Nak Berisha, trimi që deri në vdekje e luftoi pushtimin serb

0
532

Rapsodet

Një ndër personalitetet e shquara të Lëvizjes Nacionalçlirimtare kundër pushtuesit serb, idealist i paepur për çlirim dhe bashkim kombëtar, luftëtar që kurrë nuk e hoqi pushkën nga dora përball armikut, guximtar që për afër një dekadë sfidoi pushtetin okupues serb duke goditur me forcë shpesh edhe qendrat më vendimmarrëse të tij, njëri ndër prijësit e suksesshëm të Çetës së vëllezërve Beqir dhe Zeqir Rexha, atdhetari Nak Berisha pati një jetë sa të vështirë e komplekse po aq edhe heroike.

Vështirë mund të gjendet një personazh i këtillë origjinal në historinë e luftëtarëve të lirisë, të gueriles shqiptare, të ashtuquajtur lëvizje kaçake, që përball ushtrisë, xhandarmërisë dhe forcave çetnike të pushtuesit qëndroi me një vendosmëri të pathyeshme duke mos pranuar të largohet nga vendlindja e tij deri në vdekje edhe pas aq shumë ndjekjesh, edhe pas aq shumë pritash dhe grackash që i kurdisi pushteti serb.

Familja Berisha nga Turiqevci i Skenderajt radhitet ndër familjet e mëdha shqiptare të kohës të dëgjuara për mikpritje, bujari, trimëri dhe atdhedashuri. Kjo familje zotëronte prona të shumta në Turiqevc dhe në saje të punës së ndershme ajo për vete kishte krijuar një gjendje të mirë ekonomike dhe materiale. Për hir të shtimit të krahut të punës, të sigurisë familjare dhe të shtimit të trashëgimtarëve të familjes, që vinte si shtrëngim i rrethanave të kohës, babai i Nakut, Jashari, ishte martuar me dy gra. Mirëpo, njerëz kokëshkretë dhe shpirtshitur, të yshtur nga armiku si dhe nga inatet e smira meskine, në pabesi, shtinë dhe e vranë Jasharin në moshën 26-vjeçare. Gruaja e dytë e Jasharit, bijë e familjes së njohur të Loshajve të Padalishtës, në kohën e vrasjes së të shoqit ishte shtatzënë. Pas vrasjes së bashkëshortit ajo kthehet në derën e prindërve me betimin e gruas besnike se nëse i lindë djalë nuk do të martohet kurrë, por, në kujtim te të shoqit, do të bëhet fli dhe do ta rrisë birin e tyre të përbashkët. Në këso kushtesh të rënda familjare si dhe në këso rrethanash konfuze shoqërore politike u lind Nak Berisha. Djalin e pagëzuan Jashar, me emrin e babës, por për shkak të plagës që nuk u shërua asnjëherë për humbjen e të atit, ai kurrë nuk do të thirrët në këtë emër.

Nak Berisha u lind dhe u rrit në familjen e Hajzer Loshit, familje kjo në zë për kultivimin e traditave dhe zakoneve shqiptare, familje e ndershme dhe bujare, por që edhe armët i mbante gjithmonë plot për armiqtë e atdheut. Nën përkujdesjen e dajë Hajzerit, Nak Berisha fejohet me vajzën e Smajl Niman Salihaj nga Kerrnina. Në të njëjtën kohë edhe babëgjyshi i Tueriqevcit e fejon Nakun me një vajzë nga një familje e fshatit Brojë. Me të dy gratë Nak Berisha jetoi në harmoni për respekt. Me gruan e parë ai pati tre fëmijë: Brahimin, Imerin dhe Zelfijen, ndërsa me gruan e dytë, sipas Imer Jetish Berishës, plakut shtatëdhjetë e pesë vjeçar, pati Rukën, Elfijen dhe Rexhepin.Vend për të jetuar Nak Berisha e zgjodhi Kërrninën, një fshat me toke pjellore të rrethuar gjithandej me male dhe me bukuri përrallore. Në Kerrninë, me hisen që kishte marrur nga xhaxhallarët në Turiqevc, Naku kishte blerë 18 hektarë tokë.

Nak Berisha u lind në rrethana të jashtëzakonshme, në një kohë kur populli shqiptar po vuante tagrin pesëqind vjeçar të pushtimit turk. U rritë dhe u edukua te dajat, në frymën e atdhedashurisë, gjithmonë duke pasur për model trimat e fisit të babës, dajallarët dhe heronjtë e kohës

***

Pas luftës së Parë Botërore Serbia, e mbështetur dhe në aleancë me ushtrinë franceze, u rikthye përsëri me një egërsi edhe më të madhe në Kosovën e rraskapitur, të dërmuar dhe të plagosur pas kryengritjeve dhe luftërave të pa reshtura për liri dhe bashkim kombëtar. Konferenca e Londrës e vitit 1913, për të kënaqur orekset pushtuese të Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi, padrejtësisht kishte legjitimuar copëtimin e trojeve dhe të popullit shqiptar. Pushteti i Serbisë dhe Malit të Zi në Kosovë dhe në trevat tjera shqiptare ishte sa i papranueshëm po aq edhe kobzi sepse në vete po barte arsenalin më çnjerëzor të një okupimi kolonialist. Duke vrarë në masë, duke djegur fshatra dhe krahina të tëra, duke dhunuar mizorisht një popull të tërë, duke i ngarkuar me punë të rënda „hangari“, duke plaçkitur pamëshirshëm, duke i shpronësuar nga toka, duke ua ndërruar fenë me dhunë dhe, më në fund, duke i dëbuar me dhunë nga vatrat shekullore, okupatori serb mbi popullin shqiptar instaloi të gjithë mekanizmat e mundshme të gjenocidit dhe të etnocidit.

Përball këtyre tendencave kobzeza të pushtuesve serbë u ngritën bijtë më të mirë të Kosovës martire, të cilët, duke ndërtuar barrikadën e pakalueshme të atdheut, u bënë roje e përhershme e trojeve dhe e popullit të shumëvuajtur shqiptar. Të inspiruar nga vendimet e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës që udhëhiqej nga atdhetarët Hoxhë Kadriu, Hasan Prishtina, Azem Galica etj., ata u grupuan nëpër çeta të armatosura të luftëtarëve të lirisë duke dhënë kështu një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e atdheut dhe të popullit shqiptar . Krijimi i çetave të lirisë, të ashtuquajtura çeta kaçake, për një periudhë të mirë kohore u prishi shumë plane administratës kolonialiste e pushtuese serbe në Kosovë si dhe fuqive të mëdha vendim marrëse evropiane. Prandaj, në përpjekje për të shuar organizimin dhe qëndresën shqiptare, mekanizmat e pushtetit serb, si ushtria, xhandarmëria, forcat e falangës çetnike, etj., përmes koordinimit të veprimeve në terren, nuk lanë metodë pa përdorë me qëllim të eliminimit të elementit atdhetar, të njerëzve me ndikim në popull si dhe të prijësve të çetave të lirisë.

Në vazhdën e këtyre përpjekjeve të ethshme represive të pushtuesit serb është edhe masakra e vitit 1918 në fshatin Turiqevc, ditën e Shën Gjergjit, kur nga ushtria serbe vriten bijtë e axhës së Nak Berishës, Tafil Imeri dhe Halil Imeri si dhe vëllai i Nakut nga babai, Fazli Jashari. Ekzekutimi i anëtarëve të familjes Berisha u bë në shtëpinë e tyre dhe u udhëhoq nga oficerët Pop Guxhumi, Llok Majstori dhe Pipivoda. Kjo masakër ishte organizuar si hakmarrje për shkak së shtëpia e Tafil Imerit ishte shndërruar në bazë për çetën e Azem Bejtës. Po atë ditë u ekzekutuan edhe 18 burra të fisit Berishë. Në ndërkohë, Azem Bejta, i cili ndodhej në Rezallë, me të kuptuar plojën që kishte ndodhur mbi fisin Berishë të Turiqevcit, vet i gjashtëmbëdhjeti sulmon Kishën e Deviçit me të cilin rast vrau 61 ushtarë e xhandarë, vrau popin dhe i vuri zjarrin kishës nga e cila po i vinin të gjitha të këqijat popullit të Drenicës dhe më gjerë. Kisha e Deviçit dhe simotrat e saj, ishin shndërruar në shtabe operative prej nga drejtoheshin format e represionit dhe sulmet ushtarake ndaj shqiptarëve. Meqë ushtria serbe kishte marrë urdhër të vriste të gjithë meshkujt në Drenicë, madje edhe ata që ishin fëmijë në djep, sulmi i Azemit prapësoi këto qëllime të kobshme që ishin ndërthurur si skenar për ta lënë Drenicën në gra. Isuf Vojvoda, një shqipfolës që shërbente si rrogëtar në kishë, u urdhërua ato ditë nga komandanti i ushtrisë serbe t’ia dërgonte një letër Azemit përmes së cilës i kërkohej që të dorëzohej ose ta priste për luftë në Rezallë. Azem Bejta me një gjakftohtësi të pashoqe në anën tjetër të letrës komandantit serb ia kthen këto fjalë: “Hajde kur të duash se ke me pasë luftë me krejt Drenicën”. I ndodhur përballë një përgjigjeje kaq të vendosur e të prerë, komandantit të ushtrisë serbe nuk i mbetej tjetër përveç konsultës me qarqet politike dhe ushtarake në Beograd, të cilat e

këshillojnë që të mos nguteshin në veprime të pamatura, sepse duheshin studiuar forma më përfide për eliminimin e Azemit dhe shokëve të tij.

Sipas dëshmive të Imer Berishës, në masakrën e Turiqevcit, skuadrën e pushkatimit e përbënin edhe serbo-çetniket Teodosia, Toca, Spasoja dhe Dimitria nga fshati Belicë, afër fshatit Kerrninë, në të cilin, tashti më, në pronën e tij jetonte Nak Berisha. Me të marrë vesh mandatën kobzezë të vëllezërve të tij dhe të kushërinjve të fisit, Nak Berisha betohet për hakmarrje deri në shfarosje kundër ekzekutorëve të masakrës. Dhe, pa hezituar shumë, së bashku me Sadri Shalën, shokun më trim dhe më besnik të jetës, Nak Berisha harton planin e pritës te vendi i quajtur Lluga e Shapiqit, nëpër të cilin shteg pritej të kalonin Toca, Teodosia, Dimitria dhe Spasoja për të festuar masakrën e Turiqevcit me bashkëvendësit e tyre në Kishën e Belicës. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, serbo-çetniku Dimitrije, paramilitar me përvojë, u kërkon duel Nakut dhe Sadrisë, si në kohëra të vjetra. Sadri Shala, një burrë sypatrembur, përkundër kërkesës së Nakut, që të mos bie në grackën e pabesisë së shkive, ngrihet për t’u përballur në duel me Dimitrinë. Në ndërkohë katër pushkë zbrazën njëherazi në drejtim të trupit të Sadrisë duke e plagosur për vdekje. Duke qëndruar në këmbë si një qarr shekullor, Sadri Shala, për herë të fundit, përmbledh forcat dhe zbrazë plumbat e mbetur në mauzerin e tij. Me këtë rast, sipas dëshmive të mëvonshme të Nakut, ai plagos për vdekje Dimitrinë. I vetëm, përballë katër serboçetnikëve, me një plagë edhe më të madhe në zemër për humbjen e shokut më të mirë të jetës, Naku lufton si luan. Në një betejë të pabarabartë për jetë a vdekje, pas disa orësh lufte, Naku arrin t’i shtrijë për tokë kriminelët e vëllezërve dhe fisit të tij. Pas fshehjes së kufomës së Sadri Shalës në pyllin përbri, Nak Berisha, sipas përbetimit, niset për të marr hakun deri në fund, tashmë edhe me një arsye më shumë, për humbjen e shokut të tij besnik. Naku sulmon kishën në të cilën ishin mbledhur një numër i konsiderueshëm i serbëve për të festuar. Edhe këtu zhvillohet një luftë e ashpër ku pati disa të vrarë dhe të plagosur. Të frikësuar deri në palcë serbët marrin arratinë ku sytë këmbët. Kjo ishte ndeshja e parë që do t’u paraprinte ndeshjeve të tjera të armatosura përkrah trimave të dëgjuar si Kamer e Murat Loshi, Beqir e Zeqir Rexha, çetat e të cilëve kishin filluar të konsolidoheshin nëpër malet e Drenicës dhe Istogut duke sulmuar strukturat e armatosura serbe dhe ideatorët e tyre.

***

Pushtuesi serb, ende i pa konsoliduar në trojet e Arbërisë së Vogël, krahas aparatit represiv përpiqej të fuste në veprim edhe mjetet diplomatike me qëllim të blerjes së kohës për të përfituar deri sa të konsolidohej si pushtet. Në rrethana të këtilla naçallniku i Rakoshit fton krerët shqiptarë me ndikim për një marrëveshje armëpushimi. Ftesës për t’u paraqitur në komunën e Rakoshit i përgjigjën vëllëzërit Beqir, Zeqir e Tahir Rexha, Nak Berisha, Sokol Rama, Dan Salihu si dhe Cen Llugiqi, të cilët pretendonin t’ia vënë disa kushte pushtetit serb për ta ndalur dhunën dhe represionin ndaj popullatës shqiptare. Ftesa që u ishte bërë krerëve më me ndikim nga popullata shqiptare e rrethinës së Rakoshit ishte vetëm një manovrim për ta futur në kurthë dhe për ta eliminuar përgjithmonë elementin kryengritës shqiptar i cili kishte arritur të marrë përpjesëtime të rrezikshme për pushtetin okupues serb. Përfaqësuesit shqiptarë posa hynë në Rakosh, në çastin kur ishin duke blerë duhan dhe duke pirë kafe në hanin e Zor Mumiqit, rrethohen nga forca të shumta ushtarake, të xhandarmërisë dhe paramilitarëve serbë. Komandanti dhe zëvendësi i forcave të armatosura serbe, duke besuar se tashmë i kishte futur në grackën e dëshiruar prijësit e komitës shqiptare dhe duke besuar se tashmë ata do të dorëzohen, hyjnë në kafene dhe u drejtohen komitëve që t’i dorëzojnë armët ngase ishin të rrethuar nga të gjitha anët. Ata akuzojnë komitën, pra çetat e lirisë, se po kryekan vepra në kundërshtim me ligjin, prandaj edhe duhej të dorëzoheshin. Të pyetur nga komandanti së kush e

kishte vrarë ditë më parë Tocën me shokë, Nak Berisha, pa iu dridhur zëri e as qerpiku i syrit, i përgjigjet shkurt: “me këtë pushkë që kam në dorë i kam vrarë 28, ndërsa me ju të dy do t’i bëjë tridhjetë.” Duke e parë së kishin rënë në kurthin e pabesisë serbe, Nak Berisha me shokë, jo vetëm që nuk pranojnë të dorëzohen, por zënë peng oficerët madhorë dhe nën presionin e tytave të pushkës i përdorin ata si mburojë për të çarë rrethimin. Përkundër kërkesës së oficerëve serbë, të cilët nga ushtarët dhe xhandarët serbë kërkojnë që të mos shtinë, lufta fillon nga të gjitha drejtimet. Në të shtënat e para vritet Cen Llugiqi, ndërsa plagoset Dan Salihi. Duke e parë rrezikun e mundshëm të vrasjes së tyre, Nak Berisha me dorën e vet paraprakisht ekzekuton të dy oficerët serbë. Pas një lufte të ashpër dhe të pabarabartë, luftëtarët e lirisë duke e njohur çdo pëllëmbë të truallit të tyre stërgjyshor arrijnë të çajnë rrethimin. Në shenjë hakmarrje pushteti okupues serb, pas dy disfatave që kishte pësuar nga Nak Berisha me shokë, dogji gjithë Kerrninën me rrethinë. Xhandarmëria serbe kishte shpresuar së mund ta zinte peng familjen e Nakut në mënyrë që atij t’i vinte kushte të dorëzimit. Në shtëpinë e Nakut ata gjejnë baballëkun e tij Smajl Nimanin të cilin e vrasin barbarisht. Nak Berisha i vetëdijshëm për rrugën që kishte marrë, paraprakisht familjen e tij e kishte strehuar te familja Kapiti në fshatin Zallq të komunës së Burimit (ish Istog). Represioni ishte aq brutal sa nuk u kursyen as pleq, as gra, as fëmijë. Hap tjetër që ndërmori pushteti serb ishte edhe shpronësimi dhe konfiskimi i pronave të kaçakëve (luftëtarëve të lirisë) dhe përndjekja e të gjitha familjeve që mbanin kontakte dhe i ndihmonin ata.

***

Represioni dhe dhuna ushtarako policore, masat drastike administrative që po ndërmerrte pushteti okupues kolonialist serb kishte shtuar radhët e çetave të luftëtarëve të lirisë të cilët kishin dalë maleve për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e tyre të mohuara. Në këtë kohë për Nak Berishën dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës fillon një fazë e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet udhëheqësve dhe çetave të tyre. Ndonëse ishin të përndjekur dhe të vëzhguar nga forcat armike edhe Lëvizja kryente detyrat e saj duke vrarë të gjithë ata që përpiqeshin që ta poshtëronin popullin shqiptar. Krismat e pushkëve në këtë periudhë kohore po jehonin më shumë së kurrë më parë Çetat e Azem Galicës, Mehmet Konjuhit, Beqir Rexhës, Idriz Seferit, Kamer Loshit, Sadik Ramës, Sali Shabanit, Kerit të Sadri Bardhit, Fazli Beranit, Mehmet Delisë, Ilaz Reçakut, Mulla Agan Kajës, Ramë Bekës dhe shumë çeta të tjera të vogla u bënë tmerri i armiqve dhe krenaria e dashuria e popullit liridashës shqiptar. Nak Berisha në këtë periudhë kohore gjendej aty ku vlonte pushka, në betejat më të vështira. Gjatë dimrave kur jeta nëpër male bëhej e pamundshme, Naku së bashku me familjen e tij strehohej të familja atdhetare e Fazli Junikut nga Juniku, i cili ishte mik i besës dhe bujar, ndërsa kthehej në vendlindje me syrin e pranverës për t’i qëndruar besnik shtëpisë, njerëzve të tij, për t’i dalë zot lirisë dhe tokës arbërore.

***

Pas vrasjes së Azem Galicës dhe rënies së Zonës së lirë të Drenicës ose „shtetit në shtet“, siç shprehej shtypi serb, Serbia deri diku filloi të vë pushtet në Kosovë, ndërsa edhe çetave të vogla të lirisë po u ngushtohej veprimi. Në këtë periudhë Nak Berisha mbetet pothuajse i vetmuar si luftëtar në malet e Stojevcit, Tuçepit, Polanës, Ozdrimit e Rakinicës. Një pjesë e prijësve dhe e luftëtarëve të shquar të çetave tashti më ishin vrarë në përpjekje me forcat serbe, ndërsa një pjesë tjetër e tyre, në pritje të një kohe më të mirë, ishin strehuar nëpër vise më të qeta e sidomos në Zonën Neutrale në Junik dhe në Shqipëri. Nak Berishës nuk i bënte zemra ta lëshonte Drenicën edhe pse e dinte së ishte vënë në shënjestër të okupatorit serb. Për të dhe shokët e tij të mbetur filluan ditë të vështira. Bazat ku ai strehohej ishin vënë në përgjim të vazhdueshëm njëzetë e katër orësh. Ai nuk e kishte për gjë që tokën ta kishte shtrojë dhe qiellin mbulojë. Kjo ishte rruga jetësore që kishte zgjedhur jo më dëshirë, por që i ishte imponuar padrejtësisht. Duke jetuar nëpër male ushqehej me gjithçka të mundshme pa u rënë në qafë dhe pa i bezdisur të tjerët. Një ditë derisa ishte duke pjekur misër shtalb për të mbajtur trupin gjallë në vendin e quajtur Lisat e Osojanit rrethohet nga çetnikë të armatosur, kryesisht meshkuj të familjes Gjuriq. Në këtë përballje, pas një kundërvënie të ashpër që ju bëhet serbëve, Naku arrin t’i lë të vrarë gjashtë çetnikë të armatosur të fshatit Osojan. Pushka e Nakut villte zjarr sa herë që e kërkonte nevoja. Ajo godiste në cak sepse duart e Nak Berishës dhe syri i tij shqiponjë ishin zotuar për të qëndruar në shërbim të atdheut deri në çastin e fundit. Kishte kohë që emri i Nak Berishës ishte shndërruar në tmerr për armikun dhe në shpresë për popullatën shqiptare e cila po përjetonte periudhën më të vështirë të zezonës. Naku bridhte para hundëve të okupatorit, jipte goditje kundër kriminelëve serbë dhe zhdukej si hije. Përveç urdhëresës që ish dhënë për ta vrarë, shteti serb kishte shpallur edhe shpërblim të majm për atë që do ta vriste Nak Berishën. Pusitë i ishin vënë në të gjitha pikë kalimet strategjike, andej ku mendohej së mund të kalonte ai. Për t’i ikur ndjekjes së vazhdueshme, e cila ishte bërë mision sublim i pushtetit okupator serb, Naku vendos që për ndonjë ditë të strehohet te Xhemajl Izbica nga fshati Izbicë, një mik i tij i besës. Gjatë manovrimeve të tij në trekëndëshin Belicë-Kerrninë-Izbicë Naku bie në istikamet e kamufluara të xhandarmërisë serbe. Edhe në këtë rast, si shumë herë të tjera, ai ndodhet i vetëm përballë lukunisë së egërsuar serbomadhe që në vazhdimësi kërkonte gjak. Duke qenë së terreni ishte bukur i përshtatshëm për kundërpërgjigje, me gjakftohtësinë e një luftëtari tashmë të rryer që nuk i bënte përshtypje asgjë, sepse tashmë e kishte kuptuar së jetën nga vdekja jo rrallë e ndante një fije floku, Nak Berisha vendosë që të luftojë deri në qelizën e fundit, vendosë që të vdes me faqe të bardhë, ashtu siç i ka hije vetëm luftëtarit të lirisë së atdheut. Në këtë pritë, sipas dëshmive të Ramë Zekës nga fshati Drejë, i cili i veshur në uniformën e xhandarit gjendej në anën e forcave serbe, pas disa orë luftimesh që u bënë kundër Nak Berishës nga pala serbe në fushëbetejë mbetën 23 xhandarë të vrarë dhe disa të plagosur. Naku edhe këtë here, mes përmes breshërisë së plumbave, në saje të pushkës e cila nuk e kishte tradhtuar kurrë, arrin që fitimtar ta çajë rrethimin.

Një përpjekje të radhës me forcat çetnike serbe Nak Berisha e pati edhe në Grykën e Drethit kur paramilitarë të armatosur deri në dhëmbë kishin në plan të terrorizojnë, të plaçkisin dhe të masakrojnë banorët Syrigonës dhe të Padalishtës. Edhe në këtë rast Naku së bashku me Hasan Rexhën nga fshati Bollopojë dhe me dy luftëtarë të tjerë, trupat e tyre i kthejnë në mburojë të popullit, në të njëjtën kohë kur disa bashkëluftëtarë të tjerë të tyre nuk pranuan të futën në konflikt të armatosur me arsyetim së kjo ndërmarrje do ta tensionojë edhe më shumë situatën edhe ashtu të rënduar. Sidoqoftë, hordhitë serboçetnike morën një mësim të mirë nga katër trima të cilët ishin besatuar së më parë do të vdisnin së sa t’i lejonin bandat çetnike të depërtojnë në vatrat shekullore shqiptare. Pas këtij rasti, i tronditur deri në palcë, pushteti serb aktivizon gjithë mekanizmat e mundshëm duke kërkuar ndihmë edhe nga qendra të tjera për t’i dhënë fund rastit të Nak Berishës, i cili për popullin e shtypur shqiptar po kthehej në legjendë të gjallë dhe në shpresë të madhe. Intensifikimi i ndjekjes në shkallë të gjerë dhe të vazhdueshme nga pushteti bëri që Nak Berisha përkohësisht të largohet nga vendlindja e tij dhe të gjejë strehë në vendin e quajtur Lluga e Mulakut në fshatin Burojë. I lodhur, i rraskapitur dhe i uritur për vdekje Nak Berisha strehohet larg syve të kalimtarëve për ta marrë vetën para së të vendoste të merrte ndonjë vendim të mëtutjeshëm. Por pabesia dhe tradhtia kishte filluar të ngrit kokë. Llumi i kombit po shndërrohej në dorë të zgjatur të pushtetit okupues vetëm për pak para, për ndonjë pozitë hyzmeqari, për një palë rrobe të xhandarit dhe për një armë të fëlliqur duke ngulur kështu pabesisht thikën mbi shpatullat e bijve më të mirë të popullit të cilët po martirizoheshin për lirinë, për tokën, për gjuhën shqipe, për traditat e kultivuara brez pas brezi. Në këto rrethana zbulohet edhe vendi i strehimit të Nak Berishës. Shpirtshituri Brahim Mulaku-Qosja, heton çunin Beqir Mulaku, bari delesh, djalë i tezes së Nakut, që po i çonte ushqime Nakut. Me të hetuar vendndodhjen e Nakut, Brahim Mulaku niset kaluar për në Deviç për të dhënë informata të sakta dhe njëkohësisht për të kërkuar shpërblimin e tradhtisë.

Me përforcime shtesë nga posta tjera të xhandarmërisë, me ushtri të rregullt dhe me banda çetnikesh rrethohet tërë fshati Burojë e në veçanti Lluga e Mulakut. Xhandarmëria me shpejtësi të madhe largon nga shtëpitë banorët e fshatit, posaçërisht ata nga lagjja e Mulakëve, për t’i përdorur shtëpitë e tyre si fortifikata. Lufta fillon herët në mëngjes. Një luftë për jetë a vdekje. Kësaj radhe krejt më ndryshe nga luftërat e mëparshme sepse në radhët e xhandarmërisë ishin regrutuar edhe shqiptarë, të cilët po shtinin me armë mbi gjakun e tyre, mbi lirinë e popullit të vet, mbi atdheun e robëruar nga shkau. Gjatë luftimeve fyt më fyt Naku dëgjon klithma në gjuhën shqipe “kuku nanë” dhe vetëm atëherë e kupton se në radhët e forcave serbe ishin regrutuar edhe shqiptarët e shkretë. Fishekët dhe forcat po i mbaronin. Në luftë e sipër shfrytëzon rastin për të kërkuar me zë të lartë që t’i hidhnin fishekë dhe që shqiptarët të kalonin në anën e tij. Por jo, një gjë e tillë nuk ndodhi. Me ata dy tre fishekë që i kishin mbetur Nak Berisha ngrihet në këmbë për të fundit herë. Në përleshje grykë më grykë Nak Berisha dhe Jakup Jetullahu vrasin njëri-tjetrin. Gjëmë e llahtarshme! Njëri bie në mbrojtje të lirisë së atdheut për të mos vdekur kurrë! Tjetri bie në mbrojtje të robërisë për t’u kujtuar ndër breza si tradhtar gjak qelbur! Në këtë betejë, sipas dëshmitarëve, mbetën të vrarë 18 ushtarë dhe xhandarë serbë si dhe shqipfolësit Ahmet Loshi nga Syrigona dhe Istref Smajli nga Vojniku.

***

Trupi i pajetë i Nak Berishës u bart në fshatin Turiqevc për t’u ekspozuar para komunës. Banorët e fshatrave për rreth u ftuan me tellall. Pushteti po festonte dhe po kërcënohej…Tregojnë se gjatë ekspozesë një oficer serb Nak Berishën e vdekur, të shtrirë për tokë, e qëllon me çizme në kokë, ndërsa oficeri tjetër madhor, në të njëjtën kohë, i bie oficerit me kamxhik duke i thënë “po e qëllon sot për së vdekuri, kurse për së gjali nuk guxoje t’i afroheshe as në distancë të plumbit të pushkës”… Gjatë „ceremonisë“, përmes të një dekreti të komunës, poppulli urdhërohej që kufoma e Nak Berishës të mos varroset në varreza publike, por ajo të hidhej në një përrua. Më gjithë ketë trupi i këtij kolosi të tokës arbërore u varros në heshtje pikëlluese dhe fshehurazi në një mezhdë të gjelbëruar që ndanë Turiqevcin dhe Burojen. Kështu pas një veprimtarie të gjerë patriotike dhe luftarake, më 13 shtator të vitit 1925, mori fund jeta e Nak Berishës, luftëtarit të lirisë, prijësit të çetave të Drenicës, trimit të këngës, burrit që për shtatë vjet me radhë qëndroi kala e pamposhtur me pushkë në dorë në mbrojtje të popullit, në mbrojtje të atdheut. Rruga e Nak Berishës nuk ishte dhe as mbeti rast i izoluar për fisin Berisha. Nga trungu i kësaj familje rrugën e tij atdhetare do ta vazhdojë me një devotshmëri të pa shoqe i biri i tij Rexhepi, ndërsa më vonë, një kontribut të çmuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhanë një numër i konsiderueshëm i bijve të këtij trungu, nga të cilët dy ranë dëshmorë të kombit dhe disa të tjerë mbetën të plagosur duke dhënë gjak për lirinë e trojeve shekullore shqiptare. Degët e trungut të familjes së Nak Berishës sot i gjejmë të shtrira në Pejë, Skenderaj, Drejë, Mitrovicë, Turiqevc, etj.

Shënim: Këtë shkrim, në masë të madhe, me shumë të dhëna, e ndihmoi plaku i urtë dhe atdhetar, Imer Jetish Berisha, i cili edhe pse në moshë 75 vjeçare karakterizohet me një kthjelltësi mendimi, me një kujtesë deri në detaje, me urtësi burri dhe me një vizion origjinal lidhur me lirinë dhe bashkimin kombëtar, vlerë kjo e trashëguar nga tradita e paraardhësve të tij, për çka e falënderoj nga zemra.

Burim, më 09. 09. 2010

 

 

 

KËNGË PËR NAK BERISHËN

 

Krisi pushka n’Belicë te kisha

 

Po lufton Nak Berisha

 

Fort luftoi Naki me Sadrinë

 

E vranë Spasën e Dimitrinë

E vranë Tocen e Teodesinë…

Sadri Shala azgan ish kanë

Po u del shkive për mejdan

Nak Berisha na u çue në kamë

Te Sadria Naku po shkon

Gjallë Sadrinë po ma gjanë

Sadri Shala djalë i ka thanë

T’parën pritë kur e kemi nxanë

Folë ta kam nji fjalë të ranë

Mos me u dalë shkive n’ mejdan

Se s’gjunë nja po t’gjujnë të tanë

Ditë e kam qikjohja që t’gjanë

Kush po ngjitet Lugut Kërnins

Nak Berisha i pari komits

Nakut shoktë na i kanë thanë

Nak Berisha ku po na çonë

O ku po don Nako me shkue

N’hyqymet shokë me u afrue

Politikë shokë n’mujshim me ‘nue

N’hanë t’Rakoshit Naki po shkon

Me m’dhanë letra me m’dhanë duhan

Janë tre muj n’këtë han s’jam kanë

E në kafe Naku po shkon

Shkon në kafe kafe me pi

Naçallniku me xhanari

Nja treqind more civili

N’rreth Rakoshin e ka shti

Vetë i dyti n’kafe a hi

Vetë i dyti n’kafe po shkon

Shoktë e Nakit u çunë në kamë

Nak Berisha venit s’po lunë

Naçallniki Nakin ma dvetë

Po mu Tocën o kush ma pretë

Nak Berisha at’herë po flet

Naçallnik te t’ka met hilet

Me dorë teme i kam ra manxerrkë

S’kam vra shumë veç tetëmdhetë

Kam ymyd sot po i baj njizet

Naçallniku n’kam a çue

Hajde Nak ni besë me ‘nue

Prej kti veni m’u largue

Ta dhashë besën s’kam me t’luftue

Nak Berisha at’herë po flet

O ruje kryt se po vras apet

Deri t’i baj njizet e tetë

Naçallnikut o i ka ra manxerrkë.

 

Shkruan: Prof. Qerim Rexhaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu