Ndërkombëtarët marrin në dorë drejtësinë shqiptare: SHBA ngre Byronë Kombëtare të Hetimi ndërsa BE prokurorinë speciale

0
610

Ndërkombëtarët marrin në dorë drejtësinë shqiptare: SHBA ngre Byronë Kombëtare të Hetimi ndërsa BE prokurorinë speciale

Bashkimi Europian ka nisur përgatitjet për të ngritur Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, e cila do luftojë korrupsionin në nivelet më të larta. Menjëherë pasi Komisioni i Venecias dha konfirmimin për ligjin e vetingut, tashmë ka nisur puna.

Teksa SHBA nga njëra anë është duke punuar për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, BE ka marrë në dorë Prokurorinë Speciale. Sipas burimeve, plani i ndërkombëtarëve është që fillimisht të ngrihet Byroja e Hetimit dhe Prokuroria Speciale, të cilat do nisin me hetimet dhe më pas të ngrihet Gjykata e Posaçme, pasi deri në vjeshtën e ardhshme do funksionojë Gjykata e Krimeve të Rënda.

Ditët e fundit, BE ka nisur të piketojë prokurorët që mund të kandidojnë për në Prokurorinë Speciale. Ajo do të ketë fillimisht 10 prokurorë dhe synimi është që të futen ata që janë sot te Krimet e Rënda. Dy ditë më parë, misioni EURALIUS dhe TAIEX (Organizatë e KE që asiston vendet që duan anëtarësim) kanë zhvilluar një sërë trajnimesh të një grupi prokurorësh të zgjedhur, sa i takon luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në takim janë ftuar individë, të cilët synohet që të futen dhe në SPAK shkruan SOT. Mësohet se aty ka pasur prokurorë nga Krimet e Rënda, Prokuroria e Përgjithshme, e Tiranës dhe disa prokurori të tjera. Interesant është fakti se me të dhënë rekomandimin pozitiv Komisioni i Venecias ka nisur puna për ngritjen e SPAK dhe përgatitjen e prokurorëve që do kryejnë arrestime “VIP”.

Trajnimet janë duke u kryer nga prokurorë të ardhur nga Gjermania, Belgjika, Kroacia dhe Rumania. Këto shtete kanë dhënë shembuj të luftës ndaj korrupsionit dhe ata u kanë dhënë eksperiencat e tyre prokurorëve shqiptarë. Teksa tani të gjithë janë në pritje të vetingut, duket se ka nisur numërimi mbrapsht për të korruptuarit. Pavarësisht tentativave për të sabotuar reformën, SHBA dhe BE nuk kanë ndërmend të tërhiqen dhe kjo është dukur qartë dhe në deklaratat publike të bëra ditët e fundit.

Sipas ligjit për korrupsionin, në SPAK do ketë një strukturë të posaçme që do merret vetëm me trajnimet. Çdo gjyqtar apo prokuror do i nënshtrohet trajnimeve të shpeshta. Shqipëria do ndjekë modelin kroat në shumë aspekte, teksa mësohet se ndihma e tyre do jetë kryesisht në dy aspekte: Në përgjime dhe në gjurmimin e parave të pista.

Sipas ekspertëve të fushës, në vendin tonë nuk ka shumë pajisje speciale për përgjime, teksa me ngritjen e Byrosë dhe Prokurorisë Speciale pritet që të vijnë pajisje, kjo falë ndihmës së FBI. Për këtë arsye do ketë trajnime të vazhdueshme. Sa u takon gjetjes së parave të pista, edhe aty do ketë një vëmendje. Mësohet se sapo të nisë zbatimi i reformës do të lidhen marrëveshje me një sërë organizmash ndërkombëtarë dhe falë ndihmës së tyre do të kontrollohen llogaritë dhe pronat e gjyqtarëve e zyrtarëve që i kanë jashtë vendit.

Me fillimin e vitit 2017 duket se do nisë të fryjë një erë e re në gjyqësor, pasi pritet që të nisin dhe arrestimet VIP. Edhe pse klasa politike po bën ç’është e mundur që të bllokojë zbatimin e reformës, shembulli rumun apo ai kroat janë të pashmangshëm. Edhe atje ka pasur shumë rezistencë, por më pas qindra zyrtarë kanë shkuar pas hekurave për afera nga më të ndryshmet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu