Në kujtim të pavdekësisë së gjeneralmajor Bedri Shalës

0
730
bedri-shalaa
Duke e përkujtuar të kaluarën kuptojmë drejt se kush ishin ata që ndërtuan të ardhmen e ndritur që ne po e jetojmë sot. Një autor amerikan do të shkruajë: “Vetëm heronjtë janë ata që e kuptojnë përgjegjësinë e lirisë së tyre për të vepruar”. Për të vazhduar me një thënie të një autori tjetër: “Për të qenë hero duhet kuptuar kohën e duhur për të vdekur”. 
Heroi ynë që po përkujtojmë sot, dëshmori Bedri Shala dhe bashkëheronjtë e tjerë të kombit pikërisht e kuptuan përgjegjësinë e lirisë së tyre për të vepruar në të mirë të popullit të tyre dhe kohën e duhur për të dhënë më të shtrenjtën – jetën e tyre për çlirimin dhe ngritjen e kombit dhe shtetit të tyre. Ata kishin shpallur që në rininë e hershme misionin e tyre jetësor. Do të vepronin deri në vdekje për jetësimin e idealeve të heronjve të kombit – çlirimin e atdheut të tyre. Besonin fuqishëm se ky ideal nuk ishte i paarritshëm, por për këtë nuk kalkulonin asnjëherë cili do të ishte çmimi. Pra, sipas tyre, çmimi i lirisë asnjëherë nuk duhet të hamendësohet.
Bedri Shala lindi më 6 shkurt 1969 në fshatin Negroc, Komuna e Drenasit. Vjen nga një
familje me ndjenjë shumë të fortë atdhetare, duke qene vazhdimisht kundërshtare e
regjimeve antipopullore. Stërgjyshi Shaban Hyseni ishte njeri i besës dhe burrë i mençur, që njihej për fjalën e tij pajtuese në ngatërresa dhe gjaqe në Drenicë. Si familje herët kanë qenë të përfshirë në lëvizjen e rezistencës antiturke dhe antiserbe. Gjyshi i tij për qëndrimet e tij kryengritëse ishte arrestuar dhe dërguar në burgun e Nishit, ku edhe vdes. Dy djemtë e axhës, Idrizi, pushkatohet në Senik
me rastin e shpërthimit të luftës midis partizanëve dhe Bajraktarit të Astrozupit, ndërsa
Aliu vritet si pjesëtar i Ballit Kombëtar.
Babai i dëshmorit, Veliu, më 1 janar
1959 u detyrua që për 32 vjet të qëndrojë në botën e jashtme. Babë
Veliu dhe nënë Taibja kishin shtatë fëmijë: pesë djem dhe dy vajza. Bedriu ishte vëllai i
katërt me radhë. Pas vdekjes së babait, Veliut, vëllai i madh, Shabani, mori përsipër përkujdesjen dhe shkollimin e vëllezërve dhe motrave. Që nga viti 1980 Shabani ishte anëtar i Lëvizjes për
Çlirim, kurse Bedriu më 1984 futet në treshen e parë të simpatizantëve të lëvizjes. Meqë Fehmi Lladrovci, Ali Ahmeti, Idriz Hysenaj, Elmi Zekaj e të tjerë vinin në shtëpi për t’u takuar me
Shabanin, Bedriu pati rastin që drejtpërsëdrejti të njihej me ta dhe me punën e tyre. Me rastin e
zbulimit të këtij grupi, përkatësisht me burgosjen e tyre, arrestohet pothuaj e tërë familja Shala.
Me këtë rast Shabani u dënua me 7 vjet burgim. Që nga kjo kohë familja ishte nën mbikëqyrje të
organeve të sigurimit serb. Shpërthimi i demonstratave të viteve 1988 e 1989, në mbrojtje të
çështjes shqiptare, Bedriun e gjen në ballë të tyre në Drenas më 31
janar 1990, me ç’rast vriten tre dhe plagosen 27 demonstrues. Në prehrin e Bedri Shalës vdes
Enver Karaxha, njëri nga të rënët në këtë demonstratë.
Pas lirimit të Shabanit nga burgu, më 1991, në shtëpinë e tyre u rikthye aktiviteti politik. Aty tashmë po vepronte Partia e
Luftës së Kosovës, të cilën në vitin 1983 e 1984 e kishin themeluar Rexhep Malaj, Nuhi Berisha,
Fehmi Lladrovci, Shaban Shala etj. Më 1 janar 1992, pas luftës në Prekaz, vëllezërit Adem,
Hamzë dhe Rifat Jashari, si dhe Ilaz Kodra, Sahit Jashari dhe Fadil Kodra, gjetën strehim në këtë
familje. Ndërkohë, i shtrënguar nga regjimi, Bedri Shala emigron në Danimarkë, e prej andej
kalon në Roterdam të Holandës e, më vonë, në Haus. Këtu qëndroi dhe veproi deri më 6 mars
1998, kur edhe braktis Holandën dhe me një grup shokësh përmes Shqipërisë hyn në Kosovë,
përkatësisht në Jabllanicë të Dushkajës.
Kushtrimit të komandantit Ramush Haradinaj Bedriu i
përgjigjet me besnikëri, andaj edhe emërohet komandant i pikës në Gllogjan për të vazhduar si
epror dhe shef i operacioneve në Zonën Operative në Dukagjin. Pas betejës së 24 marsit në
Gllogjan, Bedri Shala me një grup luftëtarësh nga Drenica kalon nga Jabllanica në Gllogjan, ku
iu besua detyra e komandantit të stërvitjeve për rekrutët e rinj. Këtu veproi deri në qershor të vitit
1998, prej nga kthehet në Drenicë, ku organizoi një numër të madh rekrutësh, sidomos në
Shtabin e UÇK-së në Likoc, me të cilët u nis për në Shqipëri për t’u furnizuar me armë. Ky grup
prej 270 vetash, i prirë nga Bedri Shala, kaloi kufirin shqiptaro-shqiptar, u armatosën dhe sollën
në Drenicë pesë topat e parë, minahedhës të kalibrit 82 mm, pesë gulinovë, 500 mortaja dhe 13
snajperë si dhe municione. Për sa kohë qëndroi në Drenicë mori pjesë në luftimet në Gllarevë. Duke parë aftësitë e tij, komandant Mujë Krasniqi kishte propozuar që Bedriu të mbetet në Drenicë. Mirëpo, Bedriu i kishte thënë atij se respekton hierarkinë dhe nëse komandant Ramush Haradinaj vendos për transferim,
unë do ta respektoj vendimin. Në të kundërtën, dëshira ime është për të vepruar në Dukagjin.
 Meqë luftërat kundër forcave serbe në Grykë të Llapushnikut, Qirez, Prekaz, Llaushë, Likoc e në shumë vende të tjera ishin të suksesshme, Bedri Shala dhe Rasim Kiçina vihen në ballë të një grupi prej 800 luftëtarësh që u nisën për Shqipëri për armatim. Më 2 korrik 1998
 arrijnë në Gllogjan. Më 4 korrik kalojnë kufirin dhe vendosen në Tropojë. Këtu qëndrojnë më
shumë se dy javë. Gjatë kësaj kohe grupi i udhëhequr nga Bedriu kreu stërvitje ushtarake. Sapo hynë në Kosovë, në fshatin Jasiq ndeshen në forcat serbe, të cilat kishin zënë pozicione. Pas një ballafaqimi, armiku tërhiqet
me humbje. Më 28 korrik Bedri Shala, Bekim Berisha e luftëtarë të tjerë vendosen në Junik. Që
nga kjo datë e deri në rënien e Bedriut me shokë janë zhvilluar beteja të panumërta me forcat
ushtarako-policore serbe në shumë vendluftime të Rekës së Keqe dhe të Rekës, ku Bedri Shala
tregoi heroizëm të rrallë. Gjatë luftimeve, më 10 gusht 1998, ra në fushën e nderit në Junik Bedri
 Shala së bashku me luftëtarin e njohur dhe mikun e pandashëm Bekim Berishën – Abenë, Elton
 Zherkën, Përmet Vulën etj. Bedriu ra në përpjekje për t’ia grabitur ushtrisë serbe tankun pa të
cilin, siç thoshte ai, nuk do të kthehej në Drenicë. Pas rënies, Brigada 134 mori emrin e tij, të
cilin e mbajti me krenari deri në përfundim të luftës.
Për veprën dhe heroizmin e Bedri Shalës me vlerësimet më të larta folën edhe nënkolonel Astrit Huskaj, gjeneral Lahi Brahimaj, Ramush Haradinaj, Nasim Haradinaj etj. Janë të rrallë njerëzit që spikatin me guximin dhe aftësinë vepruese si të Bedriut. Ai ishte figurë sa reale, aq edhe mitike e legjendare. Askush nuk mund t’i krahasonte guximin, moralin dhe qëndrueshmërinë fizike me të. Njeri që kaloi disa dhjetëra herë kufirin shqiptaro-shqiptar, gjithmonë i ngarkuar me përgjegjësi të njëjtë, ta udhëhiqte grupin e rekrutëve që armatosej dhe kthehej. Bashkëluftëtarë të tij e kanë pohuar se ishin shumë sfiduese ritmi dhe disiplina që diktonte ai në rrugëtimin e vështirë të kalimit të kufirit. “Vetëm me Bedriun, – do të shprehej një nga shokët e luftës, – ndiheshim të sigurt nga vdekja gjatë kalimit të kufirit”.
Mbetet detyrë e shenjtë për historianët e rinj dhe për historiografinë tonë portretizimi i plotë i veprës së madhe të dëshmorit të kombit Bedri Shala. Duke e njohur edhe personalisht, besoj shumë se në historinë e re të Kosovës emri i Bedri Shalës do të radhitet me meritë në piadestalin e heronjve të kombit si Adem dhe Hamzë Jashari, Fehmi e Gjevë Lladrovci, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Zahir Pajaziti, Mujë Krasniqi, Agim Ramadani, Salih Çekaj dhe të tjerëve të këtij formati.
Shkruan: Prof. dr. Ibrahim Gashi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu