Në hall me kryengritësit

0
784

Aleppo, qyteti i dytë më i madh në Siri, në pjesën më të madhe është kursyer nga dhuna, që ka kapluar këtë vend. Zona e luftës fillon në postblloqet e Ushtrisë së Lirë të Sirisë (FSA). Djelmosha të ri, jo më të vjetër se 20 vjeç, të armatosur me Kallashnikovë, kontrollojnë të gjitha automjetet. Banorët e Aleppos nuk kanë mendim aspak të mirë për pjesëtarët e FSA-së, ngase i konsiderojnë si banditë dhe kriminelë dhe janë të mendimit se kryengritësit nuk janë aspak më të mirë se pushtetarët aktual.

Bomba ishte fshehur skaj rrugës dhe shpërtheu, në momentin kur aty pranë kaloi automjeti i policisë. Dy policët në automjet vdiqën menjëherë. Tmerri ende mund të shihet në fytyrën e Ramit. “Isha aty afër dhe për mrekulli shpëtova. Miku im, i cili ishte më mua, është dërguar në spital”.

Bomba në lagjen Aziza, në qendër të qytetit të dytë më të madh në Siri, Aleppo, i cili deri me tani në pjesën më të madhe është kursyer nga lufta qytetare, ishte tek sulmi i dytë i këtij lloji. Si rezultat i atentatit të parë, i cili ndodhi në muajin shkurt në Aleppo, u vranë 28 persona dhe u plagosën 235 të tjerë.

Jeta në Aleppo po vazhdon normalisht, të gjitha dyqanet janë të hapura, tregjet janë të mbushura për çdo ditë me njerëz.

Nuk ka mungesë të ushqimit, si në zonat tjera të luftës, më saktësisht në Homs, Dera apo Idlib. Në mbremje, njerëzit mbushin kafet dhe restorantet e Aleppos, duke diskutuar për situatën në pjesët tjera të Sirisë.

Me 1.7 milionë banorë, Aleppo pas Damaskut është qyteti i dytë më i madh në Siri. Qyteti shtrihet në veri të Sirisë, rreth 50 kilometra larg kufirit me Turqinë. Gjatë kalimit të kufirit, duhet të kesh mjaft durim, ngase doganierët sirianë janë mjaft të ngathët. Gjatë udhëtimit nga kufiri deri në Aleppo mund të shohësh meshkujt nëpër fshatra, të ulur para shtëpive të tyre, duke pirë duhan dhe kafe.

Zona e luftës fillon në postblloqet e Ushtrisë së Lirë të Sirisë (FSA). Djelmosha të ri, jo më të vjetër se 20 vjeç, të armatosur me Kallashnikovë, kontrollojnë të gjitha automjetet. “Ne jemi pushtetarë në këto territore”, thotë një kryengritës duke qeshur dhe kërkon me kot në pasaportë vule të hyrjes nga Irani.

Republika Islamike po e mbështetë regjimin e Baschar Al Assadit dhe ka stacionuar në Siri njësi të Gardës Revolucionare.

Pas 25 kilometrave përfundon territori i kontrolluar nga FSA. Tani janë ushtarët sirianë ata, të cilët kontrollojnë dokumentet dhe bagazhin.

Prapë bëhet fjalë për djelmosha të ri, gjysmë të uniformuar dhe dukshëm të lodhur. Dy kilometra i ndajnë ata nga pozicionet e FSA-së.

“Këta ushtarë po bëjnë roje për Assadin, vetëm për faktin se paguhen mirë. Në të vërtetë, të gjithë këtu janë kundër presidentit, por po qëndrojmë të qetë, ngase nuk dëshirojmë të rrezikojmë shkatërrimin e qytetit”, thotë një banor i Aleppos.

Probleme ka vetëm nëpër fshatra, ngase pjesëtarët e FSA-së po e kalojnë kufirin të papenguar nga Turqia.

“Ka tashmë mbi një vit që nuk kam dal jashtë Aleppos. Të gjithë banorët kanë frikë të largohen nga qyteti, në veçanti me automjete”, thotë një taksist. Thuhet se FSA nën kërcënimin e armëve ka detyruar njerëzit që t’ia vënë automjetet e tyre në dispozicion kryengritësve.

Disa pronarë të automjeteve janë zhdukur pa gjurmë. “Por Assadi do të përmbyset, kjo është e pashmangshme. Në parim, nuk na intereson se kush do të jetë në pushtet. As këta të FSA-së nuk janë më të mirë se pushtetarët aktualë”, shton taksisti.

I të njëjtit mendim është edhe Samiri. “FSA nuk është duke krijuar miq, ngase pjesëtarët e saj po sillen si kriminelë”, thotë ky arsimtar i anglishtes dhe na njofton me mikun e tij, Johnin, i cili ka një fabrikë për pjesë elektrike në zonën industriale të Aleppos.

“Kryengritësit vijnë dhe na detyrojnë që të premten dhe të shtunën të mbyllim fabrikën, në mënyrë që të duket si grevë. Ata që nuk respektojnë urdhrin, dënohen. Dy fabrikat e fqinjëve të mi tashmë janë djegur nga kryengritësit”, thotë Samir.

Në barin “Baron”, në qendër të Aleppos, qëndrojnë ulur tre të rinj, armenë të krishterë, të cilët po përcjellin Kampionatin Evropian në futboll.

“Shpresojmë se presidenti ynë do të ngadhënjejë. Assadi na mbron. Kemi besimin tonë, shkollat, kishën dhe komunitetin tonë”, thotë njëri prej tyre.

Për të dhe miqtë e tij FSA-ja është një bandë e banditëve dhe terroristëve. “Ne e dimë fare mirë çfarë ka ndodhur në Homs”, thotë njëri prej tyre, duke ju referuar dëbimit të dhunshëm të të krishterëve nga ky qytet nga ana e FSA-së.

Në fytyrat e tre armenëve mund të vërehet qartazi frika. Është paqartësia ajo që i mundon ata. Si do të përfundojë lufta qytetare? Ata para se gjithash kanë frikë nga islamistët radikalë.

I brengosur është edhe Ati Jozef, prift në kishën greko-ortodokse, komunitet ky i cili ka rreth 20 mijë pjesëtarë në Aleppo.

Ai dëshiron të qëndrojë në atdheun e tij, përkundër faktit se ka frikë nga islamistët. “Tërë jetën jetoj në një rrugë, në të cilën shumica janë myslimanë. Religjioni nuk ka qenë kurrë problem”, thotë ai.

Ngjarjet në Homs, ku kanë jetuar shumë greko-ortodoksë, kanë shtuar frikën e tij. “Para gjashtë muajve të krishterët janë dëbuar nga aty, shtëpitë e tyre janë djegur dhe janë vrarë 10 persona”, thotë ati Jozef.

Për shkatërrimin e Homsit, Ati Jozef nuk fajëson regjimin në Damask. Edhe banorët e krishterë të Homsit, të cilët kanë humbur shtëpitë e tyre, fajësojnë FSA-në.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu