Nesër përballja me Kushtetuesen

0
700

Blloku

Partia Demokratike e Kosovës dhe blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, të përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje, nesër do të ballafaqojnë argumentet dhe kundër-argumentet e tyre në Gjykatën Kushtetuese.

Seanca dëgjimore është thirrur duke u bazuar në kërkesën e PDK-së në lidhje me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në seancën e parë konstituive më 17 korrik.

Në bazë të kësaj kërkese, Kushtetuesja më pas kishte pezulluar postin e kryetarit të Kuvendit, që mbante lideri i LDK-së, Isa Mustafa, deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

PDK si përfaqësues të sajin në këtë përballje ka caktuar profesorin e të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami.

Derisa partnerët e bllokut LDK-AAK-Nisma, ditë më parë kanë bërë të ditur se në përballjen në Gjykatën Kushtetuese, do të përfaqësohen nga deputetja Vjosa Osmani.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje, do të përfaqësohet nga deputetja Albulena Haxhiu dhe këshilltari ligjor i Lëvizjes VV, Armend Shkoza.

Sipas pozicioneve të njohura tashmë, PDK-ja pritet ta konsiderojë jo kushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës në seancën e 17 korrikut, duke pretenduar se vetëm kjo parti politike mund të ketë kryetarin e Kuvendit.

Kurse, blloku LDK, AAK dhe Nisma do të mbrojë votimin për Mustafën në seancën e 17 korrikut dhe do të kërkojë që të vazhdojë puna e nisur e Kuvendit dhe zgjedhja e të gjitha organeve të reja.

Ndryshe, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pritet të qartësojë situatën dhe të nxjerrë vendin nga ngërçi politik, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.

Por nuk përjashtohet edhe mundësia që vendi të dërgohet në zgjedhje të reja të parakohshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu