Në kutinë e magjistarit! Udhëtim në jugun dhe mesin e Shqipërisë

0
825

Nuk dihet pse, kur duan të përshkruajnë një udhëtim apo tërësinë e vendit të tyre, shqiptarët  thonë “nga Jugu në Veri”. Gjithë kombet e tjera përdorin renditjen e anasjelltë. Mbase në shqip kjo vjen nga lehtësia fonetike në shqiptimin e këtij togfjalëshi, apo kushedi nga cila arsye ngulitur thellë në historinë e gjuhës tonë, por është edhe mënyra për të filluar një udhëtim në tokën e atyre që sot quhen shqiptarë. Për të hyrë në ekstremin jugor të vendit, janë dy porta: Ajo e Qafë-Botës dhe e ajo Kakavijës. Nëse dëshiron të hysh nga Qafë-Bota, rruga greke që të çon aty, menjëherë mbas qytetit të fundit grek të Igumenicës, atrofizohet dhe të vjen çudi kur ndalon në një doganë të madhe. Me siguri funksionari grek që ka miratuar projektin, nuk e ka pasur idenë se gjithë ajo bina nuk shkonte me infrastrukturën që të çonte tek ajo. Ose ndoshta e kanë bërë për reciprocitet të doganës shqiptare, e cila është e standarteve europiane. Rruga që vazhdon pasi ke kaluar postbllokun shqiptar, është superstradë e standarteve të larta, dhe këtë me sa duket e ka ndihmuar mungesa e një rruge të vjetër, çka e ka bërë projektuesin të hedhë në letër një gjurmë tërësisht të re. Rruga shtrihet midis maleve të zhveshura. Ashtu si shumë shqiptarëve iu ka bërë përshtypje kur kanë kaluar kufijtë tokësorë të atdheut, se si matanë kufirit ka gjelbërim, i cili mbaron si i prerë me thikë aty ku fillon Shqipëria zyrtare, edhe në rastin e Qafë-Botës nuk bën përjashtim. Ndonjë filiz i gjelbër që lind ndrojtur pas dimrit në shpatet e zhveshura të maleve, nuk do ta ketë të gjatë, pasi vjen vera dhe barinjtë i vënë flakën faqeve të malit, për të stimuluar kullotën e re. Për disa kile djathë e qumësht, bëjnë një masakër ekologjike. Por nuk është vetëm faktori human shkaku i shkretisë së florës. Me siguri, fqinjët tanë, kur kanë kërkuar vendosjen e kufijve të Shqipërisë, kanë marrë tokat më pjellore dhe të përshtatshme për bujqësi dhe pyje, dhe lënë shqiptarëve ato jo prodhuese, të shkreta dhe kënetore. Ngjarja e fundit e marrëveshjes detare, dëshmoi rishtas se kur iu duhet një pasuri që shfaqet papritur në truallin shqiptar, do gjejnë edhe një shqiptar që është gati ta shesë. Por duke iu kthyer rrugës, çudia vazhdon disa minuta dhe segmenti europian mbaron. Pak kilometra, dhe nëse has në ndonjë këmbësor, duhet të drejtosh pyetjen e çuditshme se “cila është rruga që nuk të çon në Livadhja”? Nëse të vjen turp, apo të duket alogjike ky formulim, përfundon në shtratin e rrugës së re, i cili është akoma i paasfaltuar dhe rrezikon çarjen e gomave. Një grup italianësh që kishin kuturisur në këtë aventurë, kishin parkuar anës rrugës me dy goma të kamperit të tyre të çara, dhe në fytyrë iu lexohej dëshpërimi, ndërsa nga gjestet dhe hapja e gojës, përtej xhamit dukej qartas se ajri ishte mbushur me sharje të pasura. Në kryqëzimin afër Sarandës, ndodhesh përballë dilemës se cili është degëzimi i asaj që në gjuhën e përditshme quhet “Rruga e Bregut”. Tabelat e sinjalistikës janë inekzistente dhe mund të përfundosh në Sarandë. Qyteti i dikurshëm i quajtur nga Musolini me emrin e të bijës “Porto Eda”, apo nga fqinjët grekë “Dyzet shenjtorët”, Saranda, është kthyer në një monstër urbanistike. Nëse mendon të hidhesh për vizitë deri në Butrint, në rrugën që të çon nuk ekziston më vija bregdetare shkëmbore me ujë të kristaltë dhe pishat detare që vishnin faqet e kodrave. Buzërrugët janë kafshuar dhe inertet janë hedhur pikërisht mbi vijën bregdetare që natyrës i janë dashur shekuj ta lëmojë. Ndërtues të pangopur, të zgjedhur vendorë të limaksur për pasuri, e kanë shkatërruar. Njeriu normal pyet veten pse duhet blerë një banesë mijëra eurosh, për të parë një shëmti të tillë? Është e mira të mos gabosh rrugën dhe tëkthehesh në Sarandë, për të ruajtur kujtimin e dikurshëm. Ndaj tek kryqëzimi që është pa hyrë në qytet, rishtas duhet të bësh zakonin e muhaxhirit dhe të pyesësh ndonjë kalimtar rasti, që mos degdisesh në Delvinë dhe të trishtohesh nga pamja e saj prej qyteti-fantazmë. Sapo ke marrë drejtimin e duhur drejt fshatrave të bregut, për disa kilometra, anës rrugës, syri të shëtit mbi plehra ose inerte të hedhura nga ndërtuesit apo Bashkia e Sarandës. Pamje më atraktive se kjo për turistin e huaj nuk mund të ketë! Në gjithë gjatësinë e tij segmenti kalon në gjurmën e vjetër, dhe rindërtimi i reklamuar me aq bujë nga kryeministri i vendit, konsiston në asfaltimin, disa zgjerime dhe mbrojtëse anësore të rrugës, të cilën nuk dihet se kush e ndërtoi për herë të parë. Asfalti gjarpëron mes fshatrave, dhe vende–vende, ngushtohet nga muret e shtëpive, duke rrezikuar aksidentin. Dukshëm, është rrugë utilitare e ndërtuar për nevojat e shtatë fshatrave, që nuk ka lidhje me turizmin dhe shfrytëzimin e resurseve të bregdetit, pasi shumicën e saj, kalon larg vijës detare dhe nuk ka perspektivë zgjerimi. Në kohën e qeverisjes së Fatos Nanos, ishte në plan ndërtimi i një rruge krejtësisht të re, e cila do kalonte afër vijës detare, duke e bërë të mundur shfrytëzimin e potencialeve të saj, por si çdo projekt europian, u silurua nga Berisha sipas motos së tij “prish gjyma e bëj kanaçe”, dhe përfundoi në këtë shteg të asfaltuar që është sot. Ndërkohë që në periudhën e verës janë të përmbytura nga shqiptarë të ultësirës perëndimore, dhe më pak të Kosovës, në dimër, fshatrat kthehen në vetminë e tyre. Lukova të fut frikën me apartamentet e kohës së socializmit, tashmë të braktisura në shumicën e tyre. Brezaret e dikurshme me agrume, sot mezi duken të mbuluara nga bimësia e egër. Viti 2012-të, duket se ka prurë edhe qetësinë politike në këto anë. Don Kishoti i Vorio-Epirit, ish-kryetari i Bashkisë së Himarës, Bollanoja, ka nisur turet nëpër botë që të ndezë zemrat e pleqve të Megali Idhesë. Fosil i shëmtisë shqiptare, kur raca jonë bëhet mercenar i të huajve kundër vendit të tij, mbase mbledh forcat për sulm të ri, por Himarën e ka lënë të qetë, duke i lënë trashëgim disa ndërtime monstruoze pallatesh. A thua ai ndërtues që i ka bërë, ia ka njomur dorën lejelëshuesit? Vështirë të jetë e kundërta. Por, Himara nuk njihet më, krahasuar me dhjetë vjet më parë. Kuptohet, është shëmtuar. Megjithëse me infrastrukturë rudimentare, mundësia e lëvizjes së shqiptarëve ka rrëzuar mitin e një bregdeti të pashoq dhe të virgjër. Kemi një breg deti me bukuri normale për standardet e Greqisë apo Kroacisë; të vogël për shtatë milionë shqiptarë; të trajtuar në mënyrë barbare. Ngastra të vogla ende të paprekura, do shërbejnë si burim fitimi për një grusht njerëzish dhe në këtë rast nuk duhet shumë hamendësi për ta kuptuar se kush do jenë. Por si pol atraksioni e pushimi për njerëzit e zakonshëm, ky bregdet nuk ekziston më. Mungesa e planeve të zhvillimit, mungesa e arkitekturës harmonike me traditën dhe ambientin, janë të gjitha premisa, në mos faktorë tashmë, që vija bregdetare shqiptare, të jetë pa perspektivë. Kuzhina lë për të dëshiruar. Në shumicën e asaj çka të ofrohet, produktet bujqësore janë të importit. Megjithëse kalon afër detit dhe është në traditën e bregasve konsumimi i frutave të detit, këshillohet të hash mish në hell, pasi në të kundërtën mund të përtypësh peshk, karkaleca, kallamarë apo oktapodë grekë të shkrirë ditë përpara. Gjuetia me dinamit e ka shndërruar botën nënujore të rivierës joniane në një shkretëtirë të pabanuar nga fauna detare. Pa folur për gatimin që është një miks shqiptaro-greko-italian, duke të dhënë surogato. Edhe restorantet e prodhimeve të detit që ngrihen në segmentin Orikum – Vlorë, pavarësisht pretendimeve se ofrojnë meny të kuzhinës famëmadhe të Pulias, rajonit italian shtatëdhjetë kilometra përballë, në realitet janë llafollogji. Dhe sytë tek fatura. Mund të jetë aq e kripur, sa uji i detit shëmbëllen me sherbet. I vetmi produkt ku mund të ecësh me këmbë të sigurta, është mishi i hellit. Aq më mirë nëse e ha në fshatrat e thellë si Dukati. Këtë me sa duket e kanë kuptuar turistët vendas, që konsumojnë në Qafën e Llogarasë qengja e keca, në sasi që Gargantuasë do t’i dukej vetja midis të barabartëve. Pasi ke përshkruar njëqind e ca kilometrat që ndajnë Sarandën me Vlorën për tre orë, dhe shpreson të çlodhesh në kryeqendrën shpirtërore të shqiptarëve, duhet ta harrosh. Nuk të pushon syri, pasi ndërtimet e egra kanë filluar edhe matanë tunelit. Pallate shumëkatëshe kanë mbirë në Vlorë, me stil dhe arkitekturë që nuk ka lidhje me qytetin bregdetar. Është e njëjta arkitekturë që lulëzon në çdo qendër urbane shqiptare, ku ndërtohen godina mastodontike për të pasur sa më shumë përfitime, duke goditur në mënyrë të parikuperueshme imazhin e qytetit. Nuk të pushon trupi, pasi të shkundin gropat dhe të mbyt pluhuri. Kur del nga qyteti, duhet të marrësh rrugën që të çon në Tiranë. Është një autostradë ende në mes të saj si gjatësi dhe në gjysmë si gjerësi. Ashtu si segmenti që lidh Tepelenën me Fierin, edhe kjo ishte planifikuar nga ish-qeveria socialiste të ndërtohej brenda vitit 2007-të. Spartak Poçi, atëherë ministër i Transporteve, kishte firmosur marrëveshjet për financimin nga pala italiane të këtyre rrugëve. Asnjë kacidhe nuk do nxirrte nga xhepi taksapaguesi shqiptar. Por në 2005-ën, si për inat të vlonjatëve që e rrëzuan nga pushteti, apo të jugut të vendit që nuk e ka votuar kurrë, Berisha filloi akrobacitë me pretekstin se do ndryshonte trajektoren duke e kaluar nga Berati, dhe pastaj duke u kthyer në projektin fillestar. Natyrisht që italianët nuk mund të financonin një projekt pa fizibilitet, krahasuar me një tjetër që kishte marrë udhë. Rezultati është që, ende sot e kësaj dite Vlora është tre orë larg nga Tirana, po aq sa Prishtina, ndërsa Gjirokastra nga kryeqyteti, pesë orë. Në krahun tjetër, punimet e filluara në segmentin Levan – Tepelenë përparojnë me tempin e breshkës. Gjendja e rrugës ka vite që është skandaloze. Kur ra dëbora e këtij viti dhe bllokoi komunikacionet në jug, në Gjirokastër doli thënia: “Rrugën e Kakavijës të kemi në rregull, pa ajo për Tiranë nuk na prish punë”. Këtë arriti ky farë patrioti që sot është kryeministër: t’iu zvjerdhë vendin e tyre shqiptarëve. Nëse në të shkuarën do financoheshin nga të huajt, sot financohen nga buxheti i shtetit shqiptar, që është i tretur e i rrjepur. Gjithë bubullimat e Berishës opozitar, nuk kishin hallin e financave shqiptare. Mefshtësia e socialistëve, bëri që Berisha të realizojë qëllimet: Rrugët të ndërtohen nga miqtë e tij, të cilët i nxjerrin kostot sipas qejfit dhe borxhet me interesa do t’i paguajnë shqiptarët. Hakmarrje më të plotë ndaj atyre që e zbythën nga pushteti as ai vetë nuk e kishte ëndërruar. Kush mendon të shkojë nga Tirana duke hyrë nga Kakavija dhe të kombinojë udhëtimin me atraksionin turistik, bën mirë të ndjekë rrugën e bregut, pavarësish vështirësive të saj. Pasi kalon nëpër fshatrat e Dropullit të Poshtëm, të cilët ende respektojnë vijën e verdhë dhe rregullat e ndërtimit, por fushat për shkak të largimit të rinisë janë djerrë, syri të has Gjirokastrën, e cila është në agoninë e saj. Ndërtimet shumëkatëshe në zonën fushore dhe rrënime apo modifikimet në atë muzeale, po e shndërrojnë një ndër qytetet më të bukura të botës dhe djepin e inteligjencës së jugut, në një vendbanim të zakonshëm që është drejt fundit. Më tej, Tepelena, Memaliaj, Ballshi dhe fshatrat buzë rruge, janë në vyshkjen e tyre. Këtyre i fundit dhe fshatrat përreth nuk iu kalon rruga e re afër. Vite përpara, kur shoqëroja disa miq italianë, ata u mahnitën nga kodrat e bukura të Mallakastrës dhe i krahasuan me ato të Toskanës, të përshtatshme për vreshtari. Shumë shpejt, banorëve të tyre do iu duhet të mendojnë zhvendosjen. Pas takimit që bën në Fier rruga e nisur nga Kakavija apo Qafë-Bota, futesh në segmentin që shumë shqiptarë e njohin. Sa fillon t’i japësh gaz makinës, do të dalë përpara ndonjë polic rrugor me makinën e tij private që ka dalë mos peshkojë ndonjë lek, ose një nga rrethrrotullimet e shumta të kësaj rruge,- shpikje idiote e projektuesit të saj,- dhe t’i do ulësh shpejtësinë. Në horizont duket monstra socialiste-demokratikase e plazhit të Golemit dhe Durrësit: Dëshmi se kriminaliteti shqiptar ndaj natyrës, dhe mungesa e shijeve estetike dhe arkitekturore, nuk ka ngjyrë. Nëse kryeministri shqiptar mburret me turizmin dhe kapacitetet shqiptare të përthithjes së tij, ka parasysh këtë copë të territorit shqiptar, ku dikur një brez rëre i artë me qindra metra gjerësi dhe gjatësi kilometrike, kombinohej me pishat, që e kufizonin dhe njëkohësisht e ndërthurnin me kodrat e buta. Sot, kjo tokë mbulohet nga një xhungël pallatesh shumëkatëshe ku njerëzit mund t’i japin dorën njëri-tjetrit nga ballkonet respektive. Ndërtesat e stërmëdha nuk kanë lidhje dhe harmoni me territorin; kanalizimet e ujërave të zeza nuk ekzistojnë, ndërsa uji me orar vjen nga depozita që nuk pastrohen kurrë, duke e kthyer zonën në qendër urbane të ngjashme me “favellas”-et e Brazilit, se sa me një qytet europian. Nëse hyn brenda, utilitarizmi minimalist i ndërtuesve shqiptarë ka lënë gjurmët e tij: Shkallë të pandriçuara, dhoma me pamje në çdo drejtim të horizontit, por jo nga deti; pllaka dhe hidrosanitare të cilësisë më të ulët, të montuara keq nga ish-bujq apo barinj të kthyer në muratorë dhe hidraulikë. Në hotel do kesh rastin të flesh në çarçafë poliestre që të gërryejnë si letër smeril, dhe të hash menynë të gatuar me mishra frigoriferi pa shije. Çmimi, natyrisht që është më i shtrenjtë se në hotelet greke apo italiane. Gjelbërimi, pra ajo që bota quan pemë dhe lule, është diçka sporadike. “Lulja është mobilja më e bukur”, thoshin grekët e lashtë. Arkitektët dhe administratorët e rinj shqiptarë, nuk kanë lidhje me parimet mbi të cilat është ngritur bota civile tej kufijve tanë. Durrësi, dikur një qytet i këndshëm me ndërtimet e tij paqendjellëse dhe banorët e butë dhe të qetë, sot është kthyer në të njëjtën monstër urbanistike që të has syri ngado. Dhe të mendosh që nëse ke hyrë nga Kakavija, të janë dashur katër orë, apo nga Qaf-Bota, të janë dashur shtatë, që të mbërrish në këtë qytet, mendon se sa i vështirë është ky vend! Pronari i Shqipërisë, mundohet ta shesë për atë që nuk është vendin e tij; pronari i pallatit ndërtesën; pronari i lokalit ushqimin! Që të gjitha të deformuara ose pa shije, por shpresojnë në aftësitë e tyre prej magjistarësh.
Të flasësh për Tiranën, tashmë nuk ka kuptim, pasi nuk ka shqiptar që nuk e njeh. Por një udhëtim nga kryeqyteti drejt Prishtinës ia vlen, pasi me këtë rast shikon atë që dikujt i pëlqen ta quajë “Rruga e Kombit”, duke parë me sytë e tu, nëse janë të vërteta të gjitha sa thonë për të, por edhe për të njohur racën që jeton matanë kufijve zyrtarë të Shqipërisë së sotme, dhe ndryshimin që kanë sjellë njëqind vjet ndarje midis vëllezërve binjakë. Për këtë duhet udhëtim tjetër dhe ditë tjetër, pasi të kesh fjetur më përpara në Tiranë. Një udhëtim që vazhdon nesër.

 

Shkruan: Dritan Hila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu