Mustafës i “pritet udha” nga 200 serbë të veriut

0
443

veriu-i-kosoves

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, Haki Demolli dhe Skender Hyseni, si dhe komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, janë detyruar të gjejnë rrugë alternative për të marrë pjesë në hapjen e urës në Bistricë, pasi që serbët e veriut kishin bllokuar rrugën në Rudare. Rakiq porosit KFOR-in të jetë i kujdesshëm me serbët, shkruan sot, gazeta Zeri.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është bindur të premten se shteti i Kosovës nuk shtrihet edhe në pjesën veriore. Ai nuk ka mundur të kalojë për të shkuar në Bistricë, në hapjen e një ure të cilën e ka rinovuar KFOR-i. Ndonëse me kryeministrin Mustafa dhe me ministrat Haki Demolli e Skender Hyseni ndodhej edhe komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, serbët e veriut kanë bllokuar rrugën në Rudare të Zveçanit, të premten dhe nuk i kanë lejuar ata që të kalojnë.

Serbët kanë thënë se kanë bllokuar rrugën dhe kanë protestuar pasi janë ndier të shqetësuar për kalimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri dhe të kryeministrit Isa Mustafa, në mënyrë që bashkë edhe me zyrtarë të KFOR-it të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së urës në Bistricë, në rrugën Prishtinë – Rashkë. Saktësisht në udhëkryqin ku është vendosur një kryq i madh i metaltë, rreth 200 serbë kanë vendosur në rrugë autobusë dhe vetura.
Në vend e ngjarjes ndodheshin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës ndërsa janë parë edhe autoambulanca të parkuara.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, u ka thënë medieve në veri se banorët lokalë pavarësisht mbështetjes dhe respektit për KFOR-in dhe veprimet e aksionet humanitare që realizon në atë pjesë, në këtë rast rregullimin e urës, që nga mëngjesi janë të shqetësuar tej mase, për shkak, siç ka thënë Rakiq, të “politizimit të ceremonisë së hapjes së urës së rinovuar”.

“Banorëve u është thënë se pas rinovimit të urës së Bistricës në ceremoninë e hapjes së urës duhet të marrin pjesë edhe ministrat kosovarë, por edhe disa njësi të të ashtuquajturës Forcë e Sigurisë së Kosovës. Popullata që nga mëngjesi është shqetësuar për këtë. Nga ana tjetër, qytetarët kanë konsideratë të plotë dhe respekt për aksionet humanitare të KFOR-it, por edhe për zyrtarët e KFOR-it, por janë kundër çfarëdo politizimi të mandatit të tyre. Apeloj tek opinioni që të jetë i qetë, por edhe në zyrtarët e KFOR-it që të kenë kujdes se si sillen në bashkësinë serbe”, ka thënë Rakaiq.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili nuk ka kurrfarë kompetencash në atë pjesë ku serbët kishin bllokuar rrugën, pasi që fshati Rudare i takon administrativisht komunës së Zveçanit, ka shfrytëzuar rastin që t’ua tërheqë vërejtjen krerëve të institucioneve të Kosovës, si dhe vetë kryeministrit Mustafa se nuk mund të shkojnë në veri. Sipas Rakiqit, në atë pjesë nuk mund të kalojë as FSK-ja.
“Të gjithë duhet të kenë kujdes me serbët, që të mos i shqetësojnë. Qytetarët e veriut nuk do të lejojnë kurrë që gjërat të politizohen”, ka thënë Rakiq, i cili ka përsëritur apelin për pjesëtarët e KFOR-it që të kenë kujdes se si sillen me serbët e asaj pjesë.

Njësitë e KFOR-it kanë qëndruar në jug të Mitrovicës dhe nuk kanë kaluar rrugën për tek ura e Bistricës, të cilën KFOR-i e ka rinovuar për një kohë të gjatë. Por, megjithatë bllokadën në rrugë e për të mos u kthyer pa kryer punë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ministri i FSK-së, Haki Demolli, ministri i Punëve të Brendshme, Skenderaj Hyseni, si dhe komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, kanë arritur të shkojnë tek ura e Bistricës dhe kanë marrë pjesë në hapjen e urës së rinovuar. Ata kanë shfrytëzuar rrugët alternative, larg nga rruga rajonale Mitrovicë – Leposaviq./Zeri/.

Kajtaz Gecaj / Zveçan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu