Nait Hasani, Thaçit: Bisedimet politike për veriun, nisin luftë të re

0
783

Përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Kosovës kane thënë se nëse veriu hyn në bisedime, situata në vend mund të përshkallëzohet.

Deputetët e pozitës dhe opozitës kanë thënë se Qeveria duhet të heq dorë nga koncesionet që po bën në bisedimet në Bruksel. Reagimet e partive politike vijnë pas një deklarate të komandantit të KFOR-it Erhard Drews se për veriun nevojitet vetëm një zgjidhje politike.

Nuk janë vetëm deputetët e opozitës që po kundërshtojnë bisedimet në Bruksel, duke i bërë thirrje Qeverisë që të ndërpres koncesionet në bisedimet me Serbinë. Madje deputeti i partisë Demokratike, Nait Hasani, i ka thënë shefit të tij Hashim Thaçit se nëse mendon që me bisedime politike të zgjidhë çështjen e veriut, ai do të ndez edhe njëherë luftën në Kosovë.

“Deklaratat e KFOR-it dhe EULEX-it janë mjerane. Edhe deklaratat e Robert Cooper’it po tregojnë se ne nuk kemi pasur asnjëherë bisedime teknike me Serbinë. Kjo tregon që ne nuk kemi pasur një pavarësi të mirëfilltë. Ne kemi pasur një pavarësi jo të kontrolluar, por të shkatërruar. Ne kemi pasur vetëm kënaqjen e epsheve të disa njerëzve. Ata që mendojnë se me bisedime politike mund të zgjidhin çështjen e veriut gabojnë dhe ndezin edhe një luftë në Kosovë”, ka thënë Hasani.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqiu, ka thënë se Qeveria do të bisedojë tani edhe për veriun duke vazhduar të bëjë pazare në dëm të sovranitetit të Kosovës.

“Fatkeqësisht, pas fusnotës, Qeveria tani po hyn në bisedime për veriun, duke dhënë një pas një koncenisone dhe duke rrezikuar edhe sovranitetin e shtetit”, ka thënë Sahatqiu.

Ndërsa, Liburn Aliu, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se bisedimet duhet të ndërpriten.

“Nuk mund të flitet për veriun parcialisht tash ngase kjo është pjesë e një zinxhiri të madh negociatash, të cilat kanë pru deri këtu. Ne vazhdojmë të kërkojmë atë që është opsioni i vetëm, ndërprerjen e negociatave dhe duhet të hidhen poshtë të gjitha marrëveshjet që janë bërë në negociata deri më tani”, ka thënë Aliu.

Përfaqësuesit e trupave paqeruajtëse në Kosovë dhe ata të misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit vazhdojnë të shohin çështjen e veriut si një problem që duhet të zgjidhet vetëm në rrugë politike. /rtk/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu