Në tokën arbëreshe, atje ku tradita shqiptare jeton prej 500 vjetësh

0
1020

Një shqiptari, kur hyn në një prej fshatrave arbëreshe, menjëherë çdo gjë i duket familjare. Edhe pse kanë kaluar shekuj të tërë, nuk mungojnë flamurë shqiptarë të vendosur në çdo cep, gjuha shqipe edhe pse më ndryshe se ajo e folur në Shqipëri, dëgjohet në çdo rrugë, në çdo familje, në çdo bar apo në çdo festë. Kjo është pamja e provincave arbëreshe apo siç i quajnë vetë ata, katundeve arbëreshe. Një prej katundeve më të njohura arbëreshe është Frascineto ose siç quhet nga arbëreshët Frasnita. Në të jetojnë rreth 3000 banorë, ku 90 për qind e tyre janë arbëreshë. Frasnita dhe Purçilli, pjesë të së njëjtës bashki, shtrirë në “Parkun Kombëtar të Pulinit”, janë pjesë e bashkësive arbëreshe të Kalabrisë. Frasnita është 486 m mbi nivelin e detit dhe është 65 km larg prej kryeqendrës së provincës së Kozencës. Frasnita dhe Purçilli ruajnë me xhelozi gjuhën arbëreshe, ritin bizantin dhe gjithë pasurinë e dokeve, zakoneve dhe traditave. Folklori i Frasnitës shprehet në vallet dhe këngët arbëreshe, të cilat mbahen në muajin prill.
1- Sapo hyn në Frascineto, tabela e mirëseardhjes është e shkruajtur në të dyja gjuhet, në atë arbëreshe si dhe në italisht, ndërkohë që gati në të gjithë tabelën fotografia e një vajzë me veshje tradicionale, si dhe stema shqiptare, të tregojnë menjëherë se është një komunitet arbëresh, ndërkohë që e gjithë qyteza është e vendosur në mes të maleve të Polinit, një Krujë e dytë e quajnë ata, pikërisht për ngjashmërinë e klimës dhe shumë faktorëve të tjerë. Në gjuhën arbëreshe nuk është vetëm tabela hyrëse në katund por çdo tabelë sinjalistike brenda në fshat, edhe emërtimi i rrugëve përveç emrit në italisht ka dhe atë në shqip. Për shembull, një prej rrugëve në qendër të qytetit poshtë emrit Via Polino në krah ka të shënuar “Udha e Polinit” ndërsa rrugët që janë shumë të ngushta quhen Ruge (me vetëm një R). Në qendër të qytezës së Frascinetos është dhe bashkia, e cila ashtu si çdo gjë tjetër pranë emrit që e identifikon në italisht ka dhe mbishkrimin “Bashkia” së bashku me stemën shqiptare. Edhe brenda godinës së bashkisë, gjenden shumë simbole shqiptare, midis tyre dhe piktura të piktorit të mirënjohur Ibrahim Kodra. Pak metra më tutje bashkisë gjendet një muze unik në llojin e tij, për shkak se këtu gjendet një numër i madh kostumesh popullore të ekspozuara në kukulla, duke marrë dhe emrin “Muzeu i kukullave”. Modelet e veshjeve janë të katundeve të ndryshme arbëreshe, ndërkohë që midis tyre gjenden dhe kostumet tradicionale shqiptare. Carmela Aversa, përgjegjësja e këtij muzeu, shprehet se ky muze është shumë i vizituar jo vetëm nga banorët e fshatrave arbëreshe që jetojnë përreth Frasnitës, por edhe nga shumë italianë. Sipas saj, modelet e kostumeve tradicionale janë shumë tërheqëse për vizitorët të cilët kërkojnë të informohen për çdo detaj të kostumeve. Kjo me të drejtë, pasi çdo katund përveç specifikës së kostumit kishte dhe simbolikën e tij. “Duke u quajtur si një lloj kulture të veçantë në llojin e saj në të gjithë botën, shumë vizitorë të cilët vijnë nga vende të ndryshme, janë shumë kuriozë dhe të interesuar të mësojnë sa më shumë dhe vijnë enkas vetëm për të parë nga afër dhe për t’u njohur me traditën”,- shton Aversa. Frasnitasit janë një popull shumë mikpritës, veçanërisht nëse pjesë e mikpritjes është një shqiptar që s’ka rëndësi nëse e takojnë për herë të parë, të dytë apo e kanë mik prej kohësh. Për sa i përket gatimeve tradicionale të zonës, mishi zë vendin e parë në tryezat e tyre si i përpunuar apo i pjekur. Pas drekës nuk ka më mirë sesa disa këngë arbëreshe, të cilave u bashkohen që nga më i vogli dhe deri më i madhi i familjes, ku në repertorin e pasdrekës nuk mungojnë që nga këngët arbëreshe dhe deri te këngët shqiptare.
Civita – Cifti
Një tjetër fshat arbëresh shumë pranë Frasnitës është dhe Civita, që në gjuhën arbëreshe quhet Cifti. Ky katund shumicën e të ardhurave i siguron nëpërmjet turizmit, ndërkohë që edhe në këtë vend ashtu si dhe në çdo fshat janë të vendosur flamurët shqiptarë në rrugë, godina apo dhe banesa. Civita ose Cifti është një pikë shumë atraktive për të gjithë ata që e vizitojnë, për shkak se ashtu si dhe Frasnita, Cifti gjendet në kodër duke bërë që nën katund të shfaqet një pamje e mrekullueshme. Demotrio Emanuele, një prej arbëreshëve më të njohur të zonës, për vite me radhë ka arritur të ndërtojë një muze me objekte të ndryshme. “Këtu ka objekte që datojnë që prej ardhjes së arbëreshëve dhe deri tani ato më aktuale”, -shprehet Emanuele. Ai shton se pasioni i tij për historinë arbëreshe ka lindur që në fëmijërinë e tij, kur ka mësuar se familja e tij e kishte prejardhjen e tij nga Pietër Emanueli, gjeneral i lartë, i cili ka luftuar përkrah Gjergj Kastriot Skënderbeut. Përgjegjësi i muzeut shton se duke kaluar vitet po ashtu edhe brezat, tradita arbëreshe po humbet pak nga pak dhe ka shumë vështirësi për ta ruajtur. “Ne po mundohemi me fanatizëm ta ruajmë traditën, por e kemi shumë të vështirë me brezin e të vegjëlve, pasi shumë prej tyre tani po flasin vetëm italisht. Gjithsesi, arbëreshët janë një popull që e duan historinë e tyre dhe po bëjnë të pamundurën që kjo traditë mos të zhduket por të jetojë”,- shton Emanuele. Ashtu si dhe në çdo katund tjetër arbëresh, edhe në Cifti gjendet monumenti i Skënderbeut, i cili është i vendosur në qendër të qytezës
Festa e Frasnitës
Një prej evenimenteve më të rëndësishme të arbëreshëve, është festa e Frasnitës. Grupi i Frasnitës ka zgjedhur që në festë të jetë pjesëmarrës me pjesën e historisë së Doruntinës dhe Kostandinit, por e transformuar në një këngë. Provat nisin ditë më parë, madje çdo vend është i mirë për të bërë provat: shtëpia, bari apo lokali ku drekohet. Në këtë festë shumë grupe arbëreshësh të veshur me kostumet tradicionale mbërrijnë në katund në orët e pasdites ku fillon grumbullimi i grupeve në shkollën e katundit, e cila gjendet vetëm pak metra larg qendrës. Pasi mbërrin në pikën e takimit, çdo grup nis me performancën e tij nëpërmjet valles, këngës apo të dyjave të ndërthurura bashkë. Festa filloi. Janë fëmijët e një grupi të cilët startojnë lëvizjen në drejtim të një pike disa metra larg qendrës së qytezës ku bëhet përsëri grumbullimi i grupeve, por tani jo më në fazën përgatitore por në një festë të plotë ku kostumet shumëngjyrëshe bashkohen duke bërë që tinguj nga instrumente të ndryshme në melodi të pavarura të bëjnë që kureshtarët dhe artdashësit e kësaj feste, arbëreshë, italianë, shqiptarë apo të çdo vendi tjetër që kanë ardhur për të ndjekur festën, të shikojnë shumë tradita brenda një territori shumë të vogël. Tingujt tërheqës dhe valët ndjellëse i ftojnë dhe vetë qytetarët që t’u bashkohen valleve, ndërsa për ata që qëndrojnë pak indiferentë, mendojnë grupet arbëreshe për t’iu bashkuar performancës së tyre. Dhe pse e lidhur me një kujtim lufte, vallja është simbol vëllazërie mes arbëreshëve, që mes këtij manifestimi ndjehen më të bashkuar, flasin një gjuhë, kanë të njëjtat kostume veshur, këndojnë e vallëzojnë me një ritëm. Vallja është një ndërthurje e mrekullueshme midis të djeshmes e të sotmes, në një popullsi kaq të vetëdijshme për identitetin e saj. Dorë për dore në grupe valltarësh ekzekutojnë koreografinë e kërcimit. Here pas here “rrëmbejnë” persona nga publiku, i cili e paguan lirimin e tij me një gotë vere. Vajzat, të veshura me kostumin e çmueshëm tradicional, të udhëhequra nga “kapurelët”, vallëzojnë duke vizatuar spirale të pazgjidhshme e duke kënduar vjershat e rapsodive që himnizojnë vlerat e popullit arbëresh dhe heronjve të tij. Vallja, me një koreografi në formën e patkoit, ecën hijerëndë nëpër rrugët e katundit, rrethon dhe zë “rob” pas shpërblesës simbolike (pije ose bonbone), “fitojnë” lirinë. Rreth valles, “ata nxijnë”, me blozë fytyrën e çdokujt që nuk flet arbërisht.
Këngët gjatë ekzekutimit të valles janë në gjuhën arbëreshe, mjaft antike e pa të cilat Festa e Valles nuk do të kishte kuptim. Këndohet rapsodia “Kostantini e Jurendina” (Kostandini e Doruntina, tek arbëreshët Doruntina njihet si Jurendina) apo ajo kushtuar betejës së Krujës, por dhe mjaft vargje për prijësin e tyre Skënderbe, ndaj të cilit arbëreshët nuk lodhen kurrë së qeni krenarë. Vallja për ta nuk është veç një motiv folklorik apo evokim historik, por mbi të gjitha një identitet ekzistues social, etnik e kulturor. Pavarësisht ngjyrave, kostumeve, valleve apo këngëve, ajo që i bashkon të gjithë është shqiponja dykrenore, ku shumë prej grupeve kryesisht meshkuj, e kanë të qëndisur në kostumet e tyre. Festa në këtë vend vazhdon rreth një orë deri sa nis përgatitja e “Skënderbeut” për të folur përpara popullit. Sapo në qendër të aktivitetit shfaqen përkrahësit e Skënderbeut me kalin e tij, grupet nisen për në qendër të Frasnitës, por duke mos e ndalur këngën apo vallen e tyre. Karvanin e gjatë të grupeve arbëreshe e paraprin grupi i mbështetësve të Skënderbeut, të cilët me flamurin shqiptar në dorë nderohen prej të pranishmëve, të cilët i hapin rrugën. Mbajtësi i kalit, një burrë i moshuar, thërret “Rroftë Skënderbeu”, thirrje e cila shoqërohet nga mbështetësit e tjerë të improvizuar të heroit duke thirrur pas tij: “Rroftë, rroftë, rroftë”. Pasi mblidhen të gjithë në qendër të katundit, nis dhe shfaqja e shumëpritur.
Në qendër të Frasnitës, pranë bustit të Skënderbeut, një vashës e veshur ashtu si qindra vjet më parë nis rrëfimin sesi arbëreshët janë larguar nga trojet e tyre në Shqipëri për të ndërtuar jetën e re në Itali, dhe pikërisht këtu në Kalabri, një vend i cili ka shumë gjëra të përbashkëta me Krujën dhe gjithë Shqipërinë. Pas Bustit të Heroit kombëtar del aktori i cili improvizon Skënderbeun duke folur për historinë arbëreshe, duke përmendur largimin nga Shqipëri deri në mbërritjen, jetesën deri në ditët e sotme për të gjithë arbëreshët. E gjithë skena, ashtu si dhe çdo vit, është e vendosur në qendër të Frasnitës, ndërkohë që ndiqet me interes shumë të madh prej numrit të madh të të pranishmëve. Pas përfundimit të pjesës së improvizuar, e cila është edhe pjesa kulmore e aktivitetit, të pranishmit vijojnë festime e tyre.
Si pjesë e festimeve të këtij viti, arbëreshët kanë zgjedhur të kenë Birrën Korça, për t’i dhënë akoma më shumë ngjyra tradicionale shqiptare festës duke e sjellë enkas nga Shqipëria. Sipas të pranishmëve, përveç shijes së mrekullueshme, përzgjedhja e Birrës Korça për ta bashkangjitur me produktet arbëreshe është bërë pikërisht për vlerat tradicionale shqiptare që ajo ka, si një birrë tradicionale e cila vjen nga Shqipëria. Shija e mrekullueshme e Birrës Korça ka bërë që pavarësisht ritmeve muzikore si në instrumenta, këngë apo valle, arbëreshët ta bënin pjesë të pandarë të këtyre festimeve duke vallëzuar e kënduar së bashku me Birrën Korça. Edhe pse pija tradicionale e zonës është vera, përfshirja e Birrës Korça në këtë festë është mirëpritur prej të gjithë arbëreshëve, të cilët janë shprehur se së bashku me të, në Arbëri mbërriti dhe një pjesë e Shqipërisë.
Në mbrëmje festa mbyllet me serenata. Arbëreshët të cilët merren me pjesën e festimeve, ndahen në grupe të ndryshme, me qëllim për të shkuar në disa shtëpi për t’i kënduar serenata njërës apo tjetrës familje. Disa familje janë në dijeni dhe të tjera jo për vizitat e miqve të orëve të vona. Fillimisht grupet fillojnë të këndojnë këngë arbëreshe përpara derës së shtëpisë dhe pasi kalojnë disa këngë i japin mesazhin të zotit të shtëpisë t’i ftojë të hyjnë. Në këtë rast familja ishte e informuar dhe kishte përgatitur disa gatime për të pritur miqtë, por nuk mungojnë dhe rastet kur këngëtarët i gjejnë familjet të papërgatitura, duke bërë që të vihen në siklet dhe të servirin çfarë të kenë apo në ekstrem mund të mos hapin fare derën, por këto raste janë shumë të pakta. Repertori i këngëve të kënduara nis që nga ato arbëreshe dhe deri te këngët shqiptare të ditëve të sotme, ku shumë prej të cilave këndohen në mënyrë perfekte prej arbëreshëve. Në këto festime nuk mungon as nënkryetari i bashkisë së Frasnitës i cili është në krye të këngëtarëve, por as vetë kryetari i bashkisë.
Pasi vazhdon për rreth 2 orë festa dhe serenatat në këtë familje, ata që festojnë i drejtohen një tjetër familjeje, e cila edhe pse ka kaluar mesnata i mirëpret. Pavarësisht se është vonë, festa rinis nga e para.

 

Nga Enrik Mehmeti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu