Ndërkombëtarët duan sa me shpeit themelimin e Gjykatës Speciale

0
628

UCK

Zvarritjet për nxjerrjen e pakos së ligjeve për themelimin e Gjykatës Speciale, ka bërë që të alarmohen ndërkombëtarët. Siç ka marrë vesh Gazeta Blic nga burime brenda Qeverisë, ndërkombëtarët janë të shqetësuar me zvarritjet e institucioneve të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Edhe pse fillimisht ishte paraparë që Gjykata Speciale të themelohet në fillim të këtij viti, agjenda legjislative të cilën e ka dërguar Qeveria, parashihet që amandamentimi i Kushtetutës të ndodh tek në muajin qershor”, ka thënë ky burim. Sipas këtij burimi, duke i parë edhe zvarritjet që po ndodhin edhe në realizimin e kësaj agjende, atëherë do të jetë e vështirë që kjo të kompletohet deri para fundit të vitit legjislacioni për themelimin e kësaj gjykate.

“Ka tendenca nga njerëz në pushtet që gjithçka të shtyhet deri kah fillimi i vitit të ardhshëm”, ka thënë ky burim, duke mos dhënë detaje tjera.

Ndërkaq, Gazeta Blic merr vesh se PDK po tenton që ta shtyj votimin e këtij legjislacioni sa më gjatë që të jetë e mundur, në mënyrë që kryetari i saj, Hashim Thaçi t’i ketë votat që të zgjedhet president. “Qëllimi i PDK-së është që të mos prishet koalicioni deri në atë kohë, në mënyrë që Hashim Thaçi të vij në krye të shtetit”, ka thënë ndërkaq një burim brenda LDK-së.

Megjithatë, disa depuetetë të LDK-së edhe publikisht kanë deklaruar që Hashim Thaçin nuk do ta votojnë për president.

Nga Qeveria nuk kanë dhënë komente rreth kësaj çështjeje.

Ndërkohë, mediet para disa ditësh mediet kanë raportuar se përfaqësuesit e partive shqiptare në koalicionin qeveritar kanë hedhur në shqyrtim opsionin që votimi i bazës legale në Kuvendin e Kosovës për hapjen e Gjykatës Speciale të kushtëzohet me miratimin e legjislacionit për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Në këtë mënyrë, sipas këtyre medieve, synohet që nëse procesi shpie drejt ndryshimeve kushtetuese atëherë të sigurohen edhe 2/3 e votave të deputetëve të komuniteteve pakicë, që janë të domosdoshme për amendamentimin e aktit më të lartë juridik.

Ndërkaq, në një intervistë që para disa kohësh e ka dhënë ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi për Gazetën Blic ka thënë se, draftet do të vijnë drejtpërdrejtë nga Brukseli zyrtar.

“Draftet do të vijnë drejtpërdrejtë nga Brukseli. Ato nuk do t’i hartoj askush në Kosovë, por do të vijnë. Natyrisht që ne do t’i japim inputet tona gjithsecili, edhe subjektet politike. Kjo punë nuk është vetëm e Ministrisë së Drejtësisë, i Qeverisë apo vetëm i një partie politike, por kërkon një konsensus më të gjerë”, kishte thënë Kuçi për Gazetën Blic.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu