Në emër të kujt bëhen lojërat?!

0
754

Pas fushata elektorale nxori edhe shumë margaritar politik në skenë, që vështirë ka qenë të mendohej para saj. Liderët politik për të përmbushur interesat e veta dhe nëpërkëmbur interesin e elektoratit, por hyjnë në pazare për pushtet lokal. Sikur të dinte elektorati për këto lojëra me siguri do të hamendej, të dali apo jo në zgjedhje. Por më befasuesja e kësaj loje politike është koalicioni në Prizren dhe grahmat e LDK – istëve për Kodrën e Trimave, si bastion i tyre.

 

Koalicioni në Prizren

 

Përpjekjet për të marrë pushtetin në Prizren, ka bërë që edhe gjatë fushatës, por edhe pas saj, të jetë qyteti më i vizituar nga liderët politik. Përpjekjet për të arritur koalicion kanë qenë të ditura, por përfundimi i tyre ka qenë për shumë njohës të problemeve politike, i papritshëm. Kjo, duke u nisur nga realiteti që ka ndodhur në Prizren, gjatë dhe pas lufte, kur dihet se kryeprotagonisti – Eqrem Kryeziu, ka qenë edhe një nga figurat kyçe, për të shantazhuar, nëpërkëmbur, sharrë, poshtëruar UÇK dhe një nga hartuesit e regjistrit për “gjenocidin e kryer nga UÇK- ja”. Në taborin tjetër është zotëri Zamfir Berisha, që me tërë familjen dhe kushërinjtë ishte në radhët e para të asaj ushtrie të lavdishme. Dhe shumëkush parashtron pyetjen, çka i lidh këta të dy?! Si mundën për të gjetën gjuhën e përbashkët, kur dihet se z. Eqrem nuk ka ndryshuar mendjen për asnjë sekondë për ushtrinë tonë?! A është konsultuar elektorati nga z. Zamfir, se kah duhet anuar apo këtë e ka bërë në emër të vetin. “Për dhunë të resë më vdektë djali”, një mendim i filozofisë popullore, por jo i qëlluar në këtë rast, se nuk është gjithnjë lëkura e pulës më e mirë se e buallit, se njëra është për ta ngrënë, e tjetra për të mbaruar opinga.

Më e ndershme ka qenë, të jetë opozitë, çfarë ka qenë deri tash, pa i dhënë mbështetje asnjërit dhe të përgatit terrenin për zgjedhjet e reja, madje të jashtëzakonshme, se nuk do të thotë se koalicionet gjithnjë janë të qëndrueshme, sepse vetëm si e tillë ka mundur të mbledh rreth vetës një elektorat të konsideruar, sa të dy partitë më të mëdha të kërkojnë mbështetje. Si faktor përcaktues për të udhëhequr Prizrenin, është bërë mu pse ka përvijuar një filozofi politike që ka ndryshuar nga ato. Pse po e humb këtë përparësi?

Ndoshta përllogaritjet e tija janë fitimprurëse, por besojë se do të humb betejën e ardhshme, se elektorati nuk ka dal për t’i dhënë votën LDK- së, aq më tepër Eqrem Kryeziut

 

Kodra e trimave, bastion i LDK- së

 

Nisur nga togfjalëshi “Kodra e trimave” na shtyn për të menduar, se si e morri këtë emër në kohën më të vështirë të lëvizjes sonë kombëtare. Një lagje e lënë anash për vite, një lagje që nuk ishte në sy të mirë të asnjërit pushtet e subjekt politik deri sot, një lagje që me bëmat e saja u emërtua si Kodra e trimave. Pse e morri këtë emër, ndoshta do t’i interesonte dikujt? Nuk është toponim (emërtim) pushtetar, por këtë e morri nga qytetarët e lagjeve tjera të Prishtinës dhe studentëve të cilët në ditët më të vështira gjenin mbështetje dhe strehim. Që nga lëvizja studentore, kohën kur do të vihen themelet e revolucionit kombëtar për çlirim dhe bashkim, kjo lagje ishte mbështetëse e çdo lëvizjeje dhe sa herë janë mbajtur demonstrata ata dilnin dhe mbushnin rrugët e Prishtinës, strehonin të përndjekurit dhe tregonin guximin të cilin e shprehnin edhe para pushtuesit.

Edhe viteve të nëntëdhjeta, edhe pse ajo trajtohej nën ombrellën e LDK- së, ishte lagje kryengritëse. Sa herë që ndërmerrej diçka në planin kombëtar, veprimtarët e LDK- së do të trokisnin derë më derë për t’i qetësuar, që ata mos t’i përgjigjeshin thirrjeve për demonstrim, sepse prapa tyre nuk qëndronte LDK- ja. Pavarësisht prej kësaj, shpirti liridashës dhe kryengritës nuk i lente të qetë. Kështu ndodhi edhe me protestën për bllokimin e Gjykatës së Qarkut, për të pamundësuar mbajtjen e procesit gjyqësor kundër shqiptarëve në vitin 1997, thirrje e bërë nga UNIKOMB – i, edhe thirrjes së Unionit të Pavarur të Studentëve për demonstratën e një Tetorit të po atij viti, por edhe me dëbimin e qytetarëve nga Drenica, në fillimin e luftës, ku vetëm kjo lagje kishte strehuar më tepër se gjithë Prishtina. Edhe pushka e parë kundër armikut do të zbrazej mu në këtë lagje, por edhe flamuri i UÇK- së, së pari do të valojë në këtë lagje dhe kjo ka bërë që me nderë ta mbajë këtë emër lagjja.

Çka kanë të përbashkët kjo lagje me politikën e LDK- së, ku edhe pas lufte për ta ishte lagjja më mospërfillëse nga pushtetarët. Djalëria e kësaj lagje, në përgjithësi, nuk ka luftuar për pushtet, por për një jetë të mirë dhe të dinjitetshme. Këtë modesti e shfrytëzuan rrahagjoksët dhe në emër të tyre mundohen të krekosën për një “bastion” të LDK -së, por kam besimin se ky avaz nuk do të shkojë gjatë, sepse edhe aty kanë filluar të krijohen kuadro të emancipuara politike, që do t’ia tregojnë vendin keqpërdoruesve të pushtetit lokal e Republikanë dhe të dalin me identitet të vetin për vete.

 

Prishtinë, 13.11.2013

 

Nga: Afrim Morina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu