Në dyvjetorin e vjedhjes industriale të votave

0
820

Sot janë bërë saktësisht dy vjet prej ditës së zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë. Këto zgjedhje shënuan dhunimin më të madh të vullnetit të votuesve në Kosovën e pasluftës. Sipas raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve e KQZ-së, nga auditimi i 890 vendvotimeve, në 712 prej tyre ka konstatuar ndryshime të mëdha të rezultatit.

Sipas organizatës ndërkombëtare për monitorimin e zgjedhjeve ENEMO, parregullsitë e shumta e ndikuan rezultatin e zgjedhjeve deri në shkallën 38 %. Pra, jo 3,8 % por plot 38 %! Një këso deformimi e vret edhe konceptin e statistikës dhe të dhënave se lëre më rezultatin e veçantë e konkret. Votimi i shumëfishtë dhe mbushja e kutive të votimit në orët e mbrëmjes, atëbotë, përbënin dukuri të zakonshme të asaj që u quajt ‘vjedhje industriale’ e votave.

Katër muaj më vonë u arrit marrëveshja Pacolli-Thaçi-Mustafa. Qëllimi i parë dhe kryesor i saj ishte përcaktimi i një presidenti të ri, gjë që nënkuptonte edhe vazhdimin e Qeverisë Thaçi 2. Reforma zgjedhore dhe kushtetuese paraqisnin produkt anësor që duhej ta mbështillte me arsye këtë marrëveshje jashtinstitucionale e mbikushtetuese porsi zarfi që strehonte letrën ku figuronte emri i Atifete Jahjagës. Reforma zgjedhore asnjëherë nuk arriti të këndellej nga ky mëkat fillestar që tash mbahet mend nga shkëlqimi dhe rënia e komisionit përkatës parlamentar ad hoc.

Mbi 5.000 persona ishin përfshirë në manipulimin masiv të para dy vjetëve që ishte edhe i planifikuar edhe i centralizuar. Numri i atyre që u dënuan, kryesisht me gjoba, ishte rreth 300, apo 6 %! Natyrisht që këtu nuk bën pjesë asnjë prej zyrtarëve të lartë partiakë a qeveritarë që e organizuan dhe e drejtuan vjedhjen. Me këtë kontekst, reforma zgjedhore funksionon vetëm si zëvendësim për sundimin e ligjit dhe drejtësinë: meqë dhunuesit e ligjit nuk u dënuan, le ta ndërrojmë ligjin. Kështu do të mund të vazhdojmë të shtiremi se kemi shtet e demokraci, me zgjedhje e kuvend. Ndryshimet e ligjit për zgjedhjet dhe reformimi i sistemit në përgjithësi duhet ta pasojë drejtësinë dhe s’mund t’i paraprijnë dot asaj.

Sidoqoftë, i vetmi subjekt që ka qëndrim të qartë qysh prej shtatorit të vitit 2011 për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor është Lëvizja “Vetëvendosje”. Në të njëjtin muaj kur kërkuam dorëheqjen e Qeverisë dhe zgjedhjet e reja, për çka ishim dhe vazhdojmë të jemi sërish të vetmit, ne thamë që Kosova duhet të jetë një zonë zgjedhore, që listat duhet të jenë të hapura, që pragu duhet të jetë 7 % për koalicionet, 5 % për subjeketet politike dhe 2,5 % për kandidatët e pavarur, që KQZ-ja duhet të përbëhet 50 % nga pozita dhe 50 % nga opozita.

Mbi të gjitha patëm thënë që reforma duhet të konsistojë në administrimin e drejtë dhe efikas të procesit e jo në shtim zonash. Problemi i manipulimeve ka të bëjë me administrimin e zgjedhjeve dhe jo me vetë sistemin zgjedhor.

Pastrimi i listës së votuesve, definimi i përgjegjësive të institucioneve të veçanta për mirëmbajtjen dhe pastrimin e listës, definimi i përgjegjësive të qytetarëve në raport me listën e votuesve, shndërrimi i listës së votuesve nga pasive në aktive, pra në një listë të përditësuar të zgjedhësve (dhe definimi i afateve kohore për këtë), definimi i dokumenteve valide për të drejtën e votës (ku ne kemi insistuar që këto të jenë vetëm dokumentet e Republikës së Kosovës), identifikimi biometrik i votuesve, numërimi i votave në qendrat komunale apo rajonale (me praninë e kamerave e skanerëve) e jo në vendvotime, votimi pa pengesa procedurale e vështirësi burokratike për mërgatën tonë etj.etj. janë çështjet që duhet t’i përfshijë reforma.

Kosova është homogjene në aspektin social, kulturor e politik, kështu që nuk ka vend për theksimin e dallimeve krahinore dhe fiksimin e tyre në përfaqësim. Kosova në më shumë zona zgjedhore do ta bëjë konkurrimin politik dhe elektoral shumë më personal dhe më pak programor. Zonat prodhojnë më pak ide dhe programe dhe më shumë njerëz të fuqishëm rajonal, me rrjete formale dhe informale klienteliste që i bëjnë ata të ndihen si pronarë votash në zonën e tyre elektorale. Sistemi me më shumë zona do t’i gjallërojë elementet e feudalizmit me lokalizma e bajraktarë në Drenicë, Llap, Dukagjin etj.

Për më tepër, ndarja në zona e privatizon postin e deputetit në dy kuptime: në njërën anë deputeti përjetohet si mjet privat i votuesve të tij të zonës, të cilët, meqenëse tash e dërguan deputetin e tyre në Kuvend, e ndiejnë si të drejtë të kërkojnë edhe gjërat më absurde nga ai. Pra, një lloj investimi që ata e kanë bërë prej të cilit tash presin kthim duke e vënë atë në shërbim të kërkesave të tyre (e jo të gjithë qytetarëve). Në këtë mënyrë, marrëdhënia me deputetin privatizohet, ku ai nuk konsiderohet më i të përgjithshmes dhe i të përbashkëtës, por i të veçantës, i yni.

Deputeti, në anën tjetër, e ndjen nevojën e përfitimit të votave në zgjedhjet e radhës, kështu që angazhohet që këtyre votuesve të tij, faktik e potencial, t’ua plotësojë edhe kërkesat më absurde. Kështu, angazhimin politik deputeti e sheh si mall tregu, një vlerë shkëmbimi, të cilën, si shërbim, është i gatshëm t’ua jap atyre që e kanë fuqinë blerëse për ta blerë atë (në rastin e ndarjes në zona, të votuesve të veçantë të zonës e jo të së përgjithshmes e të përbashkëtës). (P.sh në Irlandë, ku sistemi është mazhoritar, një zonë-një deputet, para ca vitesh ka plasur skandali ku një deputet kishte kërkuar, përmes letrës, që një i dënuar për pedofili e vrasje të lirohet nga burgu përkohësisht për Krishtlindje, për shkak se këtë e kishin kërkuar votuesit e zonës, familjarë të këtij krimineli.)

Në anën tjetër, duke i mbajtur listat e hapura rritet edhe demokracia e brendshme meqë kryetarët partiakë nuk do të mund t’i kontrollojnë e disiplinojnë deputetët e tyre në Kuvend, por rritet edhe mundësia e përzgjedhjes për qytetarët kur ata t’u drejtohen vendvotimeve në vendbanimet e tyre. Demokracia e brendshme përmes fraksioneve partiake nuk realizohet dot në Kosovë, sepse fraksionet nuk bazohen në nuanca ideologjike sikurse në perëndim, por në grupe interesi.

Sot Kosova ka nevojë për dorëheqjen e Qeverisë dhe për zgjedhje të parakohshme si asnjëherë më parë. E, për këtë qëllim, Kosova ka nevojë për bashkërendim opozitar. Skandali i bisedave telefonike të Qeverisë tregoi se sa poshtë kanë rënë këta njerëz dhe sa i lartë është nepotizmi në agjendën qeveritare. Një dajë i Adem Grabovcit ‘i lënë anash’ paraqet temë bisede midis tij si kryetar i deputetëve të partisë në pushtet dhe kryeministrit të tij Thaçi, me ç’rast ky i fundit ka nevojë të justifikohet që nuk i është thënë ta punësojë dajën e Grabovcit (se përndryshe kjo punë natyrisht që do të ishte e mbaruar qysh moti).

Njëkohësisht, kjo do të thotë që dajët e tjerë të Grabovcit bashkë me tezet, hallat e kushërinjtë tashmë janë rehatuar porse kushedi si është përvjedhur njëri prej dajëve duke mbetur kështu obligim i pakryer i kryeministrit. Afrimi e marrëveshjet e koalicionet e kujtdoqoftë me këta njerëz e këso njerëzish nuk i ndihmon Kosovës në asnjë aspekt. Bashkërendimi opozitar dhe qytetar në kundërvënie ndaj këtyre njerëzve është e vetmja shpresë për Kosovën.

 

Shkruan: Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu