Në Hag deshmon Skënder Rexhahmetaj nga Isniqi

0
1076

Në procesin e rigjykimit të ish- kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, të premten në Tribunalin e Hagës ka vazhduar me dëshminë e tij për të dytën ditë me radhë Skënder Rexhahmetaj nga fshati Isniq i komunës së Deçanit.

Dëshmitari Rexhahmetaj iu përgjigj disa pyetjeve nga prokuroria dhe pala mbrojtëse që kishin të bënin me organizimin e luftës dhe komandës në Zonën Operative të Dukagjinit.

Rexhahmetaj ka thënë se në një takim me datë 23 qershor të vitit 1998 edhe janë caktuar përgjegjësitë e Zonës së Dukagjinit, në mënyrë që të kishte një komandë të përbashkët për gjithë.

Por dëshmitari sqaroi se si para 23 qershorit, ashtu edhe pas kësaj date kur vendoset që Ramush Haradinaj të jetë komandant i Zonës, implementimi i vendimeve nuk u arrit dhe realiteti mbeti ashtu siç kishte qenë më parë, pra askush nuk jepte urdhra dhe gjërat bëheshin me konsultime dhe sugjerime.

“Gjithmonë është vazhduar si më parë, janë dhënë sugjerime, është bërë një propozim dhe nuk ka pasur një urdhëresë strikte se duhet veprohet kështu apo ashtu, pasi që të gjithë ishin vullnetarë që u detyruan të luftonin për të mbrojtur vendin e tyre”, ka thënë ai.

Dëshmitari pati edhe një sërë pyetjesh nga prokuroria, e cila u ndal te kërkesa e Jabllanicës për të dërguar një pjesë të luftëtarëve në ndihmë.

Rexhahmetaj tha se për këtë çështje është konsultuar me Ramush Haradinajn në mënyrë që të koordinohen aktivitetet, sepse kjo ishte në favor të një organizimi të mirëfilltë.

Kurse, i pyetur se a e respektonin autoritetin e Haradinajt ushtaret e UÇK-së në Zonën e Dukagjinit pasi ai u bë komandant, dëshmitari Rexhahmetaj tha se njerëzit gjithmonë e kanë respektuar.

Ai tha se Ramush Haradinaj respektohej për shkak se kishte dëshmuar vetën si një luftëtar i suksesshëm dhe populli e admironte pasi që respektonte të tjerëve duke treguar edhe afërsi ndaj tyre.

Ndryshe, prokuroi paralajmëroi se do të duhet një kohë më e gjatë sa i përket dëshmive të dëshmitarëve me shifrat 75, 76 dhe 77.

Procesi ndaj ish kryeministrit Ramush Haradinaj është duke vazhduar edhe më tutje më dëshminë e Skënder Rexhahmetaj, kurse më vonë do të vijnë edhe dëshmitarë të tjerë.

Rigjykimi i ish- kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj ka nisur më 18 gusht.

Ish- komandanti i UÇK-së në Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm nga 37 akuzat për krime lufte. Pafajësia e tij u shpall më 3 prill të vitit 2008 nga trupi gjykues.

Por ndaj Haradinajt, Brahimajt e Balajt, me kërkesë të prokurorisë së Tribunalit, Gjykata ka ngritur kallzim penal për gjykim të pjesshëm.

Haradinaj, Brahimaj dhe Balaj gjykohen në Hagë për herë të dytë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë rast tjetër në Tribunalin e themeluar nga Kombet e Bashkuara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu