unë mendoj se faj kemi dhe ne populli shqiptar, andej dhe këndej kufirit që heshtim dhe nuk flasim. Ose më mirë po përsëris atë që shkrova më sipër jo të flasim e shkruajmë por të ulërijmë. Të nderuar bashkatdhetarë kudo që jetoni, le ta flakim tej indiferentizmin, këtë sëmundje tonë, dhe le të bashkohemi e ta ngremë zërin për ti ndërgjegjësuar qeveritarët tanë që të punojnë më shumë për kombin. dhe duke mbyllur këtë shkrim uroj që qeveria  e re ta ketë në qendër të vëmendjes këtë problem.

 

Prof. as. dr. Agim Koçillari

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu