Në Viti dhe krytari i sindikatës ndëshkon punëtorët e administratës

0
571

Në Komunën e Vitisë jeton një njeri, ende jeton, në administratën komunale punonë një njeri, ende punon, për faqen e tij të zezë, me emër Agim dhe me mbiemër Sylejmani. Ky njeri, megjithëse kryetar i Sindikatës për punëtorët e admnistratës komunale, është bërë sinonim i kamxhikut në duart e kryetarit të Komunës, Nexhmedin Arifit, për “kamxhikosjen”, ndëshkimin e kundërshtarëve politikë të N. Arifit (anëtarë e simpatizantë të PDK-së në administratën komunale). Ky farë Agim Sylejmani është në kundërshtim (konflikt) me ligjin për shërbyesit apo nëpunësit civilë, sepse është anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti. Pastaj, ky njeri (A. S.) është edhe përgjegjës i zyrës ligjore në Komunë! Por, ajo që i mund të tëra, kulmi, është se Agim Sylejmani është edhe kryetar i komisionit disiplinor në Komunë!! Nuk ma ha mendja që ka ndonjë vend në botë, ku është i lejuar organizimi sindikal, që një kryetar sindikate t’i ndëshkojë punëtorët, të jetë edhe kryetar i komisionit disiplinor në ndërmarrjen apo institucionin e tij!! Por, N. Arifi, e ka bërë unike Vitinë edhe në këtë çështje! Sindikata dhe, posaçërisht, kryetari i një sindikate, në vendet normale, përfaqëson dhe mbronë interesat e punëtorëve. Anëtarë të këtij komisioni, që po e nxinë Vitinë dhe qytetarinë e saj, është edhe gruaja e njëfarë mjekut (mik dhe bashkëfshatar i N. Arifit, si dhe anëtar i Kryesisë së AAK-së), i cili tashmë, në kundërshtim me ligjin, po bënë edhe specializimin e dytë!! Kjo, gruaja e këtij mjeku, në punë ka ardhur pa konkurs dhe nuk e ka idenë se ç’është komisioni disiplinor, ç’është ligji, ç’janë liritë dhe të drejtat e njeriut, ç’është administrata komunale a shtetrore, ç’janë detyrimet dhe të drejtat ligjore të shërbyesit civil, etj. Anëtari i tretë i këtij komisioni, që po persekuton, diferencon, dhunon si dikur admnistratën komunale dhe zyrtarët e saj, është edhe njëfarë Radojka! Detyrë e vetme e këtij komisioni dhe anëtarëve të tij është me i ndjekë, diferencu, shantazhu dhe ndëshku, sipas kërkesës dhe vullnetit të “sulltanit” (N. Arifit), anëtarët dhe simpatizantët e PDK-së dhe të gjithë ata që “guxojnë” të pinë qoftë edhe një kafe me autorin e këtij shkrimi, me Kryetarin e Degës së PDK-së dhe me ndonjë zyrtar të lartë të kësaj Dege!! Të gjithë ata që janë në marrëdhënie varësie, të gjithë ata që janë të varur nga vullneti dhe arbitrariteti i N. Arifit (“fjala ime është ligj”, u thotë ai punëtorëve dhe vartësve të tij), përgjohen, ndiqen dhe përndiqen, spiunohen dhe denoncohen si në kohët e shkuara!! Kjo gjendje më kujton kohën kur kisha dalur nga burgu. Saherë që dilja në Viti më qepeshin prapa soji i këtyre që edhe sot po bëjnë të njëjtën gjë!! Janë po ata që i gëzoheshin ofanzivave dhe “sukseseve” serbe kundër UÇK-së!! Të njëjtit ose soji i tyre po u gëzohen vështirësive të Kosovës dhe “sukseseve” politike e diplomatike të Serbisë kundër Kosovës!! E lexoj në sytë e tyre, e kuptoj nga fytyrat e tyre, por kënaqësia e tyre më shumë hetohet dhe duket në sjelljet dhe veprimet e tyre. Saherë që është “ngushtë” Kosova, këta marrin zemër dhe nxjerrin kokën nga vrimat ku ishin fshehur, madje nxjerrin edhe gjoksin!! Është fat i këtij vendi që numri i tyre është i vogël. Krahas fuqizimit të Kosovës dhe të kombit shqiptar po bjen dhe do të bjerë akoma edhe ndikimi i tyre. Angazhimin dhe veprimtarinë e tyre herë e gjejmë të veshur me petkun e ndonjë partie, herë me petkun fetar, herë…, si kameleoni, por gjithmonë me qëllim dhe synim kundërshqiptar dhe kundërqytetar.

Në këtë komunë jeton dhe punonë në Administratën komunale edhe një Hysen Ymeri. Ky njeri pas lufte kryente detyrën e përgjegjësit të gjendjes civile. Për keqpërdorimet e tij galopante dhe, sidomos për sulmin dhe agresionin e tij ndaj kryetarit të Komunës, nënkryetarit dhe Shefit të Administratës dhe personelit, u largua nga puna. Largimi i tij u konfirmua edhe nga gjykata. Pas rizgjedhjes për kryetar Komune, N. Arifi, iku nga PDK-ja dhe hoqi dorë nga mbajtja dhe zbatimi i politikave të PDK-së dhe premtimeve zgjedhore, duke hyrë thellë në veprime, politika dhe aventura të kundërligjshme, korruptive dhe të pamoralshme për një qeverisje të mirë, çfarë pretendonte dhe për çka ishte zotuar dhe zotohejë Dega e PDK-së në Viti. Shpërdorimi i besimit, i votës dhe i pozitës, që ky njeri mori nga PDK-ja dhe nga votuesit e saj, nuk ka njohur deri më sot përmasa të këtilla!! Pra, N. Arifi, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me etikën njerëzore, publike dhe politike e mori në punë Hysen Ymerin dhe e “gradoi” përgjegjës personeli (gjatë një viti, N. Arifi ka marrë në punë njëzetë veta pa konkurs)!! Ky njeri, Hysen Ymeri, e kishte akoma në fuqi padinë penale për sulm ndaj zyrtarëve kryesorë komunalë, pra edhe ndaj N. Arifit. Rikthimi i tij në Admnistratën komunale u bë për qëllime të ulëta dhe hakmarrëse ndaj zyrtarëve, që prej N. Arifit konsideroheshin dashamirë të PDK-së. Hysen Ymeri, kuptohet me urdhërin e N. Arifit, i bëri padi përgjegjësit të gjendjes civile, Habib Halilit (njërit prej zyrtarëve më të mirë që kishte administrata). Kjo padi u “bazua” në një gabim teknik që kishte ndodhur në një certifikatë!! Gabime të tilla bëhen të paktën 30 në ditë në çdo komunë dhe në çdo sektor të gjendjes civile. Por, këtë e kishte bërë për ta suspenduar nga puna!! Vendimin për suspendim ia kishte nënshkruar, në kundërshtim me ligjin, vetë Hysen Ymeri, i cili edhe pas rikthimit në punë e kishte të hapur procedurën gjyqësore për vepër penale dhe kishte “guximin” ta suspendonte Habib Halilin nga puna deri sa të merrte vendim gjykata! Nëse dikush do të duhejë të denoncohejë për shpërdorim detyre, korrupcion, ryshfet, sjellje vandale… ishte pikërisht Hysen Ymeri gjatë viteve sa ishte përgjegjës i gjendjes civile. Këtë të vërtetë nuk e dinë askush më mirë se vetë Hysen Ymeri, por në vend se të përballejë me drejtësinë, falë N. Arifit dhe “dostave” të tij në Gjykatë, ai u “gradua” në Administratën komunale…

N. Arifi, i cili “e bënë ligjin” dhe e hedh vallen në Komunën e Vitisë sipas vullnetit dhe interesav të atij që populli i Vitisë e quan “klani i Zemunit” (nëntoka e Vitisë), i ka bërë fletëparaqitje dhe e ka qu para komisionit disiplinor (ndëshkues) edhe auditorin e Komunës, Fevzi Mehmetin!! Me të njëjtën arsye që kishte shkarkuar nënkryetarin Halim Halilin, drejtoreshën e financave, Selvije Rexhepin, shefin e prokurimit, Avdulla Eminin, përgjegjësinë e gjendjes civile, Habib Halilin, drejtorin e Kadastrit, Elmaz Bajramin, drejtorin e urbanizmit dhe zyrtarë e drejtuesë të tjerë të Administratës, që konsideroheshin të PDK-së: Nuk pranonin korrupcionin, shpërdorimet e bugjetit, shpërdorimin e pronave, etj. Me largimin e tyre u hap dera për shpërdorime dhe korrupcion, ky ishte edhe qëllimi i parë dhe i fundit i N. Arifit dhe “klanit të Zemunit”. Nuk ka edhe një vend tjetër”demokratik”, ku sundon ligji, që dikush të guxojë t’i bëjë presion dhe shantazh auditorit! Kjo bëhet në Komunën e Vitisë, nga N. Arifi me qëllim që të hapet edhe kjo derë dhe të hiqet edhe kjo pengesë për veprimet, angazhimin dhe poilitikat e tij korruptive dhe mafioze!!

Përveç këtyre, në Komunën e Vitisë jeton dhe punojnë edhe Avdyl Bajrami, i cili gjatë gjithë jetës së tij ishte dhe mbeti syri dhe veshi në vrimën e çelësit (të vetmin zanat). Ky njeri ishte kandidat i PSDK-së në listën e Aleancës Kosova e re, me numër 71 dhe tash kryetar i Degës së PSDK-së në Viti. Me paturpësinë, që vetëm ai dhe njerëzit si ai mund ta kenë, grabiti dhe uzurpoi mandatin e nënkryetarit të Komunës, që ishte fituar nga PDK-ja dhe u bë bisht i N. Arifit, i cili po shfrytëzon mandatin e fituar po nga PDK-ja për ta luftuar PDK-në, të cilën e konsideron pengesën e vetme për veprimtarinë e tij korruptive, kundërligjore, kontrabanduese dhe antiqytetare e antipublike. Në këtë Komunë jeton dhe punonë në kundërshtim me ligjin dhe me etikën politike e publike edhe njëfarë Islam Jashari, i cili ka grabitur dhe uzurpuar postin e drejtorit të financave. Ky njihet si kallauzi i të gjitha keqpërdorimeve, trafiqeve dhe vjedhjeve që janë bërë gjatë qeverisjes shtatë vjeçare të LDK-së!!

Krejt në fund, shqetësim im, si qytetar dhe si shqiptar i këtij vendi dhe besoj shumë, shqetësim i të gjithë qytetarëve nuk është prapësia, arroganca, arbitrarizmi, korrupcioni, mungesa etikës, shpërdorimi i mandatit, i parasë publike dhe i ligjit, banditizmi i këtyre që përmenda më lartë…, por, ajo që përbën shqetësim është liria dhe siguria e plotë me të cilën veprojnë dhe jetojnë këta zyrtarë dhe drejtuesë të korruptuar, hajdutë, me sjellje vagabondësh, ndonjëherë edhe kaubojsh. Nuk kanë frikë fare se mund t’i ndjek dikush, se mund të përgjigjen dhe dënohen nga drejtësia për këto veprime të tyre që dëmtojnë rëndë paranë dhe pasurin publike, interesat e qytetarëve dhe imazhin (fytyrën) e këtij vendi! Shqetësim tjetër, po kaq i rëndësishëm, është edhe fakti se të dëmtuarit (zyrtarë e qytetarë) nga arbritrariteti, tirania dhe banditizmi i këtyre zyrtarëve dhe drejtuesëve nuk kanë ku të ankohen, nuk kanë ku t’i kërkojnë, mbrojnë dhe realizojnë të drejtat e tyre të garantuara me kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi!! Qytetari dhe zyrtari që dëmtohet, të cilit i bëhe një e padrejtë, i shkilet e drejta e tij është tërësisht në mëshirën e pushtetarit. Po i shkove për lale mirë, mund të jetosh nga thërmiat dhe rahmeti i tij, po nuk i shkove do ngelesh rrugëve dhe nuk do të kesh mundësi kurrë ta realizosh atë të drejtë që ta ka garantuar kushtetuta dhe ligjet e Kosovës!!

Nexhmedin Arifi sillet dhe vepron si një sulltan ose pasha i vogël (ndoshta i frymëzuar edhe nga serialet) i bindur se Kosova ka probleme më të mëdha dhe nuk do të merret kush me te. Publikisht, për opinion, e thotë dhe propagandon se “e kam përkrahjen e Hshim Thaçit”!! Kjo, sipas tij, është e mjaftueshme!! Po e pate përkrahjen e tij je vetë zoti, bëjë çfarë të duash se nuk të kap ligji!! Më herët thoshte se kam përkrahjen e Azem Sylës, pas një kohe thoshte se po e përkrah Jakup Krasniqi dhe tash, më e reja, po thotë dhe propagandon se e ka përkrahjen e Kadri Veselit!! Unë, për vete, i kam thënë edhe në Këshillin komunal, jo përkrahjen e Hashim Thaçit, por edhe Zoti nëse të përkrah për korrupcion, shpërdorim dhe vjedhje të pasurisë dhe parasë publike unë do të jem edhe kundër tij! Akoma besoj që Thaçi, Krasniqi…, PDK-ja nuk e mbështet dhe nuk e përkrah, nuk bëhet jorgan, i korrupcionit dhe paligjshmërisë, por për ta bindur çdo qytetar të këtij vendi, PDK-ja duhet të distancohet qartë nga çdonjëri, drejtues, zyrtarë dhe anëtar i saj, që shpërdoron ligjin, pasurinë dhe paraën publike, siç është distancuar Dega e PDK-së në Viti zyrtarish dhe publikisht nga N. Arifi dhe nga cilido që është zhytur në korrupcion. Nuk i bënë nder PDK-së dhe asnjë qytetari të Vitisë “angazhimi” sa për t’u dukur i N. Arifit dhe A. Bajramit në fushatën e PDK-së në Ferizaj! Nuk mund ta mbulojnë veprimtarinë e tyre të kundërligjshme, korruptive dhe mafioze, duke u fshehur pas PDK-së në Ferizaj! Të njëjtën gjë do të duhejë ta bënin të gjitha partitë politike, që e duan këtë vend dhe që mendojnë e punojnë për këtë vend. Hajduti, i korruptuari, matrapazi dhe mafiozi, i çfarëdo natyre qoftë, nuk duhet të gjejë vend në partitë politike. Të këtillë ka pasur dhe ka në çdo shoqëri, por puna është se ata, në shoqëriutë ku sundon ligji, ku ka shtet, luftohen, ndiqen dhe kapen nga drejtësia…

 

Xhevat Bislimi: * Anëtarë i Kryesisë së PDK-së, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Këshilltar komunal dhe përfaqësues i PDK-së në Komunë të Vitisë

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu