Naser Zyberi për Zhurnal: Evrokomesari Han dështoi, partitë shqiptare vetëm spektatorë

0
634

naser_zyberi

Shkup, 3 qershor – Ish politikani dhe njohësi i mirë i zhvillimeve politike në Maqedoni, Naser Zyberi në një bisedë për Agjencinë e lajmeve “Zhurnal” deklaroi se është skeptik lidhur me marrëveshjen e arritur dje në Shkup në prani të evrokomesarit Johanes Han.

Sipas tij, punët nuk kanë shkuar ashtu siç duhet, që fillimisht qeveria e Gruevskit të jep dorëheqje të parevokueshme dhe më pas të bëhen ndryshimet thelbësore në institucionet e shtetit si në Gjykatë, Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Prokurori, polici dhe të tjera.

Sipas Zyberit, marrëveshja e promovuar dje nga Evrokomesari Han në start është e dështuar pasi njëherësh ai duhet të kërkonte dorëheqejne e Gruevskit dhe më pas të reformohen institucionet e Maqedonisë. Analisti politik Zyberi të vetmen shpresë për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni e sheh në diplomacinë amerikane siç ndodhi në vitin 2001 kur diplomati amerikan Xhejms Perdju jepte urdhëra të prera.

Zhurnal: Si e vlerësoni marrëveshjen e arritur dje në Shkup dhe a mund të thuhet se është bërë hapi i parë për zgjidhjen e krizës politike?

Zyberi: Praktikisht mendoj se nuk është arritur ndonjë marrëveshje e cila mund të shihet si dalje nga kriza. Dakordimi i palëve se vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje të parakohshme është çështja më pak kontestuese dhe ajo do të kisha thënë duhej të ishte çështja e fundit dhe temë e bisedave dhe negociatave. Çështja e parë që duhet të shtrohet, rreth së cilës duhet të bisedohet dhe të ndërtohet qëndrimi apo kompromisi është dorëheqja e qeverisë, pastaj vendoset se çfarë qeverie do të ishte ajo e tranzicionit, teknike apo kalimtare. Nuk mundet të flitet për zgjedhje të parakohshme nëse nuk e din se kush do ti organizojë ato zgjedhje. Nuk mund të flitet për informim të drejtë me këtë qeveri, apo për gjyqësor të pavarur me këtë qeveri. Punët janë kapur prej nga mbrapshtë. Starti duhet të jetë, dorëheqja e qeverisë dhe formimi i qeverisë kalimtare.

Zhurnal: A mendoni se pas një jave në Bruksel ku do të zhvillohen sërish bisedime për tejkalimin e krizës, Gruevski do të detyrohet të japë dorëheqje?

Zyberi: Unë jam skeptik. Unë mendoj se evrokomesari Han nuk ka pasur nevojë të shkojë në Uashington dhe Bruksel me një rezultat të tillë që ka arritur se ka lëvizur prej pikës zero në lidhje me situatën në Maqedoni. Ai në pamundësi për të arritur diçka konkrete doli me këtë qëndrim që në fakt nuk paraqet kurrfarë rezultati për dalje nga kriza. Dalje nga kriza është vetëm dorëheqja e qeverisë. E gjithë kjo që ndodh bëhet që të dorëhiqet qeveria. Nëse nuk arrihet kjo nuk do të ketë as marrëveshje për zgjedhje të reja.

Zhurnal: Si e shihni rolin e partive shqiptare në gjithë këtë situatë?

Zyberi: Partitë shqiptare janë vetëm spektatorë në këtë situatë. Ata vetëm formalisht për shkak të insistimit të BDI-së për të qenë pjesë e tryezës mundohen në një mënyrë që t’ua plotësojnë atë dëshirë, përndryshe problemi është mes dy subjekteve politike maqedonase. Ju e shihni që në Bruksel, Strasburg shkojnë vetëm liderët e partive maqedonase në negociata. Këtu në Shkup para se të ulen që të katër liderët ka patur dialog vetëm mes Gruevskit dhe Zaevit. Roli i faktorit shqiptar në këtë situatë nuk është thelbësor dhe ai është më tepër procedural-formal.

Zhurnal: Nëse Gruevski nuk jep dorëheqje pas gjithë kësaj a pritet që të aktivizohet diplomacia amerikane?

Zyberi: Nuk do të ketë marrëveshje pa kyçjen e amerikanëve. Kyçja e faktorit amerikan është garanca më e mirë për dalje nga kriza. Faktori amerikan është më neutral në kuptimin e proviniencave politike, e djathtë, e majtë. Nuk janë si diplomacia evropiane. Nëse vjen Han e kupton se është nga partia e djathtë, nëse vjen Ivo Vajgel apo Eduard Kukan e kupton se janë nga partitë e majta dhe i shohin me dyshim qëndrimet e palëve. Vetëm Bashkimi Evropian (BE) nuk do të mund ta zgjidhë krizën dhe mendoj se SHBA do të jenë të detyruar të kyçen në zgjidhjen e krizës.

© ZHURNAL.mk

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu