Në ‘luftë’ për Kishën… Përplasjet shqiptaro-serbo-greke për Kishën Autoqefale më 1929

0
492

Drejtimi i Kishës Autoqefale Shqiptare në shkurtin e vitit 1929 shënon një histori përplasjesh mes Greqisë dhe ish-Jugosllavisë. Secili prej fqinjëve të Shqipërisë së brishtë të kohës, synonte të kishte ndikimin e vet mbi kishën shqiptare, duke siguruar kështu edhe ndikime të tjera, në vendin tonë.
Historiani Beqir Meta, njëkohësisht drejtor i Institutit të Historisë, së shpejti pritet të botojë studimin me titull “Minoritetet dhe institucionet kombëtare në Shqipëri”. Pas 10 vitesh pune kërkimore, akademiku ka arritur t’i japë formën përfundimtare librit të tij, mbasi është konsultuar gjerësisht edhe me arkivat britanike dhe dokumentet e fundit marrë atje, para pak muajsh. Rezultati i kërkimeve të tij, hedh dritë në periudha e ngjarje të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, e një syresh është edhe viti 1929, kohë kur synohej plotësimi i sinodit (kryesisë) së Kishës Autoqefale Shqiptare. Përplasjet që pati Zogu me Beogradin e Athinën në atë kohë, vijnë të raportuara nga anglezët, që përkundër politikës që mund të kenë ndjekur në atë kohë, në dokumente shihet të jenë në dijeni për çdo lëvizje të tri kryeqyteteve Tiranë-Athinë-Beograd, e jo vetëm mbi çka thuhej zyrtarisht, përkundrazi, Londra vihej në dijeni edhe për bisedimet e fshehta.
Sa i takon kërkesës së hershme të shqiptarëve ortodoksë për të pasur një Kishë të pavarur, është folur më herët edhe nga Nos Xhuvani e Pavli Haxhillazi. Ka qenë shpallja e Pavarësisë dhe Kongresi i Lushnjës më 1920-ën, ato që e rigjallëruan këtë dëshirë. Ortodoksët shqiptarë, të udhëhequr nga kanoni kryesor “Kishë e lirë në shtet të lirë”, kërkojnë që të gjitha ritualet fetare të bëhen në gjuhën shqipe, në gjuhën amtare. Kështu, në vitin 1922, u mbajt Kongresi i Parë Kishtar i Beratit, i cili shpalli autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare. Ai plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptarë, sepse vendosi përfundimisht të drejtën e ligjshme të shqiptarëve ortodoksë për përdorimin e gjuhës shqipe në kishë, çka u njoh nga qeveria shqiptare përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave që mban datën 18.09.1922. Por, problemet do të vinin kur Stambolli të mos e njihte kishën shqiptare. Kërkesat që Patriarkana e Stambollit vuri në këmbim të njohjes hidhnin poshtë vendimet kryesore të Kongresit Kishtar të Beratit dhe opinioni atdhetar nuk u pajtua me këto kërkesa. Pas përpjekjeve të shumta disavjeçare, mbërrijmë në vitin 1929, kohë kur zgjedhja e kryesisë së kishës.
Përplasjet mes tri shteteve zbardhen nga libri i akademik Beqir Metës, pjesë të të cilit po i botojmë sot me lejen e tij.
‘Lufta’ diplomatike që shtrihej “ndanë” portës së sinodit, shihet qartë të jetë një luftë për ndikim, duke përdorur pretendimet e vjetra, në mos kërkesa të reja. Për të arritur qëllimet, Greqia ka përdorur peshkopët, duke iu premtuar shuma të majme parash, e ndërsa në fillim Beogradi ndihmoi Tiranën pa kushte për kryesinë e Kishës, më vonë u pendua duke e lënë në baltë. Hapat që hodhën tri shtetet për kishën, zbulohen nga arkivat e Londrës.
Fatmira Nikolli

Për të plotësuar Sinodin e KOASH, në shkurt të vitit 1929, Visarioni dhe peshkopi serb Viktori hirësuan tre peshkopë të rinj, pasi më parë qeveria shqiptare i kishte premtuar Viktorit zyrtarizimin e funksionit që, deri atëherë, e kishte kryer si qytetar privat. Konsensusi i qeverisë për të bashkëpunuar me Viktorin shpjegohet, sa me nevojën e madhe për të formuar Sinodin me klerikë që kishin titullin e lartë të peshkopit, aq dhe me vetëbesimin e qeverisë, e cila tashmë e ndjente veten aq të fuqishme sa mund ta përdorte Viktorin për qëllimet e saj, pa pasur frikë se kjo lojë politiko-eklestike mund t’i kthehej në bumerang. Më 18 shkurt, një sinod i peshkopëve ortodoksë shqiptarë afirmoi autoqefalinë e kishës së tyre, në krye të së cilës u zgjodh si metropolit, Visarioni.
Fanari kundërshtoi, duke u justifikuar se vetëm bashkësitë ortodokse që përfaqësonin shumicën e popullsisë së një vendi, kishin të drejtë për autoqefalinë. Ai çkishëroi peshkopët e rinj shqiptarë dhe i deklaroi të shkarkuar. Gjithashtu i kërkoi Patrikanës Ortodokse Serbe të çkishëronte Viktorin.
Në këto momente, Athina u ankua se pakica greke në Shqipëri ndjehej se i ishte cenuar e drejta për një hierarki kishtare që të kishte gjuhën dhe kulturën e saj.
Grekët filluan betejën diplomatike dhe propagandistike për të denoncuar këtë “grusht shteti” të qeverisë shqiptare. Më 21 shkurt, Krisanthosi takoi përfaqësuesin britanik Philip Usher, të cilit i foli “në një mënyrë elokuente” për “grushtin e shtetit” kishtar në Shqipëri. Krisanthosi i tha atij se dy peshkopët: Viktori, i cili ishte vënë në Peshkopatën e Shkodrës nga serbët, dhe Visarioni, një prelat i cili e kishte marrë konsakrimin nga qarqet ruso-serbe, kompletuan numrin e peshkopëve. Të pesë peshkopët do të njiheshin tani nga qeveria shqiptare si sinod i KOASH. Nga ky Sinod, tre anëtarë do të ishin të rremë (kukulla), një tjetër do të ishte serb, ndërsa Visarioni ishte me një moral aq të keq saqë përmendja e emrit të tij në Parlamentin shqiptar kishte shkaktuar të qeshura të zhurmshme të ortodoksëve e të myslimanëve. Usher nga ana e tij shtonte se Hodgson kishte raportuar për të njëjtën gjë. Krisanthosi tha se, për më tepër, konsakrimi i tre peshkopëve të rinj, vetëm nga dy peshkopë ishte një dhunim i rëndë i ligjit universal të Kishës (i cili kërkonte një minimum prej tre konsakruesish), gjithashtu ishte edhe një sulm ndaj Patriarkatit Ekumenik. Ai paralajmëroi se përveç një pjese të vogël, popullsia ortodokse ishte e pamundur që të njihte Sinodin e ri, pa presionin e ashpër të qeverisë. Ndërsa sipas tij, dy peshkopët e vërtetë të Korçës e Gjirokastrës, nuk kishin të bënin me këtë Sinod.
Kur Usher i tha Krisanthosit se Mbreti Zog ishte krejt i painteresuar në çështjet e brendshme të Kishës, por vetëm donte që ky problem të zgjidhej, Krisanthosi u përgjigj se ishte krejtësisht ndryshe. Ai shtoi se një grup i vogël ish-kamerierësh të amerikanizuar por tërësisht të pashkolluar, të cilët kishin intriguar për të marrë kontrollin e kishës, nuk do të kishte pasur fare fuqi për të vepruar. Ata ishin shfaqur fillimisht kur A. Zogu kishte qenë ministër i Brendshëm dhe e kishin fituar gjithë peshën e forcën e tyre me mbështetjen e qeverisë. Krisanthosi përfundoi duke thënë se minoriteti ortodoks shqiptar përbëhej nga njerëz të mirë dhe paqësorë. Ata, duke qenë fshatarë të bindur dhe jo klane të armatosura, paguanin 3/5 e gjithë taksave të vendit, gjë që ishte një padrejtësi e madhe e shumicës myslimane e cila po u impononte atyre për interesat e veta këtë Sinod të paligjshëm. Usher nga ana e tij pohonte se ajo që ishte e paqartë në këtë histori ishte pjesëmarrja e serbëve hapur apo fshehurazi në këtë çështje. Nëse ata kishin luajtur një rol të tillë, nuk dihej se përse?
Ministri britanik në Tiranë sqaronte më hollësisht dhe më qartësisht se çfarë kishte ndodhur. Ai informoi Londrën se ngjarjet për kishën shqiptare morën një kthesë të papritur pasi Mbreti u takua me V. Xhuvanin dhe anëtarët ortodoksë të kabinetit dhe vendosi që Visarioni të emërohej Peshkop i Tiranës e Durrësit, dhe se ai mund të merrte një ose më shumë peshkopë nga jashtë. Visarioni veproi me shpejtësi për ta kryer këtë mision. Hodgson theksonte se qeveria, përmes Koço Kotës, u kishte bërë thirrje peshkopëve të Korçës e Beratit që të merrnin pjesë në konsakrimin e prelatëve të rinj dhe të zinin vendet në Sinod, por ata nuk i ishin përgjigjur kësaj ftese. Pastaj Visarioni kishte udhëtuar në Jugosllavi për të siguruar ndihmën e Patriarkut të Beogradit. Më tej, Peshkop Viktori i Shkodrës ishte udhëzuar që të vihej në dispozicion të tij. Visarioni ishte kthyer në Tiranë më 8 shkurt i shoqëruar nga Viktori. Më 10 shkurt ata konsakruan si Peshkop të Beratit Arkimandrit Çamçen dhe më 12 shkurt si Suffragan Peshkop të Peshkopisë (Dibrës) priftin Hoshteva. Konsakrimi i peshkopit për Korçën ishte shtyrë.
I ngarkuar nga Patriarkana, Krisanthosi udhëtoi edhe në Beograd. Ai u takua me diplomatin britanik Montgomery. Këtij i tha se kishte kërkuar prej Patriarkut Dimitrije, i cili nuk mund t’u shpëtonte përgjegjësive për veprimin e Viktorit, që ta shkarkonte menjëherë Viktorin nga funksionet eklestike. Në rast të kundërt, këtë do ta bënte Fanari siç kishte bërë me Visarionin. Patriarku serb i sugjeroi Krisanthosit që Fanari nuk duhej ta njihte dhe premtoi të kërkonte menjëherë shpjegime nga Viktori. Krisanthosi mbeti i pakënaqur nga kjo përgjigje dhe nga shtirja e Dimitrijes, se nuk dinte gjë për këtë çështje. Për ndërhyrjen serbe ai u bind më tepër edhe nga reagimi i ministrit të Jashtëm dhe të Oborrit, Jeftiç, i cili, ndonëse tërthorazi shprehu pakënaqësinë për çka kishte ndodhur në Shqipëri, i tha Krisanthosit se, nëse Fanari dëshironte favore, duhej t’i kishte kushtuar më shumë vëmendje interesave serbe në Konkordatin e vitit 1926.
Nga ana e tij, Montgomeri theksonte se dukej qartë që kisha serbe nuk do të merrte ndonjë masë disiplinore kundër një Peshkopi, aktiviteti i të cilit kishte qenë i njohur prej saj dhe ishte miratuar nga qeveria jugosllave. Por gjithashtu nuk kishte të ngjarë që kisha serbe të njihte KOASH, e cila nuk pranohej nga Fanari, pasi nuk donte që të binte në pozita skizme me të. Kështu, ndonëse nuk mund të pritej një çarje përfundimtare midis Fanarit dhe Beogradit, marrëdhëniet midis tyre mund të bëheshin shumë të vështira. Ndërkohë, qeveria shqiptare bëri dhe një hap tjetër demonstrativ në mbështetje të zgjidhjes së re të arritur, duke dëshmuar publikisht se e miratonte dhe e vlerësonte lart atë. Mbreti Zog u akordoi dekorata Patriarkut të Beogradit, Dimitrije dhe Peshkop Viktorit. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për ministrin jugosllav për ndihmën që kishte dhënë Jugosllavia në çështjen e kishës. Dimitrijes iu dha “Kordoni i Madh i Urdhrit të Skënderbeut” dhe Viktorit “Oficer Madhor i Urdhrit të Skënderbeut”
Qeveria greke u acarua së tepërmi nga kjo zgjidhje që iu dha krijimit të Sinodit të KOASH, ndonëse në aparencë u përpoq të ruante qetësinë dhe pozitën e të painteresuarit, por duke u përpjekur që të sulmonte sa më fort dhe aty ku ishte pika më delikate e qeverisë shqiptare. Ministri grek në Shqipëri u deklaroi diplomatëve britanikë se popullsia ortodokse në Shqipërinë e Jugut kishte bojkotuar Peshkopin e ri dhe kishte refuzuar të merrte pjesë në ceremonitë e ndryshme, megjithëse ai po bënte njëfarë përparimi në rajon. Si rezultat i këtij bojkotimi dy persona të njohur me origjinë greke ishin burgosur dhe ishte frikë se mund të fillonte një persekutim i përgjithshëm i minoritetit grek. Edhe diplomatët britanikë në Athinë njoftonin Londrën se, ndërsa autoritetet kishtare në Greqi po dënonin me forcë zhvillimet e fundit në Shqipëri, qeveria greke ende nuk kishte treguar ndonjë interes publik për këtë çështje. Ata besonin se qeveria në Athinë po i jepte një mbështetje aq sa mundej Patriarkanës, në një mënyrë të maskuar, duke mbështetur pikëpamjet e saj.
Howard Smith kishte arritur në përfundimin se shqiptarët kishin të drejtë të krijonin kishën e tyre nga pikëpamja kombëtare, por mënyra se si e kishin krijuar kishën kishte qenë teknikisht skizmatike, pasi ata nuk kishin marrë pëlqimin e Fanarit. Por, shtonte ai, Fanari është tërësisht i paaftë që të imponojë disiplinën në këtë çështje. Smith i propozonte qeverisë së tij se rruga më e mirë do të ishte mirë shqyrtimi i kësaj çështjeje në Këshillin e LK.
Një raport më të detajuar bënte edhe ministri Hodgson, i cili konfirmonte vërtetësinë e arrestimit të dy pjesëtarëve të minoritetit grek në Gjirokastër, sepse nuk kishin pranuar të nënshkruanin një telegram i cili shprehte falenderimet e ortodoksëve të Gjirokastrës për qeverinë lidhur me zgjidhjen e çështjes kishtare. Më datë 18 ai bisedoi me ministrin e Jashtëm, Xhaferr Vila, i cili i foli me zemërim për agjitacionin që po bënin grekët kundër Shqipërisë në Gjenevë. Vila ishte shumë i zemëruar, sepse ishte vendosur që ankesat e Peshkopit Hierotheos të shqyrtoheshin me urgjencë nga Lidhja e Kombeve dhe jo në bazë të një metode normale procedurale. Qeveria shqiptare e kundërshtonte me forcë që të trajtohej në këtë mënyrë. Ministri i jashtëm shqiptar i deklaroi Hodgsonit, se në kohët e sundimit otoman, grekët, me anë të kishës dhe shkollave, kishin qenë në gjendje të forconin influencën në Shqipërinë e Jugut. Duke krijuar kishën kombëtare, shqiptarët kishin realizuar atë që u takonte. Grekët, me ndërhyrjet e tyre të padëshiruara, kishin krijuar kundërshti të panevojshme dhe e kishin shtyrë Shqipërinë më tej në krahët e Italisë. Vila kërkoi që Shqipëria të trajtohej në mënyrë të arsyeshme dhe jo të vendosej në pozitë të vështirë vetëm se nuk ishin kënaqur ambiciet e pajustifikueshme greke në kurriz të saj. Për këtë ai kërkoi edhe ndihmën e qeverisë britanike. Hodgson e pyeti më tej, nëse ishte e vërtetë që Peshkopi i Korçës, Jerotheos, ishte dëbuar jashtë Shqipërisë nga policia dhe se dy persona ishin arrestuar në Gjirokastër, pasi këto dy incidente do të krijonin përshtypje të dëmshme në Gjenevë. Vila u përgjigj se Jerotheos nuk ishte dëbuar forcërisht por ishte larguar me vullnetin e tij të lirë. Ai kishte kërkuar leje që të shkonte në Stamboll dhe kjo i ishte dhënë. Por pas kësaj ai kishte shkuar në Follorinë dhe ishte instaluar atje duke shkruar thirrje që përmbanin sulme kundër qeverisë shqiptare.
Hodgson njoftonte, se dy të arrestuarit u liruan të nesërmen e takimit të tij me Vilën dhe e cilësonte dënimin e tyre si një akt të pamohueshëm shtypjeje. Por nga ana tjetër, ai pohonte se ata që të dy, si Shahini ashtu edhe Cici, nuk ishin persona me një reputacion të paqortueshëm. Ai e cilësonte Shahinin si një agjent të paguar grek dhe Cicin si person i cili kishte pasur gjithmonë probleme të ndryshme me autoritetet. Sidoqoftë, ai mendonte se arrestimi i këtyre dy personave meritonte vëmendjen e LK. Gjithashtu Hodgson shprehej se nuk ishte i impresionuar nga përralla për fyerjet që i ishin bërë Hierotheos. Ai ishte informuar se nuk kishte pasur një eskortë policore kur Hierotheos ishte larguar nga Korça drejt kufirit dhe asgjë nuk kishte ndodhur kur ai u largua. Ajo që ishte përshkruar si demonstrim popullor kundër vendimit të qeverisë nuk ishte e vërtetë.
Megjithëse ai kishte pasur përkrahës në zonën e Korçës, reputacioni i tij ishte i një kleriku të vjetër problematik që udhëhiqej vetëm nga interesat vetjake. Për një farë kohe ai kishte qenë në dilemë nëse duhej të lidhej me Patriarkun apo me qeverinë shqiptare. Hodgson kishte marrë të dhëna nga persona që e njihnin mirë atë, sipas të cilëve arsyeja përfundimtare që ai u hodh në krahët e Patriarkanës, ishte premtimi i qeverisë greke për t’i dhënë një subvencion. Ai po e merrte tani këtë pagesë, duke bërë denoncime kundër qeverisë shqiptare nga një vend i sigurt. Ministri britanik pranonte se nuk mund të garantonte vërtetësinë e këtij raporti, por ai nuk shihte asgjë të pamundur në të. Nga një burim tjetër, Hodgson ishte informuar që një ofertë e ngjashme i ishte bërë dhe Peshkopit V. Xhuvani, të cilit grekët i kishin propozuar një post në Greqi, nëse do të pranonte të largohej nga Shqipëria.


(Vijon nesër)

Fatmira Nikolli dhe Beqir Meta

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu