Në prag të një Republika Serbska në Kosovë

0
475

Revista prestigjioze për studime gjeopolitike – EUROASIA, bëri një intervistë me analistin dhe publicistin Shkëlzen Gashi, të cilën po e transmetojmë të plotë, duke pasur parasysh aktualititein e çështjeve me të cilat merret i intervistuari, po edhe për pikëpamjet e shfaqura në të.

-Dua që ta fillojmë këtë intervistë me lajmet e fundit për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës është nënshkruar në bazë të 15 pikave. Cili është skenari i ardhshëm që do të ngjajë në këtë situatë. Duket se jemi pranë një Republika Sprska të re.

Gashi: Sipas Marrëveshjes së Përkohshme për Paqe dhe Vetëqeverisje në Kosovë (Marrëveshja e Rambujesë, 1999), e cila qe pranuar nga Delegacioni i Kosovës, por jo edhe nga ai i Serbisë, parashihej që serbët në Kosovë të kenë autonomi brenda Kosovës, ama autonomi joterritoriale, dhe atë vetëm në disa fusha.

Me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (Propozimi i Martti Ahtisaarit, 2007), i cili qe pranuar nga Delegacioni i Kosovës, por jo edhe nga ai i Serbisë, serbëve në Kosovë u forcohet autonomia. Për më shumë, Propozimi i Martti Ahtisaarit i hapë themelet për autonomi territoriale për serbët në Kosovë, pasi që me të parashihej e drejta e komunave me shumicë sërbe për të krijuar partneritet ose asociacion mes vete dhe për të bashkëpunuar me institucionet e Sërbisë e për t’u financuar nga to.

Tani me Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve (Marrëveshja e Brukselit 2013), e cila është pranuar nga Delegacioini i Kosovës, e kësaj radhe edhe nga ai i Serbisë, zgjerohet autonomia e serbëve në Kosovë në fushat që s’i kishte paraparë as Marrëveshja e Rambujesë e as Propozimi i Ahtisaarit, e që janë fushat më të rëndësishme – gjyqësia, policia dhe institucionet politike – si dhe betonohen themelet e autonomisë territoriale të serbëve në Kosovë. Pra, e vërtetë, jemi në prag të një Republika Srpska të re dhe nëse serbët në Kosovë e shfrytëzojnë si duhet këtë mundësi, atëherë në fund të kësaj dekade mund të bëhen entitet politik sikur Republika Srpska.

-Në shikim të parë, mbas një analize të shpejtë, të krijohet përshtypja që “15 pikat” shkojnë përtej Propozimit të Ahtisaarit, i cili është refuzuar. Në esencë, cili është ndryshimi?

Gashi: Propozimi i Ahtisaarit u ofron serbëve në Kosovë autonomi maksimale, të paparë deri tani, në: gjuhë, edukim, media, shëndetësi, financa dhe religjion. Prandaj, Serbia në Platformën Politike nuk ka kërkuar të drejta shtesë në këto fusha, e vetëdijshme se e ka të garantuar maksimumin me Propozimin e Ahtisaarit. Serbia në Platformën Politike ka kërkuar të drejta që tejkalojnë Propozimin e Ahtisaarit në këto tri fusha: polici, gjyqësi dhe institucione politike.

Në fushën e policisë, serbët në Kosovë në komunat ku janë shumicë, sipas Propozimit të Ahtisaarit, kishin të drejta në zgjedhjen e komandantëve të stacioneve policore, ndërsa në nivel të Kosovës ruhej zinxhiri i unifikuar i komandës së policisë. Prandaj, Platforma Politike e Serbisë kërkonte polici autonome, formalisht pjesë e Policisë të Kosovës, por që do të funksiononte nën autoritetin e Këshillit Ekzekutiv të Bashkësisë së Komunave Sërbe të Kosovës. Marrëveshja e Brukselit garanton pak a shumë këtë që e kërkonte Platforma Politike e Serbisë. Deri tani strukturat serbe të sigurisë në veri të Kosovës janë paguar nga Qeveria e Serbisë, kurse tash e tutje do të paguhen nga Qeveria e Kosovës sepse ato formalisht do të jenë brenda kornizës së Policisë së Kosovës, kurse komandanti i tyre do të zgjedhet nga Bashkësia e Komunave Serbe të Kosovës.

Në gjyqësi, sipas Propozimit të Ahtisaarit, komunat me shumicë serbe, në njëfarë mënyre, kanë të drejtë të themelojnë gjykata themelore, kurse Platforma Politike e Serbisë kërkonte që gjykatat në rajonin e Bashkësisë së Komunave Serbe të Kosovës të kenë autoritet të vendosin në të gjitha çështjet gjyqësore. Marrëveshja e Brukselit i njeh të drejtën këtij rajoni që të ketë deri edhe një panel të Gjykatës së Apelit, por në anën tjetër, marrëveshja e potencon se autoritetet gjyqësore atje do të operojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës. 

Në fushën e institucioneve politike, Propozimi i Ahtisaarit parashihte krijimin e një partneriteti të komunave serbe për zbatimin e përgjegjësive komunale dhe kompetencave të zgjeruara, me të drejtë për marrëdhënie të drejtpërdrejta me institucionet në Sërbi, por nuk i specifikonte saktësisht kompetencat e këtij partneriteti. Serbia në Platformën Politike kërkonte që Bashkësia e Komunave Sërbe të Kosovës të ketë një Asamble dhe një Këshill Ekzekutiv që do të jenë të ngarkuar me zbatimin e detyrave nga përkufizimi i përgjegjësive. Me Marrëveshjen e Brukselit, Bashkësia e Komunave Sërbe të Kosovës ka Asamble, Këshill Ekzekutiv dhe President. Do ta ketë edhe Statutin e vet. Marrëveshja e Brukselit është vetëm marrëveshja e parë, kështu që me marrëveshjet e radhës që do të arrihen së shpejti, do të definohen edhe më shumë kompetencat e këtij asociacioni, jo vetëm në fushat që përmenden në marrëveshje, por edhe në fusha tjera.

-Do të jetë e mundshme që të implementohet marrëveshja në terren? Çfarë probleme mund të ketë sa i takon implementimit të kësaj marrëveshjeje?

Gashi: Janë dy pengesa për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit: serbët e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje!. Jam i bindur që serbët e Kosovës do të neutralizohen nga Serbia për shkak se nga implementimi i kësaj marrëveshjeje varet integrimi i Serbisë në BE dhe prej implementimit të saj serbët në Kosovë fitojnë larg më shumë se shqiptarët. Po ashtu, jam i bindur se as Lëvizja Vetëvendosje! nuk do të mund ta ndalë implementimin e kësaj marrëveshjeje, porse në zgjedhjet e ardhshme, kjo marrëveshje do të jetë një prej arsyeve që do të ndikojë në rritjen e Lëvizjes Vetëvendosje!.

-Me të ashtuquajturin “normalizim” në Veri të Kosovës, Serbia e njeh “de jure” sovranitetin e Prishtinës, “de jure”, por jo “de facto”. Një pikë në favor të Beogradit është fshirja e dispozitës që do të lejontë hyrjen e Prishtinës në organizatat ndërkombëtare. Kështu, a është kjo marrëveshje “fitues-fitues” apo njëra palë ka fitu më shumë se tjetra?

Gashi: Është e vërtetë se me këtë marrëveshje Serbia e njeh legjislacionin e Kosovës, sidomos sa i takon policisë, gjyqësisë, organizimit të zgjedhjeve, e kështu me radhë. Por, me këtë Serbia e ka njohur implicit sovranitetin de jure të Kosovës, ndërsa, në anën tjetër, Kosova e ka njohur eksplicit autonominë e serbëve të Kosovës, madje me kompetenca shumë të forta. Kjo marrëveshje do të ishte “fitues-fitues”, vetëm nëse Serbia do ta njihte eksplicit Kosovën.

Në pikëpamjen time, Kosova duhet t’u japë serbëve në Kosovë autonomi, mes tjerash, edhe për shkak të asaj që kanë pësuar serbët e Kosovës pas 10 qershorit 1999, e sidomos më 17-18 mars 2004, por me kushtin që, përveç njohjes eksplicite të Kosovës nga Serbia, brenda territorit të autonomisë së serbëve në Kosovë, shqiptarët të kenë të drejta të njëjta me ato që i kanë serbët në kuadër të shtetit të Kosovës.

Po ashtu, mos të harrojmë se pjesa veriore e Kosovës është lënë nën kontroll të serbëve të Kosovës dhe të Serbisë me mbështetjen e fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare sepse me futjen e trupave të NATO-s në Kosovë, pjesëtarët e UÇK-së kanë marrë urdhër nga eprorët e tyre që të mos e kalojnë urën e lumit Ibër sepse, në të kundërtën, NATO do t’i qëllojë pa paralajmërim.

-Tani, cila është e ardhmja e Kosovës? Cili do të jetë impakti  në skenën politike të Kosovës?

Gashi: E ardhmja e Kosovës është shumë e errët. Problemi më i madh që ka Kosova, për mendimin tim, është Kryeministri Hashim Thaçi, i cili për të shpëtuar nga akuzat për krime lufte dhe për pasurim të paligjshëm, është në gjendje të nënshkruajë gjithçka që i kërkon BE-ja. Prandaj, Serbia ka fituar shumë më shumë me këtë marrëveshje, falë faktit që Kosova është përfaqësuar në këto negociata nga Hashim Thaçi.

Sa i përket ndikimit të marrëveshjes në skenën politike në Kosovë, jam i sigurtë që partia e kryeministrit Thaçi do të ketë rënie, kurse partia e parë opozitare numerikisht Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do të ketë rënie drastike, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje! do të rritet shumë.

-Sa i takon Shqipërisë së Madhe, është diçka e mundshme apo vetëm ëndërr politike? A do të ketë rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri farë rëndësie në të ardhmen e Kosovës?

Gashi: Tani për tani shqiptarët nuk janë në gjendje ta imponojnë projektin e bashkimit Kosovë-Shqipëri. Ky projekt mund të realizohet vetëm nëse ai është në interes të bashkësisë ndërkombëtare ose thënë më saktë në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa, sa i takon rezultatit të zgjedhjeve në Shqipëri, ai nuk do të ketë rëndësi për Kosovën sepse qasja e partive kryesore politike atje – PD dhe PS – karshi Kosovës është e ngjashme: ato e mbështesin çdo projekt të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën.

-Cili është mendimi juaj për punën e Bashkimit Europian si ndërmjetësues? A mendoni se BE ka mbajtë pozicion neutral dhe të balancuar mes palëve?

Gashi: BE-ja si ndërmjetësues në këtë proces, s’i ka marrë parasysh dy sugjerime të vlefshme që i jep njëri prej ndërmjetësuesve më të zellshëm ndërkombëtarë në krizën në ish-Jugosllavi, ambasadori Geert-Hinrich Ahrens, në librin e tij Diplomaci mbi tehun e thikës – Pengimi i Konfliktit Etnik dhe Grupi i Punës për Minoritete i Konferencës për Jugosllavinë: 1) ndërbiseduesit duhet të zgjidhen me kujdes dhe të refuzohen ata që përfaqësojnë interesa kriminale; dhe 2) nuk është e kënaqshme arritja e një rezultati duke ushtruar trysni ndaj palës më të dobët.

-Cili është mendimi juaj për punën e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë?

Gashi: Në esencë bashkësia ndërkombëtare vetëm na e ka ndërruar okupatorin. Tash nuk e kemi Serbinë, por e kemi një klasë politike kriminale që dallon shumë pak prej pushtetit të Serbisë. Një pjesë të konsiderueshme të fajit që e kemi këtë klasë politikë kriminale, e mbanë edhe bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, e cila ka pas kompetenca të plota në polici e gjyqësi dhe ka pas dëshmi të bollta, por s’i ka arrestuar dhe burgosur këta gangsterë që e kanë uzurpuar skenën politike në Kosovë.

-Si e ka pritë popullata dhe shoqëria civile marrëveshjen?

Gashi: Në Kosovë nuk ka shoqëri civile, kurse sa i takon pritjes së marrëveshjes nga popullata, kam përshtypje që një pjesë e konsiderueshme e popullatës e ka të qartë që Kosova do të nxirrte marrëveshje më të favorshme sikur të mos përfaqësohej nga Hashim Thaçi. Mirëpo, pjesa më e madhe e mediave në Kosovë, përfshi televizionin publik, janë nën kontroll të pushtetarëve.

-Pyetja e fundit: duke e parafrazuar titullin e librit të Denis MacShane,a është Kosova ende e rëndësishme në tabelën e shahut ndërkombëtar? Pse? Pse jo?

Gashi: Kosova do të jetë e rëndësishme në tabelën e shahut ndërkombëtar, të paktën derisa BE-ja dhe ShBA-ja ta fusin nën kontroll Serbinë. Marrëveshja e Rambujesë (1999) është bërë me qëllim që NATO-ja ta fus nën kontroll, jo vetëm Kosovën, por tërë teritorrin e Serbisë dhe të Malit të Zi. Pra, Kosova është përdorë si pretekst për futjen e Serbisë dhe Malit të Zi nën NATO. Ngjajshëm, BE-ja me Marrëveshjen e Brukselit për ta futë Serbinë në BE, po e përdorë Kosovën duke i legalizuar Serbisë prani të fuqishme në Kosovë përmes krijimit të entitetit autonom serb, madje pa e detyruar atë që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu