Në maj, ndahet kufiri me Malin e Zi

0
670

Përcaktimi i vijës kufitare me Malin e Zi, ndonëse ishte parashikuar të ndodhë vitin e kaluar, ky proces për shkak të disa refleksioneve në Kosovë, ka mbetur të ndodhë këtë vit. Madje zyrtarë nga Ministra e Punëve të Brendshme thonë se “vizatimi” i kufirit me Malin e Zi do të fillojë në pranverën e vonë, duke u respektuar ish-kufiri administrativ i vitit 1974.

“Çështja e demarkacionit sipas parashikimeve pritet të nisë kah muaji maj i këtij viti. Është kjo kohë që është paraparë si më e mirë për nisjen e kësaj procedure”, thotë për “Zëri”, një zyrtar nga MPB.

Arsyeja e vonesës së demarkacionit të këtij kufiri, sipas tij, nuk ka të bëjë me asgjë tjetër pos me problemet që gjatë vitit 2011 e kanë përcjellë Qeverinë e vendit, kryesisht me çështjen e veriut.

“Pos kësaj, Kosova tashmë me Malin e Zi ka marrëdhënie shumë të mira, prandaj kjo çështje do të rregullohet në mënyrë të drejtë”, shtoi ai.

Por, banorët e Kosovës, kryesisht të qyteteve e fshatrave afër kufirit me Malin e Zi, sidomos ata që kanë prona aty, mbesin të shqetësuar se me rastin e demarkacionit të vijës kufitare mund t’i humbasin pronat e tyre.

Për këtë tregojnë kryetarët e komunave të asaj ane. Madje kryetari i Istogut, Haki Rugova, tregon se si familja e tij personalisht posedon tokë andej në brezin kufitar me Malin e Zi. “Familja ime personalisht posedon prona në territorin e Malit të Zi, andaj duhet shikuar mirë dokumentacionet, por edhe ato të vjetrat të kohës së mëhershme, në mënyrë që të definohen mirë gjërat”, tha Rugova.

Këto kontrollime, sipas tij, duhen bërë pasi që ka shumë prej banorëve edhe pse e dinë që kanë pronat atje, dokumentet e tyre mund të mos jenë në kadastrat e Kosovës, andaj edhe duhen kërkime më të thella.

Ali Berisha kryetar i Komunës së Pejës, banorët e të cilës anë kanë më shumë prona përgjatë kufirit me Malin e Zi, tregon njëjtë për shqetësimet e qytetarëve të tij.

“Banorët ankohen se kufiri ka lëvizur në drejtim të Kosovë, ku konsiderohet që një pjesë e territorit të Kosovës është në menaxhim të shtetit të Malit të Zi”, tha Berisha.

Por, duke u nisur nga deklaratat publike të bëra nga zyrtarët e të dyja vendeve, Kosovë-Mali i Zi, se asnjëra prej tyre nuk ka pretendime territoriale ndaj tjetrës, Berisha shpreson se definimi i vijës kufitare do të jetë i drejtë.

Ndryshe, ai thotë se kanë nisur disa lëvizje, ku Agjencia Kadastrale e Kosovës ka pasur takime me kadastrën e Pejës, kështu pritjet e tij kanë që ky proces të nisë dhe përfundojë këtë vit.

Nga ana tjetër, deputetët opozitarë të Kosovës shumë shpjet do të kërkojnë informatë të plotë nga MPB rreth punës së tyre në këtë drejtim.

“Ne do të kërkojmë një informatë të plotë nga Ministria e Brendshme, një pasqyrë me anë të së cilës ne pastaj do të dalim me reagimet tona”, tha Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme e Siguri në Kuvendin e Kosovës.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se shumë shpejt do të përmbyllet i gjithë ky proces. “Edhe ne edhe Qeveria e Malit të Zi ka shprehur vullnetin për këtë proces dhe unë besoj se e tëra ka mbetur në përgatitjet e çështjeve teknike dhe gjetjes së momentit të përshtatshëm për të nisur dhe përfunduar ky proces.

Me rëndësi është që Kosova ka kërkuar dhe kërkon respektim të kufirit shtetëror në vijat kufitare të vitit 1974”, tha Kuçi. Ndryshe, sipas tij, Mali i Zi nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj Kosovës, andaj nuk ka nevojë për shqetësime.

 

Besiana Xharra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu