Në Zvicërr arrestohet Shemsi Nuhiu, ish luftëtarë i UÇPMB-së

0
870

Preshevë, 17 prill – Nën akuzën për krime lufte të ngritur nga prokuroria serbe kohë më parë ndaj 17 shqiptarëve ish-luftëtarë nga Lugina e Preshevës, në një aksion të ndërmarrë ditë më parë të forcave speciale të policisë zvicerane është arrestuar në Veve të Kantonit Vaud të Zvicrës, Shemsi Nuhiu, nga Presheva, ish-pjesëtarë i UÇPMB-së.

Shemsi Nuhiu, bashkë me shtatëmbëdhjetë shqiptarët tjerë nga Lugina e Preshevës, janë të akuzuar si të ashtuquajtur “Grupi i Gjilanit” nga Gjykata për Krime Lufte në Beograd, për krime lufte, kinse të kryera ndaj serbëve, romëve dhe ndaj ndonjë shqiptari luajal (spiun), gjatë periudhës kohore, mesi i qershorit dhe fundi i tetorit të vitit 1999, sipas tyre krime këto të kryera në qytetin e Gjilanit dhe rrethinën e tij.

Bazuar në burimet shqiptare nga Zvicra dhe mediumet shqiptare lokale, në kohën e arrestimit Nuhiu, ishte në banesën e tij në Veve, ku jetonte me gruan dhe dy fëmijët e tij.
Ndërkohë, autoritetet zvicerane nuk kanë bërë të ditur nëse i njëjti do të ekstradohet në Serbi, apo do të ngritët procedura gjyqësore ndaj tij, në Zvicër.

Përkundër të interesimit të vazhdueshëm të familjarëve dhe përfaqësisë diplomatike të Republikës së Kosovës, nuk janë dhënë informata për Nuhiun, se në cilën qendër të burgut mund të ndodhet i arrestuari, e as nëse do të ekstradohet në Serbi apo jo.

Ndryshe, në aksionin spektakolar të xhandarmerisë serbe më 26 dhjetor të vitit 2008, ishte bastisur edhe shtëpia e Shemsi Nuhiut, në Preshevë, ndërkohë që atëbotë në mungesë të Shemsiut, ishte arrestuar i vëllai i tij. Por, pas një shume të konsiderueshme parash të lëna si garanci i njëjti ishte liruar nga paraburgimi, derisa nëntë qytetarët e Preshevës, ishin arrestuar dhe në mënyrë brutale qenë keqtrajtuar nga pjesëtarët e njësiteve speciale të xhandarmërisë serbe.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu