Nëse Zogu do të ishte Mbret!

0
837

Nëse Ahmet Zogu do ishte përpjekur sadopak të zhvillonte vendin, autoriteti i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare do ishte pa dyshim më i lartë nga çfarë bota e qytetëruar e konsideronte. Sadopak ekonomia t’i ngjante një vendi europian, simpatia e të huajve do të shkonte në proporcion të drejtë me zhvillimin tonë. Nëse kreditë që merrte, do të destinoheshin për infrastrukturën apo kreditimin e ekonomisë, aq më shumë vendi i vogël, do ngjante me kontinentin, sesa me një ishull afrikan në zemër të Europës. Por beu i Burgajetit nuk mundi të dilte jashtë lëkurës së tij. E kishte më mbarë të rrallonte këmbët e ndonjë ure që ndërtonte, për të blerë rubinete për vilat e tij. Edhe pse ishte president, edhe pse më vonë u bë mbret, psikoza e tij, mbeti ajo e një çifligari, i cili vendin e shikonte si pronën të cilën mund ta përdorte si garanci hipotekore, apo ta shiste me copa.
Nëse Ahmet Zogu do kishte bërë një administratë të stilit perëndimor, ajo do ndihmonte në emancipimin e vendit. Me një trupë solide, siç Europa, që ishte te pragu i derës, kishte filluar ta ngrinte që më 1848-ën, beu i Burgajetit do t’i kishte kursyer shumë andralla vetes. Ditën që e sulmuan italianët, kjo administratë do të organizonte mbrojtjen, dhe kur të humbiste, elita e saj do ta ndiqte në mërgim, ku do formonte qeverinë dhe organizonte rezistencën. Por mbreti vetëm emrin kishte të tillë, pasi edukatën e kishte kokë e këmbë orientale. E kishte mësuar se pushteti në këto anë ishte i gjithi hile, dhe hiç trimëri, ndaj përktheu ligjet e Perëndimit, por kryetar të nëpunësisë shqiptare vuri Lalë Krosin.
Nëse Zogu do i kishte kursyer kundërshtarët e tij, do të kishte pasuruar historinë e vendit. Me Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Avni Rustemin, Fan Nolin, Bajram Currin, e të gjithë ata që vrau e ndoqi, Shqipëria do kishte më nur, dhe do dinte ta mbante kokën lart kur të vinte ora e ligë e luftës. Por mbreti i shqiptarëve, donte të mbretëronte mbi një tokë të cunguar, të shpëlarë e pa kripën e burrave të rëndë e të mençur, pasi thellë-thellë nuk ishte mbret, por vetëm një kaçak që kishte mbetur i tillë, me gjithë uniformat teatrale që vishte e spitullimet e operetave që imitonte. Mund të mbante një republikë parlamentare qoftë edhe autoritariste, duke i dhënë kështu sharm historisë dhe të shkuarës sonë. Do fillonte të krijonte traditën e demokracisë në vendin e mbushur me këneta e male, duke bërë që pas njëqind vjetësh të kujtohej për atë që grekët kishin shpikur tre mijë vjet më parë. Do i kishte bërë një nder të madh të djathtës së sotme, e cila, e frustruar nga mungesa e traditës, i thotë këmbës dorë. Do të ndihmonte edhe mercenarët e pakënduar të pushtetit të sotëm, që të mos iu bënin lëmsh ato pak koncepte të vakëta që kanë për nderin dhe pabesinë, të mirën dhe të ligën, duke i vënë në sikletin që të shëmtuarës t’i thonë e bukur dhe tradhtisë, zgjuarsi. Por nipi i Esat Pashës, nuk dilte nga lëkura e tij dhe e fisit. E vetmja kulturë që kishte, ishte blerja e kundërshtarit, në vend të respektimit dhe bashkëjetesës; vrasja, në vend të konkurrencës apo garës.
Nëse do të përgatiste një ushtri sadopak profesionale, do kishte mundur t’i rezistonte qoftë edhe për disa javë pushtimit italian, duke ulur oreksin e Benito Musolinit për ekspansion të mëtejshëm në Ballkan. Pasi ushtria italiane, nuk ishte ajo gjermane, ruse apo anglo-amerikane. I punonte më shumë boria se motori. Dhe rezistenca shqiptare, përveçse do rriste respektin për bijtë e shqipes në sytë e fitimtarëve të nesërm, do kishte vonuar luftën italo–greke. Duçja nuk do kishte kohë të fillonte e pastaj të ngelej në batakun ballkanas të luftës me grekët, duke e detyruar aleatin e tij gjerman, të shtynte zbatimin e planit “Barbarosa” për pushtimin e Bashkimit Sovjetik, dhe të merrej me rregullimin e hesapeve ballkanike, para se të niste aventurën në stepat ruse. Dhe fati i Ballkanit do të kishte qenë shumë më ndryshe. Mospjesëmarrja e tij në Luftën e Dytë Botërore, me shumë gjasa do ta kishte shpëtuar nga vërshimi i komunizmit, edhe nëse gjithçka do të shkonte siç shkoi. Por nëse Ahmet Zogu do të kishte hapur sportelet e Bankës së Shtetit Shqiptar në mërgim, mbreti i shqiptarëve nuk do mbante vulën e turpit në kurriz. Nëse Ahmeti nga Burgajeti, do t’i thosh Bazit të Canës, që shëllehej rrëzë kalasë së Krujës duke u matur “ta shkrep, mos ta shkrep”, ta tërhiqte ndonjëherë këmbëzën e dyfekut kundër gjermanit, tjetër fytyrë do kishte komunizmi që erdhi dhe arroganca e tij do ishte më e pakët. Gjithçka do qe ndryshe, nëse Zogu do ishte ai që duan ta bëjnë. Por Ahmet Zogu, ishte ai që ishte. Vuri rendin, se i duhej të mbante pushtetin. Iku, kur e sulmuan, pasi ende nuk e dinte se çfarë ishte shteti dhe se e kishte detyrë ta mbronte. Vrau kundërshtarët, se vetëm ashtu e konceptonte konkurrencën. Mori arin e arkës së shtetit, se mendonte që ishte i tiji. Thjesht ai aq dinte. Me siguri aty ku është, habitet me meritat që i japin, kur atij as që i kishin shkuar në mendje. Po kjo është histori tjetër.

 

Nga Dritan Hila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu