Në 82 vjetorin e lindjes të Akademik Aleksandar Stipçeviq

0
850

b_951603267Bota shkencore ballkanike – evropiane dhe shqiptaro-arbërore më 10 tetor 2012 shënon 82 vjetorin e lindjes, të profesorit të nderuar, studiuesit e ilirologut me përmasa botërore, si dhe mikut tonë të përbashkët, Akademik Aleksandër (Shandri) Stipçeviq, në momentin kur Ai, lumturisht gëzon shëndet të plotë, me gjallëri krijuese e kthjelltësi mendimi. Fjalëpak e punë shumë, Aleksandër Stipçeviq, i ka dhënë dijes ballkanike, evropiane e shqiptare një pirg me vepra dhe shembullin e madhë të studiuesit, hulumtuesit e dijetarit të përkushtuar për të vërtetën shkencore dhe për dritën e diturisë që padyshim të shpie drejt lirisë. Për burra të tillë të këtij kalibri, në anët tonë qëndron urim i vjetër: “Mos i raftë kurrë shpina përtokë”, që e kamë dëgjuar atw në odat e burrave shumë kohë më parë. Në mënyrë të veçantë ky urim shkon për mikun dhe profesorin Shandri, sepse jam i bindur se i ka shokët e rrallë. Dijetar i rrysur, kërkues, gërmues, hulumtues, studiues, mbrojtës i palodhur e i paepur i të vërtetës historike shkencore, prijës në shumë fusha të ilirologjisë, etnografisë, arsimit e kulturës dhe prind shpirtëror i nxënësve e i studentëve të tij të shumtë, mik i dashur i zemrës i kolegëve e i bashkëpunëtorëve. Të rrishë pranë tij, (unë pata fatin të rri më 2006 në Strugë e Ohër dhe 2009 në Hotel Grand në Prishtinë), të flasish me të është jo vetëm kënaqësi, por edhe nder e frymëzim. Rrallëkush i ka dhënë aq shumë popullit dhe atdheut të vet. Rrallëkush u ka vënë shpatullat dhe gjoksin burrërisht punëve hulumtuese, studiuesit, ilirologut, etnologut, historianit për çështje kombëtare, për kulturën e historinë ilire dhe etnografinë arbëreshe, si Akademik Shandri (Aleksandër Stipçeviqi).

Emri i tij është i pandarë nga zhvillimi i shkencës ilirologjike në Tiranë, Zagreb, Zarë, Prishtinë e Shkup, ku roli dhe ndihmesa shkencore dhe organizative e Akademik Stipçeviqit janë të pazavendësueshme. Në të gjitha organet e shtypit shkencor në qytetet e përmendura, emri i tij qëndron ndër të parët, jo për arsye të moshës, por për arsye të prirjes dhe guximit të studiuesit që i ka.
Kush e ka njohur të ri  Prof. Aleksandrin (Shandrin), gjithmonë ka parë tek ai vetëm energji. Një energji që i buronte nga e gjithë qenia e tij. Hokatar dhe i papërtuar nga puna, që nisi udhën e vështirë të studiuesit e të hulumtuesit në fushën e ilirologjisë, albanologjisë dhe etnologjisë.

Emri i Akademik Aleksandër Stipçeviq, në sajë të aktivitetit të tij në lëmin e ilirologjisë është i njohur jo vetëm në përmasat albanologjike e ballkanike, por edhe në qarqet ndërkombëtare shkencore.

Lindi më 10 Tetor 1930 në Arbanas pranë Zarës, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa në vitin 1954, diplomoi në fushën e arkeologjisë në Fakultetin Filozofik, pranë Universitetit të Zagrebit. Për një kohë të shkurtër punoi në Muzeun Arkeologjik në Zarë, si dhe në Institutin e Shkencave Historike po në Zarë. Nga viti 1957 punoi në Biblotekën Kombëtare Universitare në Zagreb, në vendin, detyrën e përgjegjësit për botimin e librave. Në vitet 1974-1983 ishte drejtor i Biblotekës së ASHAJ ( më vonë A.SH.A.K.), ndërsa kah fundi i vitit 1983, kaloi në Entin Leksiokografik të Jugosllavisë, në detyrën e kryetarit të Leksionit Bigrafik të Kroacisë. Në vitin 1987, kalon në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku emërohet shef (përgjegjës) i katedrës për Biblotekari, dhe më pas në vitet 1992-1995 do të caktohet Drejtori i Degës së Shkencave të Informacionit. Në vitin 1997 pensionohet me titullin e profesorit të Universitetit. Ndër vite ka kryer detyra me rëndësi në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kroacisë ( që më herët është quajtur Shoqata Biblotekiste Kroate), ku në vitet 1967-1973 ka qenë kryetar i kësaj shoqate  ndërkaq në vitet 1967-1969 ka qenë edhe Kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Shkrimtarëve të Jugosllavisë, redaktor i revistës së Shoqatës së Shkrimtarëve të Kroacisë. Nga viti 1983 është bashkëpunëtor dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa nga viti 2001 anëtar i Accademia Marchigiana di Scineze- Lettere ed Artin Anconi. Për kontributin  e tij në fushën e shkencave historike e Albanologjike është dekoruar: në vitin 1983 me Diplomën e Kukuljeviqit; më 1998 me Rendin Kroat të Damicës me figurën e Mark Maruliqit. Është anëtar i Qendrës Kroate (PEN-Klubit) nga 1985 dhe anëtar nderi i shoqatës së Arkeologëve Kroat që nga viti 2005,si dhe anëtar nderi i Shoqatës të Shkrimtarëve Kroatë. Në vitin 2005 iu nda çmimi i qytetit të Zagrebit si dhe çmimi i qytetit të Zarës për veprimtari e krijimtari jetësore. Nga viti 2009 është anëtar nderi i bordit drejtues të Universitetit mbretëror “Iliria” në Prishtinë, ndërsa në vitin 2001, profesor Stipçeviqit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Rexhep Mejdani, ia ndau Dekoratën e Artë “Naim Frashëri” për kontributin e çmuar për ndriçimin e historisë së Ilirëve.

Akademik Stipçeviq për shumë vite është marrë me kulturën shqiptare të ilirëve të lashtë, me bibliografinë, historinë e përgjithshme të librit, historinë e librit kroat, cenzurimin si dhe me shkencat albanologjike nëpërgjithësi. Deri tani ka shkruar një numër të madh punimesh ( mbi 230) të botuara në revista prestigjioze në Kroaci dhe nëpër botë, si dhe në revista shkencore e libra si vijojnë: “Arte degli Iliri”, Millano, 1963 (botuar edhe në gjuhën angleze në vitin 1963); “Doracak për rregullimin e diskotekave” në vitin 1964 në Zagreb; në bashkëpunim me Lelo Caniç dhe Janko Zhivkoviq; “Gli Iliri”, Milano 1966 ( e përkthyer në gjuhën shqipe në vitin 1967); “Bibliografia Ilyrica” – Sarajevë 1967, e ribotuar në vitet 1974-1978 e 1984; “Ilyri – histori, kulturë dhe jeta”, Zagreb 1971; “Bibliografija antiçke arkelogije u Jugosllavije I-II”, Sarajevo 1977; “Kultni simboli kod Iliria”, Sarajevo, 1981 ( e përkthyer edhe në gjuhën shqipe 1983, 1990 e 2002); “Povjest Knjige”, Zagreb, 1985 e 2006; “Cenzura u Knizhnicama”, 1992; “Osavrshenom cenzoru”, “Interpretime albanologjike” (Shkup, 1994), “Kako izbjeçi cenzora” (1997), “Priça o Hrvatskom biografskom leksikonu”(1997), “Sudbina Knjige”, 2000; “Socijalna povjest knjige u Hrvata”;, Knj. I-III, Zagreb, 2004-2008, etj., dhe së fundi librin monumental “Kultura tradicionale e Arbëreshëve të Zarës”.

Pa dyshimin më të vogël, libri i fundit “Kultura tradicionale e Arbëreshëve të Zarës” (2011), është vepër e plotë shkencore, shumë fortë e ndërtuar dhe monografi e shkruar me mjeshtri kushtuar vlerave të veçanta të trashëgimisë ndër shekuj të arbëreshëve të Zarës, grupit etnik që banojnë në paralagjen e Zarës, të cilët kanë ruajtur gati tre shekuj veçorit karakteristike të tyre. Për këto deri tani shumë pak është shkruar, ndaj autori në këtë libër, në pjesën më të madhe sjell rezultatet e hulumtimeve personale. Mbi këto hulumtime fundamentale të besueshme dhe thelbësore, prof Shandri ( siç pëlqen që ta thërrasin), hap pas hapi me një durim të papërshkruar ndërton godinën e kulturës tradicionale të arbëreshëve të Zarës, e cila është bindëse, mbresëlënëse dhe gjithnjë e ngrohtë dhe e gjallë.

Po të ndjekim me kujdes veprimtarinë e tij në fushën e etnografisë, mund të veçojmë se ai gjatë gjithë periudhës 50-60 vjeçare të krijimtarisë, ai ia doli të arrijë rezultate gjithnjë të mira, t’i thellojë e t’i zgjerojë ato njohuri në kërkim dhe ndriçimin e së vërtetës të dijeve historiografike.
Kontributi dhe vendi që zë Akademik Shandri në historiografinë shqiptare, ballkanike e evropiane është e një rëndësie të veçantë, për të cilën flasin veprat e jo fjalët, të cilat do të lënë gjurmë edhe në të ardhmen në ndriçimin e aspekteve të ndryshme, e sidomos në fushën e ilirologjisë.

Akademik dhe profesor Stipçeviqi është një përmendore e gjallë e fisnikërisë së shpirtit, e mençurisë dhe burrërisë së kombit shqiptar në përgjithësi, dhe arbëreshëve në veçanti.
Përvjetori i 82 i lindjes (10 Tetor 2012) është i veçantë dhe një rast i mirë për t’i shprehur nderimin dhe mirënjohjen tonë (miqë, kolegët e dashamirësit e tjerë) për veprimtarinë e tij të palodhur e të dendur dhe për rrezatimin e saj këndellës në botën intelektuale shqiptare, ballkanike dhe më gjerë.

Përvjetori i 82 i lindjes është njëkohësisht edhe një rast për të njohur vlerat e vërteta e të pavdekshme të njeriut, studiuesit, albanologut, ilirologut, etnologut, historianit e të dijetarit, për të ndjekur shembullin e tij dhe për ta gjetur frymëzimin e krijimtarisë tek ato gurra të arkivave dhe dokumenteve arkivore që frymëzuan dhe e ushqyer veprimtarinë madhështore të Akademik Aleksandar Stipçeviq, për gati 60 vjetë.

Edhe shumë herë urime  82 vjetori i lindjes i nderuari akademik, profesor dhe miku ynë i paharruar, duke u dëshiruar me shpirt shëndet, pleqëri të mbarë dhe të na dhuroni edhe shumë vepra momentale që studiuesit i presin krahë hapur.

 

 

Prof. Dr. Nebi Dervishi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu