Musa Juka, Një Ministër i Brendshëm “i blerë” nga zbulimi anglez

0
1568

Gjithsesi, me sa duket njeriu më aktiv i ish-Mbretërisë Shqiptare në Mërgatën e Stambollit ka qenë i famshmi Musa Juka, ministri i Brendshëm, i cili në mënyrë të pavarur nga Zogu kërkon të shndërrohet në një faktor me ndihmën e zbulimit anglez, për të cilin ai vë në dispozicion të gjithë rrjetin agjenturor që ai kishte pasur në Shqipëri. Dokumenti që po botojmë sot për lexuesin është përsëri një Raport i hartuar nga Zyra e Stambollit S.O.E, i cili jep detaje mbi aktivitetin e Musa Jukes në Stamboll, në shërbim të Zbulimit Anglez.

 

25/6/42
To SOE, Kairo from D/H 274

Vizita e Musa Jukës në Kajro
(Emri i Koduar MUZZLE)

1. Ref.1/alb/1/DH80/116 e 19.6.42 paragrafi 3 Kajro. Dëshiroj që ky raport të fillojë me një deklaratë personale. “Për gati 20 vite kam qenë në kontakt me shumë shqiptarë të çdo lloji dhe krahine, por deri më sot nuk kam takuar asnjë për të cilin do të thosha me siguri se e dija se çfarë mendonte”. Kur fjala është për një njeri të zgjuar dhe të ngritur në influencë me forcat e veta si MUZZLE, atëherë ky problem është shumë i vështirë. Këta (shqiptarët shën. ynë) janë malësorë dhe iu është dashur që të përdridhen për të ruajtur nacionalitetin e tyre për 3000 vjet të historisë së tyre.
2. MUZZLE u mundua që të më nënvlerësonte kur u takuam, por kjo u bë më e dukshme kur i përmenda MONKEY si dhe ftesën e tij për të shkuar në Kajro. Nëse nuk do ta shikoja telegramin Tuaj paraprakisht, nuk do ta besoja që ai e njihte me të vërtetë MONKEY, apo që i kishte shkruar atij më parë. MUZZLE më në fund pranoi që përpara disa ditësh, personi që shkroi letrën të cilën ma treguat edhe mua, i ka sjellë atij një mesazh verbal, ku i kërkonte që të pranonte një ftesë për të shkuar në Bejrut. Për këtë gjë ai kërkonte që unë t’ju thosha Ju se MONKEY ishte ai që kërkonte takimin dhe Juka, personi që mund të vendoste për këtë takim. Si provë më tregoi letrën që MONKEY kishte shkruar më 16.2.42 për të birin, i cili tashmë është i internuar në një kamp në vendin 25 (Jugosllavi shën. ynë). Kjo lloj sjelljeje shpjegohet mjaft qartë me dëshirën e tij njerëzore për të thënë përshtypjen se është akoma i pushtetshëm. PROFIT e përshkruan qartë sjelljen e tij. “Ai mendon se është akoma Ministër i Brendshëm i Shqipërisë”. MUZZLE disa herë më ka folur në terma shumë negativë kundër ministrit Xhaxhuli dhe thotë se z. Xhaxhuli duhet të vijë tek ai, dhe jo ai tek Xhaxhuli, pasi Juka është më i rëndësishëm. Më ka thënë disa herë që t’i them Xhaxhulit që janë anglezët të cilët e duan atë dhe kërkojnë ndihmën e tij etj, etj. Meqenëse Xhaxhuli është shumë i mjegullt vetë, thënia e këtij mesazhi nuk do të ishte shumë e këshillueshme.
3. Një nga Raportet Tuaja më ka bërë të mendoj se ju dyshoni që unë jam e rezervuar mbi pozicionin e MUZZLE, ndërsa MONKEY ka mendim më të mirë për të. Ndoshta keni të drejtë për këtë të fundit. Nëse MUZZLE do të ishte një njeri i thjeshtë, të cilin po e konsideronim për ta rekrutuar si agjent, unë nuk do ta kisha pranuar. Ai kurrë nuk na jep emrat e vërtetë të njerëzve që përdor si informatorë apo të na japë datat e mbërritjes së tyre. Ai e ngjyros çdo informatë sipas gjykimeve të veta. Ai nuk ka një qëndrueshmëri në të vërtetat. Por ai nuk është një njeri i zakonshëm, ai është shumë i zgjuar dhe njeri me eksperiencë. Që në fillim filluam të marrim ide prej tij dhe e kemi bërë këtë shpesh; p.sh, ideja e përdorimit si korrierë të nënshtetasve turq me origjinë shqiptare, ishte e tija. Po kështu morëm planin e tij se si mund të organizojmë një revoltë në Shqipëri dhe tani mendoj se ne nuk kemi pse e përdorim më MUZZLE, por ne mund të ndërtojmë mbi këtë plan operacional. Po kështu na ka dhënë informacion mbi Bektashinjtë, si dhe kemi marrë emrat e të gjithë njerëzve të tij në Shqipëri. DERRICK e njeh këtë plan, por nuk i ka emrat e personave. MUZZLE na ka dhënë gjithashtu pika të rëndësishme mbi kërkesat e vendit për një njohje nga ne. Nëse kunati i tij nuk do të ishte frikësuar nga masat e reja të sigurimit që janë vendosur, ai mund të kishte dërguar edhe para për ne në Shqipëri. Të gjitha këto ai i ka bërë pa i kërkuar gjë. Mendoj se në përgjithësi ai na ka dhënë gjëra me vlerë për paratë tona.
4. Ndërkohë, nga ana tjetër ai flet shumë dhe për gjëra që nuk kanë vlerë, disa prej të cilave janë edhe në letrën që i ka shkruar MONKEY. “Njerëzit e tij” nuk vijnë apo shkojnë sa herë të duan dhe nuk kanë lidhje me Shqipërinë. Italianët gati e kanë mbytur çdo lëvizje nga, dhe për në Shqipëri. Ju e keni parë në çdo Raport tonin se sa e vështirë është për të gjetur njerëz që vijnë dhe shkojnë atje.
5. Më ka thënë gjithashtu se organizata e tij është zgjeruar shumë dhe “njerëzit e tij” po presin udhëzime. Ai, me sa kam parë ka një shifër të tijën, pjesë të cilat i kam parë. Po kështu më ka dhënë se kjo shifër nuk lejon mundësinë e përdorimit për linjën e naftës. Është shifër e thjeshtë, e cila i quan paratë “dele” ose “misër”, fjalë mjaft të përdorura edhe në paqe në Shqipëri. Ai merr herë pas here ndonjë letër në shifër, por dua të theksoj se kur më jep ndonjë informatë nga këto të ashtuquajtura letra, më shumë lexon nga blloku i shënimeve të veta apo nga copa letrash. Disa herë i kam zbuluar marrësit e vërtetë të letrave, të cilët konfirmojnë dyshimet tona se këto letra me të vërtet kanë ardhur nga Shqipëria, por nuk janë dërguar për MUZZLE. Unë shpesh nuk dua t’ju bezdis me detaje të tilla duke ju dhënë vetëm informacionin, pasi këto detaje janë thjesht për të ilustruar dëshirën e tij për ta quajtur veten si njeri i rëndësishëm. Dëshira e madhe për t’u takuar me MONKEY është ndoshta arsyeja e tij për të qenë person i rëndësishëm. Nipi i tij flet vazhdimisht se sa i rëndësishëm është xhaxhai i tij dhe sa shpesh vijnë vizitorët në banesën e tij. Kjo gjë në fakt, nuk është thjesht nga fakti se ai ka qenë në një post të rëndësishëm në vendin e tij dhe e ka humbur atë. Por, është edhe diçka tjetër shumë e rëndësishme: ai nuk është prej familjeje të mirë dhe disa nga bejlerët tashmë e trajtojnë me përbuzje duke qenë se ekzili i bën ata të mendojnë se rëndësia vjen nga prejardhja dhe jo nga pozita. Kur të huajt e kërkojnë atë (MUZZLE, shën ynë), atij i duket se del një hap para bejlerëve.
6. Është thjesht e pavërtetë se ai ka miq me influencë në mesin e Mërgatës. Murat Kaloshi vuan nga epilepsia dhe nuk është i aftë për asgjë. Po kështu, është e njohur për të gjithë se me të nuk mund të flasësh dot pasi çdo gjë ja thotë shërbëtorit të tij, EMIN një maskara që paguhet nga italianet. Shumë rrallë MUZZLE takohet me të, por nuk ka asgjë midis tyre. Besoj se ju kam treguar të vërtetën mbi Hysen Selmanin. MUZZLE dhe Selmani janë prishur për çështjen e Komitetit dhe nuk e kanë parë më njeri-tjetrin deri në momentin kur Selmani u sëmur rëndë dhe kur MUZZLE shkoi ta takonte dhe foli me të. Këtu filloi një farë pajtimi mes tyre, por nuk ka shkuar më tej se kaq. DERRICK, i cili e di më mirë të vërtetën, pret një pajtim midis tyre, por thotë që nuk ka ndodhur akoma.
Firmosur D/H 274

 

[email protected]

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu