Neue Zuercher Zeitung: Kosova po e zvarrit themelimin e Gjykatës Speciale!

0
622

Gjykata Speciale kunder Kosovës

Edhe pse para një viti ishte zotuar për të, Parlamenti i Kosovës po e shtyn themelimin e tribunalit të për krimet e luftës së U ÇK -së.

Koha punon për keqbërësit. Kosova duhet pa vonesë t’i hapë rrugë krijimit të Gjykatës Speciale me qëllim të dënimit të krimeve të bëra nga rebelët e UÇK-së ndaj serbëve, romëve dhe shqiptarëve. Në mënyrë të vazhdueshme dhe më kot ambasadorët perëndimorë dhe të dërguarit e Brukselit u bënë thirrje autoriteteve që t’i përmbushin obligimet e tyre, shkruan e përditshmja e njohur zvicerane Neue Zuercher Zeitung.

Të fajësuar prominentë

Kjo gazetë mëtej raporton se në prill të vitit 2014, parlamenti u zotua përballë BE-së për krijimin e Gjykatës Speciale, e cila do të vepronte sipas ligjeve të Kosovës dhe me gjasë do të vendosej në Holandë. Që nga ajo kohë projekti po zvarritet. Përshtatje e ligjeve dhe e neneve të kushtetutës ende nuk ka filluar. Së fundi si arsyetim shërbente vonesa gjashtëmujore e krijimit të qeverisë. Që ish – shefi „shërbimit të fshehtë“ të U Ç K-së sot është kryetar i parlamentit nuk e rrit gjasën e krijimit të shpejtë të gjykatës speciale.
Ambasadorët dhe të dërguarit specialë të Brukselit kërcënojnë: nëse procesi i krijimit zvarritet, gjykatën do ta etablojnë Kombet e Bashkuara. Kjo sigurisht se do të thirrej në Rezolutën 1244, e cila Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë (si pasardhëse të Jugosllavisë). Se çka do të thoshte kjo për shtetësinë ende të diskutueshme të Kosovës është e qartë, kurse për dëmin e imazhit të vendit as që ka nevojë të flitet.
Gjykata duhet t’i hulumtojë krimet për të cilat kishte bërë me dije më 2010 raportuesi i Këshillit Evropian, Dick Marty: ndjekja sistematike e serbëve, romëve, shqiptarëve, të cilët i kundërviheshin pretendimeve pushtetore të komandantëve të UÇK-së. Gjithashtu do të hetohet edhe akuza për heqje të organeve të të burgosurve. Marty përgjegjës për këtë e bënte të ashtuquajturin „ Grupin e Drenicës“ me udhëheqës Hashim Thaçin, grup i cili në veprimet e tij kishte për qëllim „spastrimet“ etnike, pasurimin dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë. Thaçi për momentin është ministër i punëve të jashtme.
Drejtësia e brishtë

Çuditërisht në sqarimin e akuzave dështoi edhe misioni i drejtësisë EULEX, i instaluar aty që nga viti 2008. EULEX-i nuk kishte as program për mbrojtjen e dëshmitarëve e as vullnet për t’i vënë në shënjestër burrat e pushtetshëm. Në vend se të merrej edhe vetë me hetimin, ai kërkonte dëshmi nga Marty. Pas kësaj BE-ja krijoi më 2011 Task Forcën Investigative Speciale nën udhëheqjen e një prokurori amerikan. Kjo forcë në verën e vitit 2014 erdhi në përfundimin se akuzat e Marty-t do të duhej të gjykoheshin nga një gjykatë speciale.
Herët ose vonë padyshim se do të vijë deri tek proceset. Kosova nuk do të mundë t’i kundërvehet vazhdimisht trysnisë. Por, çdo muaj i shtyrë deri në fillimin e veprimeve është kohë e fituar për keqbërësit, sepse vërtetimi i gjendjes faktike është i varur në masë të madhe nga deklaratat e dëshmitarëve. Dhe ata duhet të jenë të vullnetshëm dhe në gjendje që në çdo moment të dëshmojnë përfundon NZZ. /

Përgatiti Nexhmedin Gerguri Gazeta Blic

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu