Nazim Bllaca i dha fund dëshmisë kunder Fahredin Gashit dhe Hysri Ramës

0
804

Nazim Bllaca nuk do të ketë nevojë më të udhëtojë nga Ribari i Madh për në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Ai i dha fund dëshmisë kundër ish-shokut të tij, Fahredin Gashi dhe Hysri Ramës, duke u përballur me kundërshtimet e tyre. Tash në këtë proces flasin të tjerët.

I vetëshpallur se ka kryer krime në Kosovë, pas luftës, Nazim Bllaca ka përfunduar dëshminë e tij në seancën gjyqësore ndaj të akuzuarve Fahredin Gashi dhe Hysri Rama. Gjatë seancës, e cila ka zgjatur më shumë se tetë orë, dëshmitari Bllaca është marrë në pyetje nga të akuzuarit Gashi dhe Rama. I akuzuari Fahredin Gashi është ndalur te presioni, siç thotë ai, i Bllacës për të përfituar para.

Ai ka prezantuar një raport të përgjimeve telefonike që Bllaca kishte bërë me Hysri Ramën, Shaban Sylën dhe me persona të tjerë që kinse kishin bërë presion që t’i merrnin nga Fahredin Gashi 400 mijë euro. Mirëpo prokurori Mauricio Salustro ka kundërshtuar duke thënë se ka shumë dyshime, sepse nuk ka regjistrime, nuk ka transkript në shkesat e lëndës, sepse kanë humbur të gjitha. Në lidhje me këtë, ka insistuar pala mbrojtëse duke kërkuar nga policia që të sigurojë raportin e përgjimeve telefonike.

I akuzuari Gashi ka thënë se relevanca e këtyre bisedave të Bllacës është për të vërtetuar kredibilitetin edhe besueshmërinë e dëshmitarit bashkëpunues, pasi që, sipas tij, ai gjithherë ka qenë i shantazhuar nga Bllaca për qëllimet e tij financiare. “ E ka bërë për të më bërë shantazhe, sepse ka qenë zero prej parave dhe ka pasur borxhe tre milionë euro dhe ka menduar se duke më bërë shantazhe mua, do t’i laj borxhet e tij. Ky është motivi që e ka krijuar edhe rastin e vrasjes dhe në këtë rast unë jam viktimë e ky është reketashi”, tha Gashi. Ky e ka pyetur Bllacën rreth bisedës me të akuzuarin Rama dhe Qazim Shabani që nga Fahredin Gashi të kërkohen një milion euro. Por Bllaca e ka kundërshtuar këtë duke treguar se Qazim Shabani i ka thënë sa pare i kërkon për ta harruar emrin e Fahredin Gashit dhe Azem Sylës. Bllaca ka thënë se nga i akuzuari i ka kërkuar paratë që ia ka pasur borxh e që thotë se kanë qenë 220 mijë euro. Pastaj, i akuzuari Fahredin Gashi e ka pyetur Bllacën nëse ia kishte dërguar disa persona në lidhje me një CD që ky i fundit e kishte siguruar për një dëshmi që Gashi kishte dhënë për Tribunalin e Hagës.

Gashi tha se ajo CD ka qenë konfidenciale, ndërsa Bllaca e ka përdorur kundër tij për t’i kërkuar haraç. Gashi, tha Nazim Bllaca, vazhdimisht ka bërë presione ndaj familjes së tij, posaçërisht ndaj gruas dhe djalit, të cilët ka dashur t’i shkelë me veturë. Dëshmitari është pyetur nëse kishte ndonjë bllokadë biznesore ndaj tij në vitin 2006, pasi që sipas Gashit, kjo bllokadë ishte bërë pasi që Bllaca i kishte mashtruar vazhdimisht të gjithë dhe më askush nuk i ishte besuar.

I akuzuari tjetër, Hysri Rama, për të cilin Bllaca ka thënë se ka qenë i paguar nga SHIK-u që ta likuidojë atë, e ka pyetur Bllacën për shumë takime që i kanë pasur në mes vete. Rama e ka pyetur Bllacën nëse ka marrë rrogë nga Serbia, por dëshmitari e ka mohuar një gjë të tillë.

I akuzuari Rama i ka kujtuar atij se e ka dërguar me veturë deri në kufi me Serbinë, ku më pastaj Bllaca ka shkuar atje me taksi për t’i marrë gjashtë mijë euro nga disa zyrtarë të Policisë në Serbi. Këtu ka reaguar prokurori duke thënë se kjo pyetje nuk ka relevancë për rastin që po gjykohet. Mirëpo Tahir Rrecaj, avokati i Fahredin Gashit, ka reaguar duke thënë:

“Ka relevancë kjo pyetje, sepse nëse Bllaca ka marrë pagë prej Serbisë dhe kryeprokurorit serb, ky është montim politik dhe ky person është i paguar nga agjencitë e huaja. I akuzuari Rama i ka thënë Bllacës se shpesh e ka përmendur se vrasjen e Sali Gashit do t’ia ngarkojë Fahredin Gashit, edhe pse ai nuk ka lidhje me të. Kjo është hedhur poshtë nga Bllaca. Seanca e ardhshme për rastin e Fahredin Gashit do të mbahet më 22 qershor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu