Në kryeqytet “Ti parko, na grith”

0
818

Prishtinë, 10 dhjetor- Në disa video të postuara në rrjetin social “Facebook” prezantohen dy persona, të cilët i gërvishtin veturat e parkuara në trotuare, shkruan sot “Koha Ditore”. Me moton “Ti parkon, na grith”, ky grup virtual ka nisur fushatën kundër parkimit të veturave në vende joadekuate, por duke kryer vepër të paligjshme- dëmtim të pronës.Në videon e postuar, njëri regjistron me kamerë shokun e tij, të cilit i shihen vetëm duart duke gërvishtur veturat të parkuara në trotuare. Të dy para se t`i gërvishtin ato, shikojnë njëherë para dhe prapa duke e kryer veprimin. Ky grup ende vazhdon të jetë i paidentifikuar për policinë, ndërkohë që në apelin publik të postuar në “Facebook” kanë ftuar qytetarët t`i bashkëngjiten aksionit. Madje, kanë caktuar edhe kriteret, sipas të cilave duhet të gërvishtet çdo veturë e parkuar gabimisht.

“Hapi parë, e sheh një kerr të parkuar në trotuar. Hapi i dytë, nxjerr çelësin. Hapi  i tretë, grith kerrin, pa të pa kush (mos ha dajak) dhe hapi i katërt, ec lirë në qytetin tënd”, thuhet në postimin e tyre.

E reagimet e qytetarëve kanë ardhur pikërisht në faqen e tyre në FB.

Egzon Nuhaj, ka thënë që veturat nuk duhet të parkohen në trotuare, por nuk duhet të gërvishten ato, duke dhënë një ide tjetër që veturave t`u shpërthehen gomat.

“Nuk jam kundër kësaj, por kështu kurrë nuk kanë me gjet drejtësinë”, thotë ai në komentin e tij. Jetmir Rrahmani ka kërkuar lirimin e trotuareve për ta rritur sigurinë e këmbësorëve.

“Veturat nuk duhet të parkohen aty ku nuk e kanë vendin, mirëpo nuk duhet të grithen, sepse është rrezik me u arrestuar nga policia”, ka shkruar ai. Kurse Elvis Isenaj ka thënë se policia duhet të merret me këto raste dhe t`i dënojë ata që parkojnë në vendet ku është e ndaluar. Ai ka kundërshtuar nismën për gërvishtjen e veturave.

“Për çka janë policia? Ata janë për të dënuar qytetarët që parkojnë kerret gabim ama nuk duhet që t’u grithen kerret qytetarëve”, ka thënë ai. Në këtë kontekst, Meriton Maliqi ka përkrahur këtë iniciativë. “Mirë po ja bëjnë, veç shpresoj që nuk i nxen ndokush”, ka shkruar ai.

Por, një veprim i tillë nga policia cilësohet i kundërligjshëm.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se që nga momenti i publikimit të këtij rasti njësitet kompetente policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetim.

“Rastet, veprimet e tilla të dëmtimit të pronës, qoftë asaj private apo shtetërore, konsiderohen si veprime të kundërligjshme. Pra, vepra penale”, ka thënë ai. “Deri të shtunën nuk kemi marrë ndonjë informacion të raportimit të rasteve të tilla në Policinë e Kosovës, edhe pse mund të raportohen ndërkohë”, ka thënë Kelani.

Komuna e Prishtinës prej kohësh ka probleme me parkimin e veturave në vende joadekuate. Ata thonë se përgjegjësinë për lirimin e hapësirave publike e ka Policia, ndërkaq e fundit thotë se Komuna duhet të sigurojë vendparkime të mjaftueshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu