Në emër të kombit dhe për kombin

0
852

Që kur u përcaktua prona private, filloi edhe të lind kasta e politikanëve, fillimisht nga kryefamiljarët e familjeve të mëdha, sepse vetëm ata mund të ishin zotërues të pronës. Atëbotë ata nuk janë quajtur politikan, edhe pse kanë luajtur një rol të tillë për shoqërinë e kohës. Pra, lindja e pronës private bëri edhe të bëhen shtresime në shoqëri. Këto shtresime gjithnjë e më tepër thelloheshin dhe në ndarjen e këtyre dy taborëve domosdo se ishte e nevojshme të krijohej edhe shtresa tjetër, pra ajo që do të ishte në shërbim të shtresës së pasur, për të mbrojtur pasurinë, që më vonë do të  njihet si polici e ushtri.

Lindja e politikanit

Ai që u dallua në udhëheqje, do të ishte edhe njeri i respektuar i shtresës së të pasurve dhe atij filluan t’i nënshtrohen, dikush me dëshirë, sepse te ai shihte mbrojtësin e interesit të vet, dikush iu nënshtrua me pahir e kategoria e tretë me dhunë. Ky do të jetë politikani dhe kohët kanë dëshmuar, se varësisht nga marrëdhëniet shoqërore ekonomike, kemi edhe etiketimin e politikanit: feudal, mbret, diktator, kryetar apo kryeministër. Dallimet e këtyre varen nga këndvështrimet e kohëve, por secili prej tyre i ka thënë vetës se sundon në emër popullit dhe për popullin dhe se çdo gjë bënë për të mirën e tij. Mirëpo, lind edhe kundërvënia ndaj shtypjes nga shtresa e ulët e shoqërisë, që edhe këta i besojnë dikujt për t’i udhëhequr, pra do të lind edhe opozita politike dhe në ballë të saj do të jetë një politikan. Këto fërkime klasash janë edhe sot në gjithë botën dhe varësisht si kuptohet e artikulohet nëpër formacione shoqërore ekonomike. Për botën bashkëkohore kjo kategori më tepër personifikohet me sindikatën, kategori e lejuar nga kapitalistët, sepse më lehtë e kanë të ulën në bisedime me ata se sa të qëndronte ndonjë opozitë politike që do të mbronte të shtypurit nga sundimtarët.

Politikani

Teoricien të ndryshëm kanë dhënë mendime për nocioni politikan, mirëpo unë do të mundohem këtë ta shpjegojë, gjithnjë duke u thirrur në historikun e ekzistimit të tij, duke i ndarë edhe në kategori të veçanta, nëpër periudha të caktuara të zhvillimit të shoqërisë. Gjithë kohën kemi politikanin kundër politikanit në të njëjtën shoqëri si formacion shoqëror e ekonomik, mirëpo edhe në kuadrin e një kombi apo shteti. Pra kemi pozitën sunduese dhe atë çliruese. Këto dy kategori në një farë forme provojnë forcën mendore organizative, faktet bindëse për të gjithë shoqërinë, por herë herë edhe i tregojnë dhëmbët njëri tjetrit, kur nuk u shkon për së mbari forca e argumente. Parandej kjo luftë e pa ndërprerë lind edhe kategori tjera të politikanëve, të cilët varësit nga kohet i kanë bërë edhe sjelljet e tyre, por kjo është var edhe nga përgatitja dhe zotësia e tyre për të mbajtur apo për të ardhur në pushtet.

a. Kurrë merret politikani me politikën

Politikani që merret me politik, në një farë forme e ka dhe profesion dhe mu për këtë një kategori e shoqërisë ia ka besuar pushtetin, duke mos e analizuar arsyen e besueshmërisë. Ky ka një lloj imuniteti të një kaste të shoqërisë dhe të gjitha mjetet e kërkuara për të mbrojtur kursin e tij politik i ofrohen. Ky ka në duar edhe aparatin ekzekutiv: policinë dhe ushtrinë, që në raste të nevojshme i përdor ato. Nëpër kohë ushtritë janë përdor edhe për të pushtuar toka të rreja, për të bërë qytetet djerrina, për të djegur të gjitha të mirat materiale të një populli apo kombi, për të shuar kultura e civilizime apo edhe për të shuar kombe. Këta lloj politikanësh nëpër kohë kanë pasur edhe emërtimet e veta, të cilat po t’i referohemi historisë do t’i gjejmë. Unë në këtë analizë nuk e kam ndërmend të ndalem për të treguar veçoritë e tyre.

b. Kurrë merret politika me politikanin

E para kushtëzon lindjen e të dytës, që kategoria e poshtëruar, e nëpërkëmbur, të nxjerr nga gjiri i vet politikan. Kjo lind si domosdoshmëri për të mbijetuar, prandaj dhe kjo kategori analizon situata politike dhe mundohet për të gjetur forma për t’iu kundërvë dhe çliruar. Edhe kjo kategori zgjedh njeriun e preferuar dhe i jep besimin, duke menduar se ai do të dijë më mirë t’i udhëheq për qëllime të tyre. Shpesh ka ndodhur në histori, që kjo kategori ka dal humbëse, jo për shkak se nuk ka ditur të artikuloj kërkesat, jo se nuk ka ditur se si t’i realizojë ato, por për shkak të mungesës së forcës. Pra në mungesë të forcës pala tjetër ka përdorë të gjitha ato veprime për t’i shti datën kundërshtarit dhe të mos e ngrit zërin për të drejta të tyre, se ato të drejta ua përcakton vet.

c. Politikani karrierist

Shoqëria njerëzore është e njohur edhe me kategorinë e politikanëve karrierist. Kjo ndahet në dy kategori të veçanta:

Realizimi i synimeve të tyre përmes forcës

Kjo kategori ka gjunjëzuar edhe politikanët më të pa skrupull e mizor, më të ndershëm dinjitoz, më luftarak për interesin e masave, etj. Ka ndodhur që të jetë edhe më e ashpër se a para. Ka robëruar e shkatërruar kombe. Këta kur kanë ardhur në pushtet kanë qenë më të ashpër se paraardhësi i tij. Këta kanë shti tmerr gjithkund dhe ka qenë dashtë të kalojë kohë për t’i hequr nga pushteti vetëm me anën e forcës, se këta kanë qenë të pangopur për gjithë çka. Shembuj të tillë ka mjaft në historinë e përgjakur të shoqërisë njerëzore, madje ata gjallojnë edhe sot.

Realizimi i qëllimeve të tyre përmes parasë apo tradhtive

Edhe kjo kategori politikanësh është e njohur në shoqërinë njerëzore. Në vend të forcës ata kanë përdor intriga të ndryshme, vrasjet tinëzare, bashkëpunim me të huajt, blerjen e personave më të afërt e më besnik të sundimtarit. Pra këta i kanë lëvizur të gjithë gurtë e mundshme për të marr pushtetin. Këta kanë qenë më pak jetëgjatë në pushtet, sepse kanë qenë tepër të tejdukshëm në marrje të pushtetit.

d. Politikani vizionar

Historia e njerëzimit ka nxjerr nga gjiri i vet politikan që kanë qenë vizionar për shoqërinë njerëzore. Kjo kategori e politikanëve është kategori më vete, sepse ata kanë njohur mirë realitetin që i ka rrethuar dhe kanë arritur edhe të gjejnë mjete për realizimin e synimeve të veta.

Politikani vizionar në shërbim të njerëzimit

Secila shoqëri njerëzore ka nxjerr nga gjiri i vet këtë kategori politikanësh dhe duke iu falënderuar atyre kemi të arritura shkencore dhe më tepër vetëdijesim te pushtetarët. Ata janë merr me normimin e jetës njerëzore, me rregullat e lojës politike, me mundësit e komunikimit të shtresave të shoqërisë, me mundësit e çlirimit, përdorje të mjeteve të lejuara të pushtetit dhe opozitës, caktimin e fajësisë apo të pafajësisë, mundësinë e krijimit të buxheteve, ndarjen e punës, orarin e punës, vlerësimin e forcës mendore e fizike. Këta kanë shfrytëzuar dijetar edhe nga shtresat e ulëta, nga kombe tjera pa paragjykime dhe emrat meritor i kanë gdhendur në zbulimet e tyre, në kronologji të tyre, në memoare të tyre, në shënimet zyrtare, vetëm e vetëm për të mos ia marr meritat. Të tillë njeh bukur shumë shoqëria njerëzore.

Politikani vizionar kundër interesit të shoqërisë njerëzore

Kjo kategoria e politikanëve dallon nga e para. Edhe këta kanë vizion për të ardhmen e një pjese të shoqërisë njerëzore. Edhe këta kanë menduar për një jetë më të qetë dhe më të begat. Edhe këta kanë shfrytëzuar dijetar të tjerë nga të gjitha kategoritë e shoqërisë, por edhe nga jashtë. Edhe këta kanë caktuar norma të sjelljes, kanë kodifikuar duke parë edhe sanksionet për prishjen e rahatisë së tyre. Kanë planifikuar zhdukje racash e kombesh. Kanë paraparë ndëshkime jashtë moralit të secilës kohë kur kanë jetuar. Këta kanë lidhur aleanca me djallin e të birin, vetëm për jetë gjatësi të asaj pjese që ka sunduar, duke i dhënë përparësi racës së tij, gjuhës së tij, historisë së tij me retushime e përmirësimi, duke vjedhur nga secili nga pak, për ta pasuruar të djeshmen e vet. Këta kanë shpikur edhe armë të shkatërrimit në masë, si garantuese e mbijetesës dhe ruajtjes së pozitës në atë pjesë gjeostrategjik e gjeopolitik. Nga kjo kategori shoqëria njerëzore nëpër shekuj është përgjakur dhe ende nuk ka të ndalur avazi i tyre. Ndoshta kjo do të ndalet kur do të pështiroset nga rrëkeja e gjakut të pafajshëm, nga forca tjera.

e. Politikani me tutor

Kjo kategori politikanësh është e njohur më shumë te trashëgimtarët e fronit. Mirëpo, këta nuk duhet të trajtohen si politikan me tutor, sepse mosha e tyre nuk ua ka lejuar të jenë në krye të pushtetit, ndërsa me mbushjen e moshës madhore ka marr detyrën që i ka takuar. Politikan me tutor nuk mund të trajtohen edhe ata të cilët i kanë këshilltarët e vet, apo mësuesit e vet për të orientuar politikën e një shteti. Politikanët me tutor pak dallohen. Ata gjallojnë edhe sot, madje më shumë se në të kaluarën. Tutorizmi vjen nga jashtë për interesa të caktuara dhe tutorët janë ata që bëjnë ndryshime në pushtet, në momentin kur politikani rebelohet, apo i mbushet mendja të jetë i pavarur, tutori vihet në veprim. Investimi i tutorëve është i madh, sepse në planin e tij politik fshihen interesa të mëdha gjeostrategjike e gjeopolitike, pasurit e atij shteti apo kombi, prandaj edhe e mbrojnë me çdo kusht investimin e vet, në radhë të parë, sepse janë derdhur para për të gjetur njeriun e përshtatshëm për të udhëhequr. Kur të cenohet interesi i tutorit ai bëhet i pa mëshirshëm dhe nuk zgjedh mjete për ta eliminuar nga skena politikanin.

f. Politikani shërues i kombit

Kategoria më e pakët e politikanëve është politikani shërues i popullit. Të tillët vështirë vijnë në shprehje në pushtet. misioni i tyre është njerëzor. Ai të vetëm arsye për t’u marr me politikë e ka etikën njerëzore. Të tillët nuk fshehin të keqën, nuk manipulojnë me të keqen, nuk e mbrojnë të keqen, ata janë rrëfimtar të rrugës së drejtë që duhet të eci shoqëria, ata shpjegojnë edhe vështirësitë që u dalin në rrugëtim, u shpjegojnë edhe mundësit e mënjanimit të atyre vështirësive. Ata nuk janë ëndërrimtar dhe nuk merren me to. Ata përllogaritin mundësit e veprimit, hapërrimin drejtë së ardhmes. Ata nuk bëhen mik me të keqën. Një politikan i tillë shëron me miliona njerëz, i bënë të aftë për të ardhmen, i bënë dalzotës të vetës e kombit, i bënë sy qel për t’u përballur me të keqen. E mëson qytetarin për vlerat që duhet ruajtur, për vlerat për të cilat duhet luftuar pa kompromis. Me një fjalë kjo kategori politikanësh e përgatit njeriun të jetë mik për njeriun dhe të respektoj vlerat njerëzore.

g. Politikani mortajë e kombit

Për këtë kategori politikanësh pak a shumë u bë fjalë edhe në trajtimin e politikanit nga kënde të ndryshme. Kjo kategori është në gjendje të lidhet me djallin e të birin për llogari të vetën. Atij nuk i intereson asgjë jashtë rrethit të tij. Ai i vret qytetarët e vet. Ai i syrgjynos qytetarët e vet. Ai i fut nëpër humnera qytetarët e vet. Ai lidhet me tutor e satrap. Ai është pa fije dinjiteti. Ai nuk njeh norma njerëzore. Atij nuk i intereso qytetari ka për të ngrënë apo jo. Atij nuk i intereson për qytetarin ka për të veshur diçka. Atij nuk i intereson për emancipimin dhe shkollimin e qytetarëve të hapësirës ku ai shtrin pushtetin. Të tillët mund të ndalët vetëm përmes grykës së pushkës, si e vetmja formë e shpëtimit.

Ngritja e rrëzimi i përmendoreve

Të gjithë këto kategori politikanësh janë në vëzhgim. Këta vëzhgohen nga një kategori e veçantë politikanësh, por që profesioni i tyre është kritika. Kritika në kuptimin pozitiv dhe negativ. Kjo kategori është paksa më e guximshme, më e veçantë, sepse mision e kanë për të zbërthyer sundimtarët e pushteteve. Misioni i tyre është që t’i bëjnë të ditur qytetarit se kënd e kanë në krye të pushtetit me të gjitha të mirat dhe të këqijat që bartin. Analizat e tyre nganjëherë lëvizin edhe masat e gjëra popullore. Ata ngritin dhe rrëzojnë përmendore dhe përmendorja e vetme që u ngritët këtyre është dëshmia e kohës kur kanë jetuar, analizat e guximshme që kanë bërë rreth personaliteteve dhe ajo gjeneratë apo gjeneratat që vijnë pas tyre do të shërbehen me analizat e tyre dhe do të bëjnë ndonjë përmendore të rrënohet e ndonjë tjetër të ngritët, ndonjëri të hiqet nga historia e lavdishme e të zëvendësohet me tjetrin, që ishte i përbuzur e i nëpërkëmbur. Ne sot mund të lexojmë për shumë figura personalitetesh politike të kohëve të ndryshme, gjithnjë të mbështetur në kronikat e kësaj kategorie politikanësh. Gjejmë të tillë edhe të burgosur, syrgjynosur, ekzekutuar, mirëpo faktet historike nga tregojnë edhe për rehabilitime, për njohjen e vlerës morale e të guximshme që kanë treguar. Të tillët gjallojnë edhe sot. Të tillët vëzhgojnë edhe sot. Të tillët ngrehin zërin për padrejtësitë që i ndodhin nga politikanët bashkëqytetarëve dhe bashkëkombësve sot. Syrit e mendjes së tyre nuk u shpëton asgjë. Ata respektojnë vetëm një norë, atë morale dhe asaj i frikohen. Kjo normë morale i jep forcë për të punuar, i jep forcë për të sheshuar, i jep forcë për të vënë në pah të gjitha të mirat dhe të këqijat që bënë politikani.

Prishtinë, 23.02.2011

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu